TIRANE-Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë për arrestimet masive të policisë së shtetit, që goditi katër grupe kriminale. Lideri i PD shprehet se të arrestuarit në 24 orët e fundit janë ‘peshq’ të vegjël, pasi sipas Bashës, ‘peshku’ i madh është kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.

Është kapur në flagrancë në përgjime me krimin. Pra në shkëmbim të votave për PS duke u ofruar tendera, peshku i madh quhet Vangjush Dako. Këta të tjerët janë peshq të vegël që serviren për të shpëtuar Dakon dhe për të shkatërruar hetimet. Kjo është një nga dosjet që ka marrë përsipër Prela. Peshqit e vegël që janë arrestuar mbrëmë do të lirohen. Sot kemi një celulë kriminale, që duke i servirur opinionit disa peshq të vegjël, cironka të mbyllet hetimi për Dakon dhe katër deputetë të tjerë të PS. Kjo ka shfryrë dosjen Dako-krim i organizuar. Unë ua kam thënë para dy vitesh këtë.

Lulzim Basha

Kësaj deklarate me anë të një statusi në Tëitter i është përgjigjur, kryeministri i vendit Edi Rama, i cili është shprehur se të gjithë e kanë marrë vesh që sulme të tilla vijnë nga çëshjtet e hapura me drejtësinë duke theksuar edhe njëherë se lufta me korrupsionin vetëm do të përshkallëzohet.

Shpif shpif se lirohesh, i thonë një llafi, po s'ka më peshk se rob jo e jo, që s'e ka marrë vesh se sulmet vulgare ndaj prokurorisë vijnë nga dhimbjet e forta të kokës për çështjet e hapura me drejtësinë!Lufta me krimin e me korrupsionin vetëm do të përshkallëzohet. 

Edi Rama, kryeministër

Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit dhanë sot shifrat e bilancit të operacionit që u realizua në tre ditët e fundit në 12 qytete të vendit nga veriu në jug. Gjithsej janë lëshuar 44 urdhër arreste për katër grupet kriminale, ndërsa janë ekzekutuar 27 dhe 6 të tjerë janë ende në kërkim nga policia.