Pas seancës dëgjimore të zhvilluar disa ditë më parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur konfirmimin në detyrë të prokurorit të Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, i njohur si prokurori që kërkoi arrestimin e ish-ministrit  të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Pamela Qirko me Osmanin e pranishëm në sallë.

Sipas raporteve të KPK-së, Osmani nuk kishte probleme me pasurinë, duke u konfirmuar edhe nga DSIK për pastërtinë e figurës dhe përshtatshmërinë për të qënë prokuror.

Osmani është kandidat në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:28
Gentian Osmani del i sigurt nga KPK: Do vazhdoj të hetoj çështje sensitive

Gentian Osmani prokurori i Krimeve të Rënda ka dalë i lehtësuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, aty ku u rikonfirmua në detyrë.
I njohur ndryshe si prokurori që kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Osmani u shpreh se do të vazhdonte punën e tij pranë organit të akuzës, madje do të trajtonte sërish çështje sensitive.
“Jam i lumtur për vendimin sepse ishte një sfidë e vështirë. Ndjej keqardhje për kolegët që nuk e kaluan procesin. Mësimi që morëm është të jemi të kujdesshëm me krimin. Unë do vazhdoj të hetoj çështje sensitive deri në momentin që do shpallet gara për KLP”,- tha ai.

Gentian Osmani ka aktualisht në hetim edhe dosjen e njohur të “dëshmitarit X”, apo “Babales” personi që akuzoi vëllain e ministrit Fatmir Xhafaj për përfshirje në trafik droge.