KPK e konfirmoi në detyrë, Komisioneri Publik ankimon vendimin për prokurorin Gentian Osmani: Të shkarkohet

KPK e konfirmoi në detyrë, Komisioneri Publik ankimon vendimin për prokurorin Gentian Osmani: Të shkarkohet

Prokurori i Krimeve te Renda, Gentian Osmani pas konfirmimit nga KPK

Komisioneri Publik i ka kërkuar dje Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të rrëzojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të prokurorit pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, Gentian Osmani. Komisioneri Publik i kërkon Kolegjit të Apelimit shkarkimin e prokurorit nga detyra. Ankimimi i Komisionerit Publik vjen pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, organizimit ndërkombëtar që mbikëqyr procesin e Vetingut dhe që mund të kryejë edhe hetime të pavarura për veprimtarinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve. ONM i rekomandoi disa ditë më parë Komisionit Publik ankimimin e vendimit të KPK për Osmanin.

“Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Gentian Osmani, Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë”, thuhet në njoftim. Sipas Komisionerit Publik, prokurori nuk ka arritur një nivel të besueshëm për të shërbyer në sistemin e drejtësisë. “Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim, nisur nga parashikimi i nenit 179/b/5 të Kushtetutës, neneve C/2, Ç, D, DH, E dhe F/7, të aneksit të Kushtetutës, konsideron se, ndryshe nga sa ka konkluduar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kriteret e vlerësimit, nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka arritur nivelin e besueshëm, sipas nenit 59/1 të ligjit nr. 84/2016. Kërkojmë që shkaqet e këtij ankimi së bashku me denoncimin nga publiku të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në zbatim të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Osmani. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftim. 

KPK konfirmoi Osmanin 
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokurorin Gentian Osmani. Trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Pamela Qirko kanë konstatuar disa pasaktësi në pasurinë e deklaruar nga prokurori, por këto pasaktësi, sipas komisionit, nuk të çojnë në konkluzionin që deklarimet e prokurorit janë të pamjaftueshme dhe për ta marrë masën e shkarkimit nga detyra. “Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi u njoh me rrethanat e çështjes, bazuar në provat e administruara, raportin dhe rekomandimet e relatorit të çështjes, dëgjoi subjektin e rivlerësimit në seancë dëgjimore publike, si dhe mori në shqyrtim të gjitha pretendimet dhe provat e parashtruara nga subjekti i rivlerësimit,  konstaton se subjekti ka arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë, një nivel të besueshëm të kontrollit të figurës, si dhe një nivel të lartë të vlerësimit të aftësive profesionale”, thuhet në vendimin e KPK. 

Konkluzionet e KPK për Gentian Osmanin 

Pasuria 
Deklarimi në deklaratën “Vetting” është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Pasaktësitë e konstatuara në deklarimet ndër vite nuk kanë sjellë pasoja të tilla që ato të konsiderohen të pamjaftueshme në kuptim të nenit 61/3 të ligjit nr.84/2016. Nuk ka mungesë të burimeve të ligjshme financiare për të justifikuar pasuritë. Nuk është kryer fshehje pasurie. Nuk ka deklarime të rreme. Subjekti nuk ndodhet në situatën e konfliktit të interesit. 

Figura 
Nga hetimi mbi pastërtinë e figurës, nuk u gjet asnjë element që të vërtetojë mbi përfshirje të mundshme të subjektit të rivlerësimit në veprime korruptive për shkak të funksionit apo ekzistencën e kontakteve të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, sipas parimeve dhe kushteve të parashikuara në nenin DH të Aneksit të Kushtetutës.  

Aftësitë  
Pas shqyrtimit të raportit dhe denoncimeve në tërësi, nuk rezultuan fakte apo rrethana që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, për pasojë nuk konstatohen indice apo elemente që mund të ngrihen dyshime për paaftësi profesionale apo cilësi që cenojë figurën e prokurorit.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm