POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Kreditë e këqia ulen në nivelin e vitit 2010, sa 12.7% e totalit

Banka e Shqipërisë

Raporti i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit të kredive bankare ka rënë në nivelin 12.7% në fund të nëntorit 2018. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky është niveli më i ulët i regjistruar në këtë drejtim që nga qershori i vitit 2010. Pasi arritën në shtator 2014 në rreth 25%, në nivelin më të lartë që nga fillimi i viteve 2000, huatë bankare me probleme kanë shënuar rënie të ndjeshme në periudhën e mëpasshme, si rrjedhojë e ristrukturimit të kredive, por edhe fshirjes nga bilanci të kredive, të cilat kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin në banka. 

Në nëntor 2018 treguesi ka zbritur në nivelin më të ulët që prej tremujorit të dytë 2010. Në raport me një muaj më parë, ky tregues ka rënë me 0.33 pikë përqindje. Ndërsa në raport me dhjetorin 2017, treguesi i kredisë së pakthyer në afat ka rënë me 0.54 pikë përqindje.

Masat
Megjithatë, rënia e kredive me probleme gjatë vitit të kaluar ishte e ngadaltë. Pasi fshirjet e kredive të humbura dhanë një ndikim të rëndësishëm për tre vite me radhë, duket se ato e kanë shteruar efektin e tyre në pjesën më të madhe. Por, ky faktor mund të ketë një ndikim më domethënës për dhjetorin, kur bankat bëjnë shumicën e fshirjeve, para mbylljes së bilancit. Rrjedhimisht, mund të pritet që raporti i kredive me probleme të bjerë pak më shumë në statistikat përmbyllëse të vitit 2018. Gjatë këtij viti, efektin kryesor në uljen e këtij treguesi po e japin ristrukturimet dhe rikthimet e kredive. Banka e Shqipërisë nënvizon nevojën për të rritur përpjekjet në drejtim të formave të tjera të zgjidhjes së kredive me probleme.

Kreditimi
Një faktor thelbësor, që ende nuk po jep kontributin e pritshëm në uljen e raportit të kredive me probleme, është rritja e kredisë së re. Një rritje e tepricës së kredisë do të ulte peshën specifike të kredive të këqija. Por, edhe këtë vit, huadhënia po ecën me ritme të ngadalta. Gjatë nëntorit, portofoli i kredisë për ekonominë ishte në rënie me rreth 20 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktiviteti kreditues ka vijuar të shfaqë norma të moderuara rritjeje gjatë tremujorit të tretë dhe muajve tetor e nëntor. 

Ecuria e kredisë gjatë kësaj periudhe ka reflektuar zhvillimet e plogështa mujore të kredisë për biznese. Sipas vlerësimit të bankave, kërkesa për kredi e bizneseve në tremujorin e tretë raportohet më e ulët se një tremujor më parë, ndërkohë që kushtet kanë mbetur në kahun shtrëngues. Nga ana tjetër, kredia për individë ka vijuar të shfaqë rritje të qëndrueshme dhe të japë kontributin kryesor në zgjerimin e portofolit të kredisë. 

Megjithatë, portofoli i kredisë dominohet nga kredia për biznese, e cila përbën 66% të totalit. Në fund të muajit shtator, kredia për sektorin privat si raport ndaj PBB-së vlerësohet të jetë rreth 35.3%, e njëjtë me fundin e tremujorit të kaluar.

l.q.
Komento