Gjykata e Krujës ka lëshuar ditën e djeshme urdhër-arrestin për djalin e deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, Rexhep Rrajën. Report Tv ka mësuar se Rexhep Rraja është arrestuar ditën e sotme nga policia e Krujës, që e ka prangosur Rrajën në Rinas, në një biznes që merrej me dhënie makinash me qira. Prokurorja që ka ndjekur këtë rast, është Mirela Kapo, një prokurore grua e cila ka kërkuar në Gjykatë urdhër-arrestin për Rrajën, ndërsa gjyqtarja është Enkelejda Hoxha. 

Mbi 24-vjeçarin rëndon akuza e përndjekjes. Rraja akuzohet se përndoqi Xhisiela Malokun, rasti i së cilës ka trazuar këto ditë politikën shqiptare. 

Njoftimi i policisë

Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë kapjen me qëllim ekzekutimin e Urdhrit të Prokurorisë Krujë mbi bazën e Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, nr.189 dt. 29.09.2018, e cila ka vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg" për shtetasin Rexhep Rraja 24 vjeç, banues në Krujë. Ai akuzohet për veprën penale "Përndjekja" parashikuar në nenin 121/a të Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme.

Akuzat për dhunë të ushtruar ndaj Xhisiela Malokut, u bënë publike gjatë kësaj jave, pas një denoncimi të ish-oficerit të policisë, Emiljano Nuhu. Nuhu akuzoi për kërcënim me armë në ambientet e komisariatit të Krujës, edhe deputetin Rrahman Rraja, në prani të deputetit socialist, Taulant Balla dhe kryetarit të bashkisë, Artur Bushi. Balla mohoi akuzat për ndikim tek policia e Fushë-Krujës, ndërkohë që vetë vajza Xhisiela Maloku, në një intervistë ekskluzive për Report Tv, Maloku, u shpreh se kërkonte drejtësi por të mos përdorej politikisht në këtë ngjarje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:51
Prokurorja dhe gjyqtarja, kush janë dy gratë e drejtësisë që burgosën djalin e deputetit Rraja

Janë dy gra që vendosën për burgosjen e djalit të deputetit socialist, Rrahman Rraja, Rexhep Rraja. Çështjen e dhunimit të Xhisiela Malokut, e ka ndjekur që prej korrikut kur u bë denoncimi fillestar, prokurorja e rrethit Krujë, Mirela Kapo. Kapo ka marrë nën shqyrtim dosjen e Xhisiela Malokut dhe ka vendosur të kërkojë pranë Gjykatës së rrethit  të Krujës, masën e arrestit me burg.

Dhe “rastësia” ndodh edhe në këtë Gjykatë, ku kërkesën për urdhër-arrest e ka pranuar gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Dy gratë e drejtësisë, janë të njohura për gjykimin dhe hetimin e një sërë çështjeve të rëndësishme dhe me sensibilitet të lartë publik. Rasti i Malokut është edhe më i ndjeshëm, ku janë dy gra të cilat vendosin për arrestimin e një burri i cili akuzohet për dhunim dhe përndjekje të një tjetër gruaje.

Ora 15:11
Zbulohet si u arrestua Rexhep Rraja, djali i deputetit ndodhej në Rinas

Detaje të reja kanë dalë lidhur me arrestimin e Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja.

Shqiptarja.com dhe Report Tv, kanë mësuar se në momentin e ndalimit nga policia, Rraja ndodhej në Rinas, brenda një biznesi që merrej me dhënien e makinave me qira.

Kur policia ka shkuar për t’a arrestuar, burimet bëjnë me dije se djali i deputetit nuk ka bërë rezistencë.