Meta kthen 'Buxhetin': Reflektoni kërkesat jetike të studentëve. Rama: Vendimi pas propozimeve të LSI (Letra e plotë me arsyet e Presidentit)

TIRANE - Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer në Kuvend dekretin për Buxhetin e Shtetit për vitin 2019. Njoftimi fillimisht është publikuar në faqen e Presidencës, ndërsa më pas është zbardhur edhe letra që Kreu i Shtetit u ka dërguar deputetëve me argumentet. Presidenti deklaron se shkak për kthimin e dekretit janë bërë kërkesat e studentëve të cilët duan rritje të buxhetit për arsimin vitin e ardhshëm, ndërsa prej 10 ditësh ndodhen në protestë. Një nga kërkesat e studentëve është pikërisht rritja e buxhetit për arsimin në 5% të GDP-së me qëllim përmirësimin e kushteve në infrastrukturën universitare dhe atë akomoduese. Sipas Metës, kërkesat e studentëve janë vlerësuar nga politika si të drejta, legjitime dhe të realizueshme dhe për rrjedhojë ai i ka dhënë një shans të dytë Kuvendit dhe maxhorancës për të rishikuar buxhetin dhe reflektuar në të pretendimet e studentëve.

“Trajtimi optimal i nevojave të shoqërisë dhe ekonomisë, si dhe përmbushja e objektivave socialë të shtetit shqiptar, janë arsye objektive dhe argumenta të qëndrueshëm që Kuvendi i Shqipërisë të rimarrë dhe të ripunojë këtë ligj të rëndësishëm. Kuvendi i Shqipërisë gjatë hartimit dhe miratimit të buxhetit të shtetit duhet të tregojnë kujdesin e duhur, në mënyrë që fondet publike dhe mënyra e përdorimit të tyre të reflektojnë maksimalisht përmbushjen e kërkesave reale të shoqërisë shqiptare. Presidenti i Republikës ka ndjekur me vëmendje protestat e studentëve të universiteteve të vendit tonë dhe ka evidentuar se kërkesat e tyre kanë të bëjnë edhe me mbështetjen më të madhe buxhetore për sistemin arsimor, sidomos për institucionet e Arsimit të Lartë”thuhet në letër. 

Kreu i shtetit shqiptar thekson se kthimi i ligjit është i domosdoshëm, ndërsa kërkon nga qeveria dhe Kuvendi që të evidentojnë në mënyrë shteruese dhe t’u japin përgjigje studentëve për nevojat, që i cilëson jetike. “Kthimi për rishqyrtim i këtij ligji është i domosdoshëm. Qeveria dhe Kuvendi duhet të evidentojnë në mënyrë shteruese të gjitha mjetet dhe të bëjnë një vlerësim objektiv të mundësive financiare që shteti disponon për t’i dhënë përgjigje nevojave jetike të studentëve. Duhet bërë më shumë përpjekje nga qeveria dhe Kuvendi për zgjidhjen e plotë të kërkesave të studentëve për një sistem arsimor cilësor, i cili të garantojë shanse të barabarta për të gjithë studentët pavarësisht mundësive të tyre financiare”. Presidenti i Republikës mbyll letrën drejtuar deputetëve me fjalët se “ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik”.

Pas këtij vendimi të Metës nuk vonoi reagimi i kryeministrit Edi Rama (Lexo këtu). Kreu i qeverisë e lidh kthimin e dekretit me propozimet e LSI për buxhetin të cilat u rrëzuan nga maxhoranca sot në Kuvend (Lexo këtu). Rama shkruan në rrjetet sociale se nuk është i surprizuar nga ky qëndrim i kreut të shtetit, ndërsa shton se vijon presioni ndaj studentëve për t'i mbajtur ata larg dialogut me qeverinë për zgjidhjen e tetë kërkesave.  Në një kohë kur studentët vijojnë protestën, kryeministri Edi Rama është shprehur se është i gatshëm të plotësojë tetë kërkesat e studentëve, madje edhe duke i tejkaluar ato, por nevojitet dialog. Kërkesë të cilën Rama e përsëriti edhe sot gjatë seancës së Kuvendit (Lexo këtu). 

Mbetet për t'u parë nëse maxhoranca do reflektojë vërejtjet e Metës dhe kërkesat e studentëve në buxhetin e vitit të ardhshëm, por vlen të theksohet se kthimi i dekretit bën që drafti t'i nënshtrohet edhe njëherë procedurës parlamentare në komisionet e Kuvendit dhe më pas të hidhet në votim në një seancë të posaçme e cila do të caktohet nga Konferenca e Kryetarëve.  Kjo është hera e parë në historinë e 28 viteve të fundit që një kryetar shteti kthen dekretin për buxhetin e votuar në Parlament.

Njoftimi i Presidences per kthimin e ligjit te buxhetit

LETRA E PLOTE/ Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit për buxhetin e vitit 2019
Të nderuar deputetë,
Në seancën plenare të datës 3 dhjetor 2018, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”.
Me shkresën e Kuvendit nr.3879 prot, datë 12.12.2018, ky ligj i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.
Në mbështetje dhe në ushtrim të së drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës të parashikuar nga neni 85 pika 1 e saj, ligji nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019” ju nënshtrua shqyrtimit të tij të detajuar.

Në shqyrtimin e këtij ligji, Presidenti i Republikës ka vlerësuar në mënyrë të veçantë edhe situatën e krijuar në vend si pasojë e protestave të studentëve në universitetet e vendin tonë.

Trajtimi optimal i nevojave të shoqërisë dhe ekonomisë, si dhe përmbushja e objektivave socialë të shtetit shqiptar, janë arsye objektive dhe argumenta të qëndrueshëm që Kuvendi i Shqipërisë të rimarrë dhe të ripunojë këtë ligj të rëndësishëm.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, është ligji themeltar i shtetit dhe si i tillë, respektimi i parimeve, të drejtave themelore dhe objektivave socialë të saj janë detyrë primare e organeve publike, por më së pari detyrë e qeverisë dhe e Kuvendit të Shqipërisë.

Në nenin 57 pika 1 të Kushtetutës, parashikohet se “Kushdo ka të drejtën për arsimim”, ndërkohë që, në nenin 59 të saj, kushtetuta parashikon shprehimisht se;

1. Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon:

a) punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë;

b) plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim;

c) standardin më të lartë shëndetësor, fizik e mendor, të mundshëm;

ç) arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë me punë;

d) një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm;

dh) shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm;

e) përkujdesjen dhe ndihmën për të moshuarit, jetimët dhe invalidët;

ë) zhvillimin e sportit dhe të veprimtarive ripërtëritëse;

f) riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve, si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës;

g) mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe.

Referuar të drejtave themelore dhe objektivave socialë të parashikuar në Kushtetutën e vendit, Presidenti i Republikës vlerëson se Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë gjatë hartimit dhe miratimit të buxhetit të shtetit duhet të tregojnë kujdesin e duhur, në mënyrë që fondet publike dhe mënyra e përdorimit të tyre të reflektojnë maksimalisht përmbushjen e kërkesave reale të shoqërisë shqiptare.

Presidenti i Republikës ka ndjekur me vëmendje protestat e studentëve të universiteteve të vendit tonë dhe ka evidentuar se kërkesat e tyre kanë të bëjnë edhe me mbështetjen më të madhe buxhetore për sistemin arsimor, sidomos për institucionet e Arsimit të Lartë.

Presidenti i Republikës duke ndjekur me shumë vëmendje situatën politike më të fundit në vend, si dhe duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, të cilat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si të drejta, legjitime dhe të realizueshme, duke synuar interesin më të mirë në përmbushjen e objektivave sociale të parashikuara në nenin 59 të Kushtetutës, si dhe për garantimin e stabilitetit në vend, në përfundim ka vendosur, “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”.

Kthimi për rishqyrtim i këtij ligji është i domosdoshëm. Qeveria dhe Kuvendi duhet të evidentojnë në mënyrë shteruese të gjitha mjetet dhe të bëjnë një vlerësim objektiv të mundësive financiare që shteti disponon për t’i dhënë përgjigje nevojave jetike të studentëve.

Presidenti i Republikës, në shqyrtim të ligjit nr.99/2018, vlerëson se duhet bërë më shumë përpjekje nga qeveria dhe Kuvendi për zgjidhjen e plotë të kërkesave të studentëve për një sistem arsimor cilësor, i cili të garantojë shanse të barabarta për të gjithë studentët pavarësisht mundësive të tyre financiare.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Bazuar në sa më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, si President i Republikës, kam vendosur kthimin e ligjit nr.99/2018 “Për buxhetin e vitit 2019”, për rishqyrtim nga Kuvendi i Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, ka besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik.

 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • cekja: 13/12/2018 16:06

    VETE E ZGJODHE PIJI LENGUN!!!

    Përgjigju
  • Liku: 13/12/2018 15:28

    Veprim i drejte i Presidentit. I vonuar. Asnje prononcim i tij eshte gabim. Ashtu siç eshte gabim mos prononcimi i ambasadave, qe per çdo gje reagojne.

    Përgjigju
  • LIKE FLORIRI: 13/12/2018 15:04

    presidenti nuk bn politika vetem e vlereson nga ana juridike nese eshte e perputhshme me kushtetuten. por srri dot likja pa dhene mend

    Përgjigju
  • Erik: 13/12/2018 14:47

    Burri i doktoreshes se shkencave, normal.

    Përgjigju
  • Tirona: 13/12/2018 14:23

    Bravo pordhsident te jesh Burr jep dhe ca shufra e di vet ti

    Përgjigju
  • redi: 13/12/2018 13:56

    Kthimi i dekretimit te buxhetit nga Meta , gjoja per te plotesuar kerkesat e studenteve esgte politik dhe i vonuar . Meta duhet te prononcohej qe ditet e para, dhe jo kur Rama dhe qeveria pranuan se kerkesat e studenteve ishin minimale dhe te poltesisht te pranueshme . Verejtja ime eshte, per buxhetin e arsimit ne 5% te GDP qe per momentin eshte pak i larte .

    Përgjigju
    • Luan: 13/12/2018 21:59

      Nese jane te plotsueshme te tete kerkesat, aferim! Te plotesohen pa u vonuar, pasi demet e nje deliri qe ka plasur aneekend vendit jane te medha e mund te behen te pallogaritshem. Mendoj se pergjegjesit dhe shkaktaret e kesaj gjendjeje shokante i kane thirrur mendjes dhe i tremben fushes qe eshte minuar. Kryeministri dhe orkestra e tij politiko-administrative le t'i vene gishtin kokes duke u menduar ca me shume e t'i bejne mire llogarite, se nuk u mjafton maxhoranca dhe se se rrugen perpara nuk e kane te shtruar me lule e dafina, por me se shumti me hithra e gjemba. Salezi Berisha, ne krye te antishqiptareve, Ilir Meta dhe dama e tij buzefryre ne krye te plangprishesve e te peshtymtareve ne çorbe te se ashtuquajtures Perdredhje te majte per Interkrim, Lulezi Pasha ne krye te prostitutave politike nuk do ta pushojne luften e tyre per ta kthyer te mjeren shekullore Shqiperi ne Hanin e Stavros, ta bejne ate shesh per te ngrene (keta derra te majme) pershesh, duke hedhur kripe ne plaget qe me pare i kane hapur ne trup Atdheut.Edi Rama hap syte e kujdes! Bej levizje te matura me fijet e kesaj mine te kurdisur!

  • Sondazhi i ditës:

    Investimi i dhëndrit të Trump në Sazan, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Porti i ri Durrësit, Rama: Investimi do të jetë një aset i Shqipërisë dhe shqiptarëve

Porti i ri Durrësit, Rama: Investimi do të jetë një aset i Shqipërisë dhe shqiptarëve