Qendra teknologjike në Kashar, Gonxhja: ‘TEDA’ do jetë model në rajon, do hapë deri 7 mijë vende pune! Veliaj: Është investim që i mbetet qytetit

Ministri i Ekonomisë Blendi Gonxhja dhe kryebashkiaku Erion Veliaj nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për Zonën e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik që ndodhet mes Kasharit dhe Vaqarrit.

“Kjo qendër teknologjike do të jetë një model në rajon. Sipërmarrjet që ne do të synojmë të kemi janë ato të IT, komunikimit, farmaceutikës, teknologji që kanë paga të larta. Është një investim prej 103 mln euro rreth 7 mijë vende pune cilësore”, tha Gonxhja.

Aktualisht ka nisur puna për ndërtimin e kësaj qendre që do të quhet “TEDA Tirana”, me një sipërfaqe rreth 36 hektarë dhe kjo marrëveshje i hap rrugë edhe thirrjeve të para për bizneset që duan të aplikojnë për t’u bërë pjesë e zonës ekonomike.

“Mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur jo vetëm negociatave, por edhe aspiratave, është që çdo ditë të bëjmë atë të voglën tonë. Nuk mbaj mend të kemi bërë një punë të mirë, që nuk ka pasur një skuadër tjetër që thotë: ‘Poshtë TEDA, poshtë ‘Samiu’, poshtë ‘Sheshi’, poshtë ‘Bulevardi’, po poshtë ‘Astiri’, poshtë të gjitha investimet e tjera’. Askush nuk duhet të jetë naiv, çdo punë e mirë ka kundërshtime. TEDA është një projekt që do t’i mbetet këtij qyteti dhe do frymëzojë bashkitë e tjera që të bëjnë një zonë të lirë ekonomike”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Veliaj nënvizoi se Tirana është bashkia e parë që krijon një zonë të lirë ekonomike, duke dhënë modelin edhe për shumë bashki të tjera.

“Europa nuk është një nocion abstract. Nuk vjen Zana e Malit që ta bëjë Shqipërinë si gjithë Europa. Por, çdo ditë duhet të bëjmë nga një copë të vogël të Shqipërisë si gjithë Europa. Një ditë duhet bërë Sheshi Skënderbej si gjithë Europa; një ditë Parku i Liqenit; një ditë Pazari i Ri; një ditë Kalaja e Tiranës; një ditë Bulevardi i Ri; një ditë Kopshti Zoologjik, dhe tani, më në fund, kemi edhe një zonë ekonomike si gjithë Europa. Mënyra më e mirë për t’ju përgjigjur jo vetëm negociatave, por edhe aspiratave, është që çdo ditë të bëjmë atë të voglën tonë. Sot skuadrat tona po bëjnë të voglën e tyre, që edhe ajo pjesë djerrë të bëhet një hapësirë europiane”, theksoi Veliaj.

Zhvilluesja e këtij projekti do të jetë Bashkia e Tiranës dhe synimi kryesor i kësaj qendre është tërheqja e investitorëve të huaj, rritja e eksporteve dhe përmirësimi i bilancit tregtar.

Një zonë ekonomike ka një sërë lehtësish fiskale pasi në 5 vitet e para të aktivitetit paguhet vetëm 50% e normës së tatim fitimit, i njihen shpenzimet e bëra, përjashtohet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë si dhe nga taksa e kalimit të pronësisë.

Bashkia synon që me ndërtimin e kësaj qendre teknologjike të kenë prioritet industria automotive, elektronike, farmaceutike, industritë prodhuese, agro-përpunuese dhe çdo industri tjetër.

SI.E./N.Xh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Vrau me shpatë një 14 vjeçar dhe plagosi pesë persona, pamje nga sulmi tragjik në Londër (Video)

Vrau me shpatë një 14 vjeçar dhe plagosi pesë persona, pamje nga sulmi tragjik në Londër (Video)