Oficerët e policisë gjyqësore letër ‘Ligjeve’: Duam 70% të pagës së prokurorëve

Oficerët e policisë gjyqësore letër  ‘Ligjeve’: Duam 70% të pagës së prokurorëve

Komisioni i Ligjeve

Oficerët e policisë gjyqësore në vend i kanë dërguar një letër Komisionit të Ligjeve, i cili pritet të hartojë ligjin organik të tyre, duke ju kërkuar disa ndryshime në raport me projektligjin paraprak.  Në letrën e siguruar nga Report TV, oficerët të cilët u kanë shkruar dhe dy misioneve të huaja, EURALIUS dhe OPDAT, kërkojnë që paga e tyre të jetë sa 70% e pagës së re të prokurorëve.

Aktualisht paga bazë e oficerëve është rreth 55 mijë lekë, ndërkohë që paga e re e prokurorëve përllogaritet të shkojë rreth 200 mijë lekë.  Me ligjin e ri pas ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi, oficerët e policisë gjyqësore mbajnë barrën më të rëndë në kryerjen e procedurave hetimore, por u është hequr e drejta për të bërë karrierë duke mos u lejuar më që pas disa vitesh punë të mund të bëhen prokurorë.

Në këto kushte, ata kërkojnë minimalisht trajtim dinjitoz me pagë. “Në këtë kuptim, minimalisht Oficeri I Policisë Gjyqësore, duhet të ketë një trajtim financiar dinjitoz, si referuar statusit të tij, funksioneve që kryen, natyrën e punës dhe duke pasur parasysh gjithashtu edhe faktin e ngarkesës në punë.

Në ligjin aktual ende në fuqi, përcaktohet qartë paga e Oficerit të Policisë Gjyqësore në Seksionet e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorive. Në këtë ligj, përcaktohet shprehimisht se paga e OPGJ –së pranë Seksioneve është sa 70% e pages së Prokurorit që ushtron funksionin e tij pranë asaj Prokurorie.

Kështu, kërkojmë që minimalisht të ruhet kjo balance në trajtimin financiar, të ruhet balanca edhe në Prokuroritë apo seksionet e veçanta në Prokurori, ku Prokurorët përfitojnë shtesë mbi page për shkak vështirësie etj”,-thuhet ndër të tjera në letrën që ka mbërritur pranë Komisionit të Ligjeve.

Nga ana e komisionit ende nuk ka filluar puna për shqyrtimin e projektligjit për policinë gjyqësore, por burime pranë këtij Komisioni thanë për Report TV se do të merren në konsideratë kërkesat, dhe ky grup interesi do të dëgjohet gjatë punimeve të Komisionit të Ligjeve.

Letra e plotë drejtuar Komisionit të Ligjeve:

PROPOZIME NË LIDHJE ME PROJEKT LIGJIN

“Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”

Drejtuar: Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut

Nga:  Oficerë të Policisë Gjyqësore Pranë Seksioneve të Prokurorive pranë Gjykatave të Shkallës së Parë.

Të nderuar anëtarë të komisionit!

Nga studimi i këtij projektligji të bërë nga ana jonë, rezulton se në tërësinë e tij ai paraqet disa problematika në hartimin e tij dhe për këtë arsye po ju paraqesim disa propozime në lidhje me nenet konkrete:

Neni 1.
Në referim të këtij neni, ku përcaktohet objekti i këtij ligji, parashikohet se ky ligj normon parimet dhe rregullat e organizimit dhe funksionimit të shërbimeve dhe seksioneve të policisë gjyqësore, veprimtarisë së tyre hetimore, statusin e oficerëve të policisë gjyqësore, si dhe raportet me prokurorin dhe me organet e administratës së origjinës.

Jo pa qëllim fjalët “statusin e oficerëve të policisë gjyqësore” e kemi nënvizuar, pasi ky ligj, në asnjë nen të tij, nuk jep asnjë përkufizim apo të sqarojë shprehimisht se çfarë nën kuptohet me termin “status i oficerit të policisë gjyqësore”.

Çdo ligj i posaçëm, i cili ka të bëjë me përcaktimin qartësisht të termit “Status”, ka pështjellimi dhe sqarime konkrete, për ta kuptuar qartësisht atë, avantazhet që paraqet, të drejtat dhe detyrimet e personelit të cilit i atribuohet ai status etj. P SH, Ligji për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ligji për statusin e nëpunësit civil etj.

Për sa studiuar ky projektligj, në asnjë rresht të tij nuk flitet dhe të sqarohet se kush është saktësisht dhe qartë “Statusi” i oficerit të policisë gjyqësore, por parashtrohet thjesht dhe vetëm si një funksion apo detyrë, apo që “Statusi” i oficerit të policisë gjyqësore, sipas përcaktohet në Nenin 4, pika 2, bazohet në parimin e garantimit të qëndrueshmërisë në detyrë, meritës dhe zhvillimit transparent të karrierës.

Mendojmë se në këtë ligj, duhet përcaktuar qartë se cili do jete konkretisht “statusi”i oficerit të policisë, i cili të jetë një status specifik më vete. Si në çdo ligj, kur parashtrohen përcaktimet mbi statusin, ashtu sikurse i Gjyqtarit dhe Prokurorit, apo statusi i nëpunësit civil, aty parashtrohet edhe trajtimet si ai ekonomik, mbi ecurinë e karrierës, vjetërsisë në punë, të drejtat e detyrimet, etj.

Gjithashtu sugjerojmë që në funksion të të gjitha ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore të ndërmarra në kuadër të kryerjes dhe zbatimit të reformës në drejtësi, hallka shumë e rëndësishme në zhvillimin e hetimeve të të gjitha veprave penale, është veprimtaria hetimore e policisë gjyqësore, e cila meriton dhe duhet të ketë një trajtim dinjitoz dhe të rregulluar pikërisht me këtë ligj.

Në këtë kuptim, minimalisht Oficeri I Policisë Gjyqësore, duhet të ketë një trajtim financiar dinjitoz, si referuar statusit të tij, funksioneve që kryen, natyrën e punës dhe duke pasur parasysh gjithashtu edhe faktin e ngarkesës në punë. Në ligjin aktual ende në fuqi, përcaktohet qartë paga e Oficerit të Policisë Gjyqësore në Seksionet e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorive.

Në këtë ligj, përcaktohet shprehimisht se paga e OPGJ –së pranë Seksioneve është sa 70% e pagës së Prokurorit që ushtron funksionin e tij pranë asaj Prokurorie. Kështu, kërkojmë që minimalisht të ruhet kjo balance në trajtimin financiar, të ruhet balanca edhe në Prokuroritë apo seksionet e veçanta në Prokurori, ku Prokurorët përfitojnë shtesë mbi page për shkak vështirësie etj.

Të rregullohet gjithashtu përllogaritja e vjetërsisë në punë për çdo vit vjetërsi, sikurse parashikohet në ligjin aktual në fuqi, konkretisht, për çdo vit vjetërsi, pagës t’i shtohet 2% në vit, ose të paktën referuar të njëjtit trajtim që I bëhet Prokurorit referuar ligjit për statusin e tij.

Neni 2.a.
Në gërmën “a”, të këtij neni është përcaktuar se :“Funksioni i policisë gjyqësore" është cilësia që u jepet me ligj oficerë te Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe organeve të administratës publike…..”. Mendojmë se pas shprehjes “Byrosë kombëtare të hetimit” të shtohet edhe fjala “Seksioni i Policisë Gjyqësore”.

Neni 3.
Në pikën 1, shprehja “….. që sigurojnë kushtet për ushtrimin e ndjekjes penale”, është e pakuptimtë, pasi policia gjyqësore duhet që të udhëhiqet dhe të zbatojë parimet e përcaktuara në nenin 3, gjatë gjithë ushtrimit të funksioneve dhe veprimtarisë së saj. Kjo pikë mund të riformulohet: “Policia gjyqësore, gjatë ushtrimit të funksioneve të saj, udhëhiqet nga parimi i ligjshmërisë, objektivitetit, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe zbulimit të së vërtetës”.

Neni 4.
Konkretisht në titullin e tij ky nen bën fjalë për parimet e veprimtarisë së policisë gjyqësore, kurse në brendësi të saj përdoret termi “administrata e policisë gjyqësore rregullohet me ligj”. Çfarë do të kuptojmë me këtë term? A është ky ligji i cili rregullon të gjithë veprimtarinë e policisë gjyqësore?Propozojmë që fjala “Administrata “të zëvendësohet me shprehjen “Veprimtaria e Policisë Gjyqësore”.

Gjithashtu pika 1 është përsëritje e nenit 3/1, pasi të dyja këto nene bëjnë fjalë për parimet nga të cilat duhet të udhëhiqet veprimtaria e policisë gjyqësore, pra pika1 e nenit 3 duhet hequr, duke u parashikuar në nenin 4, dhe titulli i nenit tre të bëhet “Funksionet e Policisë Gjyqësore”.

Neni 5.
Në pikën 4 është përcaktuar se : “Oficerët e policisë gjyqësore sipas paragrafëve 2 dhe 3, që zotërojnë përvojën dhe arsimin e duhur, mund të vlerësohen për t'u pranuar në shërbimet e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në përputhje me ligjin në fuqi”. Mendojmë që kjo pike të hiqet pasi kriteret për tu emëruar pranë BKH –së, janë përcaktuar në ligjin përkatës të kësaj strukture.

Neni 6. Tërhiqet.
Neni 10. Pas fjalës “Byroja Kombëtare e Hetimit”, të shtohet edhe fjala “Oficerët e Policisë Gjyqësore të seksioneve të Prokurorisë”.

Neni12. 
Cila do të jetë detyra më e ulët dhe më e lartë që mund të kryejë oficeri i policisë gjyqësore në seksionin e prokurorisë? A parashikohet ecuri karriere për ngritje në detyrë për Oficerët e Policisë Gjyqësore të Seksioneve? (Kjo pasi në ligjin e vjetër të Prokurorisë i shfuqizuar tashmë, parashikohej që një përqindje e Prokurorëve të përzgjidheshin nga radhët e Oficerëve të Policisë Gjyqësore, duke ju nënshtruar një konkurrimi midis tyre, të hapur dhe transparent)

A do kishte stimul personal për secilin prej tyre dhe synime për zhvillimin dhe përmirësimin e performacës në punë, me qëllim zhvillimin e ambicies për t’u emëruar Prokuror, nëse nuk parashikohet shprehimisht ne ligj ndonjë formë ngritjeje ne karrierë?

I bëjmë pyetjet e mësipërme referuar edhe disa deklaratave në media ku Shkolla e Magjistraturës pritet të shpall konkurs për të gjithë “Ndihmësit ligjor” të interesuar, për të konkurruar dhe përzgjedhur për t’u futur në këtë shkollë si aspirant Gjyqtarë. Ndihmësit ligjor, nuk kanë asnjë funksion proçedurial pranë Gjykatave ku janë emëruar, nuk kryejnë asnjë funksion dhe nuk prodhojnë asnjë akt me vlerë proçeduriale, sikundër vlerës së aktivitetit, prodhueshmërisë së akteve me vlerë ligjore, veprimeve konkrete hetimore që kryen një Oficer i Policisë Gjyqësore.

A do ishte më stimuluese edhe për OPGJ –të në kuadër të zhvillimit të tyre profesional, përkushtimit në ushtrimin e funksioneve të tij, rritjes së performancës në punë.

Neni 13.
Çfarë nënkupton termi “delegimeve” në kompetencat e Drejtorit të Policisë Gjyqësore në pikën 2 të nenit 13, duke qenë se delegimi është kompetence dhe atribut i plotë i Prokurorit gjatë hetimeve paraprake dhe gjykatës gjatë gjykimit?

Pika 5 b) e këtij neni, mendojmë se pas fjalës oficer i policisë gjyqësore, të shtohen fjalët “dhe arsim të lartë juridik”.

Neni 14.
Të shtohet shprehja “Funksionet e policisë gjyqësore ushtrohen edhe nga Seksionet e Policisë Gjyqësore në Prokurori”.

Neni.15
Të hiqet pika 1, pasi është përsëritje e pikës 2 të nenit 14.

Neni 18
Të hiqet shprehja “ulje në detyrë”, pasi kjo masë nuk mund të jetë e zbatueshme për oficerin e policisë gjyqësore të seksionit të prokurorisë.

Neni 30
Në pikën 2 është përcaktuar se drejtuesi i grupit hetimor caktohet oficeri i policisë gjyqësore të Policisë së Shtetit. Një përcaktim I tillë duhet hequr pasi grupi hetimor drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori dhe ai është autoriteti i cili cakton drejtuesin e grupit hetimor.

Janë për diskutim gjatë proçesit të dëgjesës Pika 1, e cila I referohet Nenit 1, ku do kërkojmë diskutimin për vjetërsinë në punë, duke përllogaritur fillimin e vjetërsisë në punë që nga viti I pare I punës si Oficer I Policisë Gjyqësore pranë seksioneve. Ashtu sikurse parashikohet për Prokurorët në ligjin që rregullon statusin e tyre apo edhe në ligjin për statusin e nëpunësit civil.

Neni 14 Pika 1 Për diskutim gjatë dëgjesës.

Neni 33 pikat 2 dhe 4 Për diskutim gjatë dëgjesës.

Neni 42 pika 1 Për diskutim gjatë dëgjesës.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Morën ryshfet për të favorizuar një ndërtim pa leje, shpallen në kërkim kryeinspektori e inspektori i IMT Elbasan

Morën ryshfet për të favorizuar një ndërtim pa leje, shpallen në kërkim kryeinspektori e inspektori i IMT Elbasan