POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Pavdekësia e përrallave të Andersenit

Hans Kristian Andersen

Muaji gusht ka në memorien e tij edhe një datë pavdekësie, siç është ajo: 04.08.1875, datë që rrezaton përjetësisht. Por... edhe ky gusht i 2018-ës iku dhe nuk u kujtua dikush t’i shkruante dy fjalë kujtimi, përkujtimi dhe mos-harrese për Andersenin e Madh, i cili me talentin e tij u dha pavdekësinë përrallave. Gjithsesi madhështia e tij shfaqet në 165 përrallat e tij mahnitëse dhe të mrekullueshme, ku lexuesit dhe bresat u mëkuan dhe vazhdojnë të mëkohen me magjinë anderseniane. Kujtesa, me përmasat e saj, mbetet përsëri një magji që e ka emrin: Hans Kristian Andersen.

Kurreshtja më shtyu të di se kur u botuan për herë të parë përrallat e Andersenit në Shqipëri, në cilin vit dhe cili qytet pati mirësinë t’i ofron dashurinë kulturore dhe pasurimin e traditës së tij? Pas shfletimeve dhe gjurmimeve me rezultoi se  përrallat e tij u botuan, së pari, në Shkodër. Libri titullohet: “Kallximet e Andersen-it (për Shkolla e familje), autorët: L. Efthimiadhi – F. Fishta – K. Shiroka, Shkodër, Shtëpija Botuese “Ora” 1936. Libri shoqërohet nga një parathënie, ku autorësinë e mbajnë përkthyesit. Krahas dëshirës për t’u dhanë lexuesve të vegjël shqiptarë një libër njëkohësisht “të vjefshëm dhe t’argëtueshëm”, - dhe ky është motivi i përkthimit të kallximeve (kështu i quajnë përrallat, përkthyesit), në mes të tjerave lexojmë: “Ky kje nji nga poetent dhe shkrimtarët ma të ndam në shej të Danimarkës. Emni i tij, sidomos në botën e të vegjelvet, u kujtue dhe kujtohet me kënaqjen ma të madhën. Ka kenë nji nga ata shkrimtarët e përmendun i cilli me prrallat e veta të bukura të cillat nuk kan per të dijtë kurr mort, ka përcjellë me nji mjeshtri të jashtëzakonshëshme dhe të hollë rienin në botën e ngjarjeve të bukura, qi përban jeten e sajë dhe prirjet e saja. Shum nga librat kan gjetun vend ndër shkollat si libra shum të dobishëm për arsimin e fëmijvet. ... Asht gja e dijtun se fëmijt dishrojnë të lexojnë ngjarje. Rreth tyne asht i qandërzuem krejt interesi i tyne. Ata kërkojnë pa tjetër prralla, kallxime qi t’a kënaqin fantazin e tyne të pangishme. Asht nji detyrë e edukatorit qi të përfitojë nga kjo rasë dhe kështu t’u paraqesë këtyre natyrave të njoma sende të dashtuna per to e ma të dashtuna per ata mirërritës të tyne qi zhvillimin menduar dhe mirërritjen e fmijvet i këqyrin si dritën e syvet. Përcjellë ndër atto kallxime të bukura, mia enden në nji botë plot lule e endshim. Aty asht jeta e tyne prej shtëpie në shkollë; ndër ato kallxime të bukura pasqyrohen lojët e punët e tyne, gëzimet e ndër rasa të ndryshme mjerimet e tyne.

Kemi pasë përmbi të gjitha kujdesin qi tekstin e këtyre kallximevet t’a paraqesim të kandëshem edhe si shtyp, përcjellë aty këtu edhe me piktura, qi i apin ma gjallësi kallximit. Në kët rasë kemi këqyrë të bajmë me bashkëpunuem arti e litratyra me edukatën mëndore, morale e esthethike të fmis dhe kështu dora doras t’i arrihet sa ma parë atij qellimi të bajmë q indër fmit t’onë  të lindi vullneti për lexim e, dalë ngadalëë, lexuesit e vegjel t’onë të bahen ata vetë t’aftë jo veç të mendojnë, por edhe të  flasin e të shkruajnë ma së miri.”

Për vlerat e këtij botimi shkrimtari Bedri Dedja do të shkruante: “Së fundi, duhet përmendur edhe një fakt shumë interesant që vërteton edhe një herë popullaritetin e gjerë të veprës së Andersenit dhe përhapjen e tij në vendin tonë, në gjuhën shqipe. Para 19 vjetësh, në  Shqipëri, vepra e Andersenit është përkthyer në një vëllim të posaçëm me titullin “Kallximet e Andersenit për shkolla e familje”, botuar në Shkodër më 1936. Ky vëllim përmban një parathënie dhe disa tregime e përralla nga më të zgjedhurat. Dalja e këtij vëllimi, megjithëse me një gjuhë të rëndë dhe të pa përpunuar mirë, ka rëndësi, në radhë të parë, për mendimin tim, për të vërtetuar një fakt sado të thjeshtë hisotirko-letrar: se vepra e tij ka hyrë në fondin e leximit për fëmijë në Shqipëri përpara gati njëzet vjetësh; dhe e dyta, sepse ai përbën një bazë pak a shumë të vlefshme për përgatitjen e një vëllimi të ri nga veprat e zgjedhura të këtij autori klasik për leximin e fëmijëve tanë.”

Me botimin e plotë të përrallave të Andersenit është marrë shkrimtari dhe përkthyesi Piro Misha. Duke njohur jetën e Andersenit, mesazhet, strukturat dhe linjën lineare e zhvillimore të përrallave, përkthyesi Misha shkruan: “Në shumë nga përrallat e Andersenit gjen diçka nga jeta e tij. Madje në njërën prej tyre, një ndër më të njohurat e më të bukurat që ai shkroi, gjejmë një sintezë të shkëlqyer alegorike të gjithë jetës së tij. “Na ishte një herë një rosak i vogël, i cili ishte i shëmtuar, e i ndryshëm nga të tjerët dhe prandaj të gjithë e shanin dhe e përbuznin. Prandaj dhe ai e ndiente veten aq fatkeq. Dhe kështu vazhdoi gjersa një ditë prej ditësh, befas e kuptoi se qe bërë një mjellmë e bukur...””

Duke gërmuar në jetën e Andersenit mësojmë se udhëtimet nëpër Evropë, - janë një motiv i pandërprerë i tij. Motiv jete dhe krijimtarie!.. Gjersa vdiq ai s’pati më një vend të përhershëm banimi, një shtëpi në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Asnjëherë s’u martua, por qe vazhdimisht në lëvizje nga njëri vend në foshnjërinë e njerëzimit, si nevojë e pamposhtur për t’i dhënë njëfarë shpjegimi realitetit që rrethonte njeriun primitiv dhe që atij i dukej fantastik dhe i mistershëm. Me kalimin e kohës, përrallat morën ngjyrën e veçoritë e karakterit kombëtar, por thelbi i tyre mbeti i njëjtë. Ato ishin një shprehje e ndjenjave të përjetshme të njeriut. Veçse Anderseni nuk ishte një mbledhës i përrallave popullore, siç ishin vëllezërit Grimm, as edhe përralltar i tipit romantik që e krijonte përrallën si një mënyrë shmangieje nga realiteti. Anderseni e ngriti pjesën më të madhe të përrallave të tij mbi realitetin ekzistues, të cilin ai sikur e prek me shkopin magjik të fantazisë së tij. Çdo gjë që sheh, një kukull porcelani, një ushtar prej plumbi, apo një zog a një lule, ai i jep jetë, e bën të flasë e të veprojë, na bën ta duam e ta ndjekim plot emocione në ato aventura të mrekullueshme në një botë kaq të ndryshme nga ajo ku jetojmë e njëkohësisht aq të ngjashme me të.

Sidoqoftë, me përrallën popullore Andersenin e bashkojnë në radhë të parë parimet e përbashkëta estetike morale, si p.sh. koncepti i së bukurës që, në të dyja, është i lidhur me jetën, zhvillimin dhe përtëritjen e saj. Thelbi i përrallës së Andersenit, ashtu si dhe te përralla popullore është gjithnjë lufta për të mirën, të bukurën, drejtësinë, arsyen, lufta kundër së keqes, gënjeshtres, së shëmtuarës. Anderseni u thur lavde ndjenjave më fisnike njerëzore, të cilat janë në përrallat e tij forca reale vepruese.

Vetë forma “përrallë” e lejoi Andersenin të japë një sintezë të anëve më thelbësore të jetës së kohës së tij. Siç thotë një studiues  i tij, “ai i kishte këmbët të mbështetura fort në truallin e Danimarkës, edhe atëherë kur koka i dilte sipër, mbi re...” Uniteti i ngushtë i dy planeve të narracionit: atij fantastik (alegorik) dhe atij real, përbën po ashtu një veçori artistike shumë të rëndësishme të përrallës së tij.

Gjithë ata që e patën njohur Andersenin vënë në dukje se si ai gjer në fund të jetës së tij mbeti një fëmijë i madh, ruajti atë shikimin e freskët e fëmijëror të botës, të natyrës. Dhe, meqë ra fjala te natyra, mund të ndalemi pak dhe te qëndrimi i tij ndaj natyrës. Natyra zë një vend të rëndësishëm në thuajse gjithë përrallat e tij dhe kjo përbën një tipar origjinal të tyre, në raport qoftë me përrallën popullore, qoftë me krijimet e përrallëtarëve të tjerë para tij. Natyra është gjithnjë në sfond, shoqëron heronjtë, ndikon mbi ta, amplifikon botën e tyre të brendshme, bëmat e tyre. Anderseni s’e sheh atë kurrë si armike. Ajo është së pari simbol i vetë jetës dhe zhvillimit por njëkohësisht i shërben edhe për të gjetur në mes të bimëve, kafshëve apo sendeve të pashpirta alegoritë e nevojshme për  të tipizuar botën e njerëzve. Ndaj, dhe në studimin e tij Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi ndalet kryesisht në grupimin e përrallave të Andersenit. Për klasifikimin e tyre kemi edhe ne të njëjtin mendim. Autori Bishqemi thotë: “Botimi i tyre nisi më 1835. Tri vëllime: “Përralla për fëmijë” (1835-1837), “Përralla të reja (1845-48) dhe “Histori” (1852-53). Nga viti 1835 – 72 botoi 165 përralla. Këto mund të ndahen në disa grupe:

I-Përrallat e para, si “Çakmaku”, “Klausi i madh dhe Klausi i vogël” etj., e kishin zanafillën te përrallat popullore, të dëgjuara qysh në fëmijëri. Por të tilla shkroi edhe më vonë. (“Mjellmat e egra”, “Sirena e vogël” etj.). këto janë përralla romantike.

II-Përrallat që janë krijime të mirëfillta, shpesh transkriptime ndodhish reale të jetës daneze (“Holger Danezi” etj.)

“Nganjëherë, - thotë autori, - më duket sikur çdo lule e vogël më thotë: Vështromë vetëm për një çast dhe historia ime do të hyjë te ti...” Dhe më tutje: “Në fillim më vjen një ide për të rriturit dhe pastaj nis të rrëfej një histori për fëmijë, por pa harruar asnjëherë se edhe babai me nënën janë duke dëgjuar dhe se edhe atyre u duhet dhënë diçka për të menduar.” Pra, përrallat më të mira të Andersenit, ku gjejmë moral, po kurrë moralizim, janë njëlloj interesante si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit. Fëmijët i tërheq subjekti, kurse të rriturit domethënia, mendimi që fshihet thellë në to.

III-Përralla të jetuara në jetën e autorit (“Rosaku i vogël i shëmtuar”, “Bredhi”, etj.)

IV-Ekziston një nëngrup tjetër i vogël përrallash me motive të huajtura nga burime letrare, si p.sh. : “Rrobet e reja të mbretit”,  për të cilën ka shfrytëzuar një burim të tillë spanjoll. Por edhe ato mund të konsiderohen si krijime origjinale të mjeshtrit danez”.

Ndërsa studiuesi Dr. Sc. Faik Shkodra i shikon përrallat e Andersenit në një optikë tjetër, në atë ideoedukative dhe në arsimore, duke e lidhur gjininë e përrallës me atë të realitetit si fenomen letrar dhe laborator krijues. Studiuesi Shkodra është i mendimit se “Çdo përrallë  e Andersenit është riprodhim i një realiteti të zakonshëm, ndërsa autori më imagjinatën e pasur të fantazive dhe me mjeshtërinë e madhe arrin që ngjarjet e trajtuara t’i bëjë më të fuqishme se ç’janë në realitet.

Tipar shumë i rëndësishëm në përrallat e Andersenit mbetet porosia, mësimi moral, këshilla dhe përvetësimi i këtyre elementëve didaktike kryhet me shumë spontanitet. Aspekte të tilla çdo edukator duhet t’i hetojë dhe t’i përdorë me nxënësit në shkollë.

Kjo ngjet kështu për arsye se në përrallat e Andersenit shtjellohen të tilla ngjarje, që të vlerësuara nga pikëpamja pedagogjike dhe estetike, kanë kuptim sa të përgjithshëm, aq edhe të gjerë. Në përralla, luftën që zhvillojnë personazhet si dhe çastet e këndshme e të pakëndshme që përjetojnë midis tyre, fëmijët në mënyrë argëtuese dhe të natyrshme mësojnë t’i çmojnë dhe t’i përvetësojnë shkallë-shkallë dhe disa parime e norma, më vonë do të bëhen stoli e karakterit të tyre në formim e sipër.

Përveç kësaj, në përrallat e Andersenit fëmijët do të ndeshin qenie fantastike, përmes të cilave autori realizon qëllimet e personazheve kryesore. Tërë ajo që ndodh në marrëdhëniet me qeniet fantastike dhe ndihma që ofrojnë ato – është shumë e ngjashme me atë që ngjan në të përditshmen e njeriut, pra me atë që manifestohet në jetën e zakonshme.”

Anderseni mbeti i pavdekshëm në historinë e letërsisë botërore me përrallat e tij, të cilat u drejtoheshin lexuesve të moshave të ndryshme. Ai vetë pati shkruar njëherë: “Unë gjithnjë kam pasur parasysh se shkruaj jo vetëm për fëmijë, por edhe për të rriturit”. Po ndalemi te fëmijët dhe te fëmijëria. Anderseni është një shkrimtar i tillë, i cili që në fëmijëri të rrëmben me ngjarjet e bukura dhe dinamike, plot fantazi të gjallë, ku romantika e moshës së njomë gjen ushqim dhe kënaqësi të pakrahasueshme; të rrëmben me moralin, mësimet, fjalët e urta  që të thotë me ledhati si edukator i dashur për të mësuar se si të jetosh; të rrëmben me  thjeshtësinë e natyrshme, muzikalitetin dhe koloritin e gjuhës popullore të tregimeve dhe përrallave të tija, - dhe me këto, që në këtë moshë të njomë, të lë një vragë të thellë në ndërgjegje, e cila rritet bashkë me ty dhe shndërrohet më në fund për gjithë jetën në një dashuri të madhe, të përhershme ndaj këtij shkrimtari të paharrueshëm, ndaj këtij miku xhentil dhe të shtrenjtë të fëminisë.

Jo më kot përkthyesi i përrallave të Andersenit, Vandush Vinçani, afro 60 vjet më parë do të shprehej kështu: “Përrallat e Andersenit!.. Me këtë shprehje të ngrohtë dhe plot admirim, njerëzit e të gjitha vendeve, veçanërisht të rinjtë e fëmijët, përmendin përrallat e klasikut të çquar të letërsisë daneze Hans Kristian Andersen. Ky njeri i madh dhe i dashur është shembull i një patrioti të flaktë e të sinqertë, i një luftëtari të palodhur për të vërtetën dhe drejtësinë shoqërore, për paqen dhe vëllazërimin midis popujve. Figura e tij është shprehje e një karakteri të papërkulur, të ndershëm dhe të thjeshtë, model i një shpirti të pastër e fisnik. Jeta e Andersenit është pasqyrë e një njeriu që ndonëse i përvojtur, i hidhëruar dhe i përbuzur jashtë masës, s’u dëshpërua kurrë nga jeta po e çmoi shumë atë, i këndoi në notat më të bukura dhe shpresoi gjithmonë në t’ardhmen e lumtur të njerëzimit.”

Dhe në fund... Anderseni, ky përrallëtar kaq i fuqishëm, ka dhe dashuritë e tij të pamundura. Historiani Anthony Majanlehti, një i afërm i shkrimtarit danez, tregon sekretet e jetës së tij në këtë mënyrë: “Dihet se jeta nuk është një përrallë, madje e tillë nuk ishte as për shkrimtarin më të madh të përrallave, Hans Christian Andersen. ...

Edhe në aventurat e personazheve të përrallave të tij, (parajsa autentike e çdo psikoanalisti) reflekton mungesën e fatit në jetën e tij sentimentale: “Shitësja e vogël e shkrepëseve është një histori ku ndeshet dhuna dhe rastësia, që i kujton raportin jo të lumtur që kishte me të emën. “Rosaku i shëmtuar” është vetë Anderseni, i shëmtuar, por i ndjeshëm. Ndërsa “Bilbili” ishte një nga tri gratë e jetës së tij: këngëtarja suedeze Jenny Lind. Andersen nuk e pati kurrë kurajën t’i tregonte ndjenjat e tij Lind dhe as kurajën t’i kërkonte që të martoheshin. ... Me pak fjalë, Andersen shkroi një pjesë të jetës së tij në përrallat me fund jo të lumtur.

“Faktikisht nuk i arriti kurrë ato që dëshironte, sepse kërkonte gjëra të pamundura dhe pengesa të pakalueshme. Vuajtja dhe shkatërrimi e bënin kreativ. Ndërkaq ishte i ndërgjegjshëm se ishte një rosak i shëmtuar dhe i brishtë. ... Në fakt po të lexosh përrallat e tij mund të kuptosh gjithçka. ...”

Literatura e shfrytëzuar:

-L. Efthimiadhi – F. Fishta – K. Shiroka “Kallximet e Andersen-it (për Shkolla e familje), Shtëpija Botuese “Ora”, Shkodër, 1936.

-Bedri Dedja, shkrimi: Hans Kristian Andersen (1805 – 1875), rev. Nëntori 1955, nr. 4; f. 70 – 74.

-H. K. Andersen “Përralla të zgjedhura” (I përktheu V. Vinçani), Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1958.

-Bibliografia e letërsisë për fëmijë e të rinj (1945 – 1964), përpiluar nga: Faire Tabaku dhe Diana Kosturi, Instituti i Studimeve dhe Botimeve Shkollore, Tiranë, 1965.

-Hans Kristian Andersen “Përralla”, (parathënie shkruar nga Piro Misha), Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1986.

-Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi “Letërsia për fëmijë” (Pjesa III: Nëpër botë), Sh. B. Silver, 1999.

-Prof. Bedri Dedja “Dua ta njoh botën” (vëllimi I), Thesaret e letërsisë, Sh. B. “Mësonjëtorja e parë”, Tiranë 2001, f. 13.

-Dr. Sc. Faik Shkodra “Letërsia për fëmijë (nga fillimet deri sot), Prishtinë 2002.

-Letërsia e huaj për fëmijë në shekullin XIX. Zëri: Hans Kristian Andersen (1805 – 1875)

-Pandora Dedja “Kujtesë” (studime, kritikë letrare, mbresa), Sh. B. UEGEN, Tiranë, 2006.

-Viktor Canosinaj “Nga Liza te Harri Poteri” (Vështrim historiko-problemor mbi letërsinë për fëmijë e të rinj), Sh. B. “Lilo”, Tiranë 2006, f. 169 – 170.

-Anthony Majanlehti (një i afërm i shkrimtarit danez), Dashuritë e pamundura të Andersenit, gazeta Shqip, 26.06.2008

Qibrije Demiri – Frangu Letërsia për fëmijë (gjeneza, fenomene, autorë), Rozafa, Prishtinë 2011, f. 264 – 265.

f.g.
Komento