Bllokohen 4 deri në 5 milionë euro në portin e Durrësit nga një superoperacion i policisë. Paratë ishin të fshehura në dy makina ‘Toyota Yaris’. Dy makinat ishin të ngarkuara në një kamion së bashku me 7 makina të tjera. (Në total 9 makina 7 Toyota Yaris, një Opel dhe një Alfa Romeo). Makinat janë bllokuar në orën 15:00 në portin e Durrësit, sapo kanë zbritur nga trageti që vinte nga Bari, ndërsa janë arrestuar 3 persona, dy shoferët dhe administratori i komapnisë që transportoi makinat. Shoferët janë Klevi Cani 21 –vjeç dhe Agim Ceka 61-vjeç, ndërsa administratori është Edi Lika. Ndërkohë mister mbetet njeriu që porositi makinat.

FOTOT/Kamioni i ngarkuar me 9 makina,  me rreth të kuq njëra nga dy makinat tip 'Toyota Yaris' ku u sekuestruan 4-5 mln euro

Por kjo histori po shoqërohet edhe nga një skandal politik, pasi tre ditë më parë, operacioni i Interpol që duhet të rrinte tepër sekret, u dekonspirua nga lideri i opozitës Lulzim Basha, që ka përdorur informacione tepër konfidenciale duke lajmëruar në sallën e Kuvendit operacionin. Informacioni i parë fliste për 1.5 mln euro sikur tha Basha ditën e enjte në Kuvend në një makinë ‘Toyota Yaris’, por rezultoi se eurot ishin në dy makina.

Ky (Balla) ka qenë në Gjermani para tre ditësh, mbajeni mend dhe ka porositur një ‘Toyota Yaris’ por ta kanë zbuluar bashkë me 1.5 nln euro e drogës brenda, do e shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt.

Deklarata e Lulzim Bashës ditën e enjte në Kuvend

Pikerisht dy makinat Toyota Yaris ku u gjetën eurot ishin nisur Belgjika, kaluan tranzit në Itali dhe mbrëmë u nisën nga Bari me tragetin 'GNV' për në portin e Durrësit. Forca të shumta policie të ardhura nga Tirana ishin në gatishmëri për të identifikuar mjetin. Por gjatë kontrollit të makinave rezultoi se shuma ishte e ndarë në dy makina, në një vend të posaçëm te dyert e para, dhe nuk ishin 1.5 milionë si e dinte Basha por me shume. Preja e kartëmonedhave është 20-she, 50-she dhe 100-she. Ndërkohë që vijon numërimi i eurove jo me makineri dhe procesi merr kohë, pasi shënohet numri i serisë së kartëmonedhave.

Njëra nga dy makinat tip Toyota Yaris ku u sekuestruan 4-5 mln euro


Policia ka arritur të arrestojë 3 persona deri tani, shoferët e kamionit me targë AA 120SP-AFR 559 dhe administratorin e kompanisë së transportit të automjeteve, por ende mbetet mister njeriu qe i porositi. Gjithashtu mbetet për t’u zbuluar pse lideri i opozitës Lulzim Basha e ka dekonspiruar operacionin në Kuvend tre ditë më parë duke shkatërruar hetimet dhe njoftuar porositësit e mjetit. Në fakt nëpërmjet deklaratës së Lulzim Bashës, destinuesi i shumës së parave, që me shumë mundësi ka origjinën nga trafiku i drogës është lajmëruar dhe ka marrë masa për të shmangur drejtësinë duke mos shkuar për t’i tërhequr. Një skandal që patjetër do të prodhojë debat të ashpër politik por edhe hetimet nga autoritet për të identifikuar  burimin e informacionit që ka rrjedhur në duart e Lulzim Bashës.


Ekstrakti, kompania e transportit të automjeteve e Edi Likës