Mirela Kapo është prokurorja e Rrethit Gjyqësor Krujë e cila kërkoi arrestimin e 25-vjeçarit, Rexhep Rraja, djali i deputetit të PS, Rrahman Rraja, për ushtrim dhune ndaj ish të dashurës së tij, Xhisiela Maloku. Gjykata e Krujës pranoi kërkesën e prokurores dhe për rrjedhojë i riu u prangos sot në ambientet e një lokali pranë Rinasit. Rastësia bën që edhe gjyqtarja që pranoi kërkesën të jetë gjithashtu një grua, Enkelejda Hoxha, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Krujës. Dy gra të cilat i vijnë në ndihmë një vajze të re të dhunuar dhe përndjekur prej një kohe të gjatë nga ish i dashuri i saj. 

Çështja e Xhisielës trazoi politikën, pasi denoncimi i saj u zbulua rreth tre muaj më pas, kur ish-oficeri i Fushë Krujës, Emiljano Nuhu nga arratia, akuzoi publikisht se ishte kërcënuar me jetë për të liruar djalin e deputetit. Në fakt, Nuhu, nuk ka kryer disa prej detyra bazike të lëna nga prokurorja Kapo në rastin e ndalimit të Rexhep Rrajës. Ish-oficeri ka injoruar shtatë nga 11 detyrat që prokurorja ia kishte deleguar atij për t'i trajtuar, ndërsa më pas është detyruar t'i kryejë vetë me oficerët e saj. 

Një nga detyrat që ka hedhur dritë mbi këtë ngjarje që çoi në arrestimin e Rexhep Rrajës është dhe ballafaqimi mes Xhisiela Malokut dhe Rexhep Rrajës. Ky ballafaqim është bërë në një nga zyrat e Prokurorisë së Krujes dhe që është përgjuar nga prokuroria. Përgjimi ambiental është kryer në një moment tensioni mes dy të rinjve në Prokurorinë e Krujës. Gjatë debateve të bëra sëbashku, biseda që janë përgjuar nga akuza, Rraja pranon se e ka përndjekur për një kohë të gjatë vajzën dhe e ka rrahur. Njëherësh, janë sekuestruar tabulatet telefonike dhe nëe sërë mesazhesh në aplikacionin Ëhatsapp të shkëmbyera mes vajzës dhe Rrexhep Rrajës.

Ish-oficerja që ka hetuar dosjet e nxehta
Por kush është prokurorja e Krujës që iu mbylli gojën pa u menduar dy herë përfaqësuesve politikë të të dy krahëve, duke çuar pas hekurave dhunuesin. Mirela Kapo, prej tre vitesh ushtron detyrën e prokurores së Krujës. Ajo ka mbaruar studimet e larta për Juridik dhe pas përfundimit të shkollës ka nisur karrierën e saj në drejtësi si oficere në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Pikërisht në këtë prokurori si oficere ka hetuar disa çështje të rëndësishme që ky institucion ka pasur. Pas disa vite si oficere, Mirela Kapo konkurron në Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme për t'u bërë prokurore. Ajo fiton dhe dekretohet nga presidenti prokurore në Krujë në vitin 2015 ku vijon të ushtrojë detyrën e saj. Prokurorja Mirela Kapo në rreth 3 vite të ushtrimit të detyrës së Prokurores në Krujë, ka hetuar disa prej dosjeve të grupeve kriminale në këtë zonë.