Pse e hodhi Enver Hoxha kartën
e Kosovës në tryezën politike

Pse e hodhi Enver Hoxha kartën<br />e Kosovës në tryezën politike<br>
Në shkurt 1957, për herë të parë pas një detante shqiptaro-jugosllave Enver Hoxha hedh kartën e Kosovës, duke akuzuar Beogradin për shkombëtarizim dhe dëbim me forcë të shqiptarëve në Turqi. Po botojmë 4 dokumente mbi reagimin e Titos dhe përkeqësimin e raporteve midis dy vendeve ballkanike. Sovjetikët mbajnë anën e Beogradit, amerikanët, ndonëse pro-jugosllavë “mbajnë” anën e shefit të Tiranës për problemin e emigrimit të detyruar të kosovarëve  

SITUATË E ASHPËRSUAR POLITIKE  SHQIPTARO- JUGOSLLAVE DHE DETANTA NË MARDHËNJET POLITIKE SOVJETIKO – TITISTE
Me dhjetëra mijëra kosovarë detyrohen të emigrojnë në Turqi, deklaronte Enver Hoxha më 13 shkurt në Tiranë. Janë përralla, kanë ikur vetëm 291 veta, ia kthen në mars shefi i Prishtinës Fadil Hoxha. Por duhet të jenë të paktën 680 000 shqiptarë në krahinë dhe jo 524 500 dhe se diferenca mes këtyre dy shifrave duket qartë se nuk është 291, saktëson eksperti për problemet jugosllave i Radios amerikane Evropa e Lirë, Slobodan Stankoviç. Me sa duket, radioja antikomuniste i jepte të drejtë shefit të Tiranës me diferencën prej 155 500 shqiptarësh mangët.

Po shqyrtojmë një episod interesant të polemikës shqiptare-jugosllave në vitin 1957. Kishte dy vjet që udhëheqja pas-staliniste e Kremlinit kishte përmirësuar marrëdhëniet me Beogradin dhe kishte detyruar të gjithë satelitët e vet të kampit socialist të “putheshin” me Presidentin, mareshalin Josip Broz Tito (1892-1980). U vu re dhe një zbutje midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Por kreu i PPSH-së Enver Hoxha nuk ishte dakord me këtë “detantë” dhe më 13 shkurt 1957 në Plenumin III të KQ hodhi në tryezë kartën kosovare. Kjo tërboi Beogradin dhe Moskën. 

AMERIKANËT “PRO” ENVERIT. JUGOSLLAVET DUAN TE KUNDERVENE KOSOVARET ME SHQIPTARËT 
Po bëjmë një kryqëzim prej 4 dokumentesh, dy shqiptare, një amerikan dhe një sovjetik, ku vërehet qartë nervozizmi i jugosllavëve për hapjen e problemit kosovar. Ndërkaq emitenti amerikan në Mynih RFE/RL (Radio Free Europe - Radio Liberty)  bën një konstatim interesant në një ekspertizë për përdorim të brendshëm për stafin e radios, teksa analizon strategjinë e Titos për “vietnamizimin” e luftës shqiptaro-jugosllave, duke e shndërruar në luftë shqiptaro-shqiptare. “Hoxha i Jugosllavisë Vs. Hoxha i Shqipërisë” (Yugoslavia’s Hoxha Vs. Albania’s Hoxha), është titulli i shkrimit.

Titoja ka zgjedhur adashin e Enver Hoxhës  në Jugosllavi, Fadil Hoxhën, Kryeministër i Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në Prishtinë, për t’iu kundërvënë “fushatës së shpifjeve që kanë ndërmarrë udhëheqësit shqiptarë kundër Jugosllavisë”, fillon shkrimin e tij analisti për problemet jugosllave i RFE/RL-së, Slobodan Stankoviç. Është për t’u vënë në dukje fakti që dhe pse kjo medie amerikane ishte më pro komunistëve jugosllavë të paangazhuar dhe kundër komunistëve shqiptarë të Traktatit të Varshavës, mban një qëndrim realist lidhur me shifrat e kosovarëve të deportuar forcërisht në Turqi, duke “mbajtur” anën e Enver Hoxhës!

Madje, në fund të analizës, dhe pse i përmbahet versionit jugosllav për krijimin e PKSH-së, nuk harron të “mbajë” sërish anën e Enver Hoxhës në debatin për Koçi Xoxen: “Më vonë me t’u rritur numri “këshilltarëve” jugosllavë në Shqipëri, u rrit dhe pakënaqësia midis shqiptarëve, si komunistëve ashtu dhe anëtarëve bashkudhëtarë  të “Frontit Demokratik” të udhëhequr nga komunistët. Ata të gjithë nuk e duronin kontrollin e jugosllavëve, dhe u përndoqën pa mëshirë nga pro-jugosllavi Koçi Xoxe, Ministri i Punëve të Brendshme, kreu i policisë sekrete dhe sekretari i KQ të partisë, i cili, me mbështetjen e jugosllavëve, u bë njeriu më i fuqishëm në PKSH”.

NDËRKOMBËTARIZIMI
Gazeta boton në këtë numër disa fragmente të fjalës së Enver Hoxhës më 13 shkurt 1957, që shkaktuan jehonë ndërkombëtare për vetë faktin se për herë të parë pas detantës pas-staliniste shqiptaro-jugosllave Tirana ngrinte me forcë problemin e shqiptarëve në Kosovë. Ndaj këtij fjalimi ka reaguar ashpër në parlamentin federal, më 26 shkurt, ministri i Jashtëm i Jugosllavisë Koça Popoviç , i cili ka qenë shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave në vitet 1948-1953, ministër i Punëve të Jashtme më 1953-1965, anëtar i Këshillit Federativ Ekzekutiv më 1965-1972, zëvendëspresident i Jugosllavisë më 1966-1967. Me këtë fjalim merret Enver Hoxha në një shënim të tij të 20 marsit në “Ditarin politik”.

Hoxha, në tezat për një editorial në “Zërin e popullit” të 24 marsit 1957 me titull “Ne dënojmë qëndrimin shovinist kundër shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë dhe propagandën shpifëse jugosllave kundër vendit tonë”. Po ashtu me fjalimin e Popoviçit dhe rritjen e tensionit midis dy vendeve merret dhe ambasada sovjetike në Tiranë dhe aparati i KQ të PK të Bashkimit Sovjetik në një dokument të 9 marsit 1957. Sipas këtij dokumenti “ambasada sovjetike propozon të bisedohet me përfaqësues të nivelit të lartë të udhëheqjes shqiptare lidhur me forcimin e mëtejshëm të polemikës me jugosllavët dhe të këshillohen të tregohen të durueshëm për këtë problem”.
Po botojmë dokumentet në rend kronologjik.

Dokumenti 1
Propagandë kundër Shqipërisë në Kosovë
13 shkurt 1957
 
Gjatë viteve 1948-1953 kemi shkruar e kemi vepruar kundër njeri-tjetrit, si ne, si ata. Nuk është e drejtë që të dalë se gjatë kësaj periudhe ne kemi pasur faj. Ata kanë vepruar kundër republikës sonë me të gjitha mjetet, kanë dërguar me qindra diversantë dhe grupe të armatosura, përveç provokacionit grek të 1949-s (në kohën kur forcat e armatosura greke shkelën kufijtë e Shqipërisë (2 gusht 1949) Jugosllavia ndërmori një lëvizje kërcënuese trupash në kufijtë veriorë të Shqipërisë, në rrethin e Strugës e të Ohrit dhe mori përsipër armatosjen e elementëve shqiptarë e ishin përgatitur të dilnin ne mal për të organizuar një “kryengritje”. Veprimtaria e tyre dështoi). Asnjë shtet armik s’ka zhvilluar një veprimtari kaq të tërbuar kundër vendit tonë sa ajo që zhvilloi udhëheqja jugosllave pas vitit 1948.

AFRIMI
Siç dihet, udhëheqja e Bashkimit Sovjetik mori iniciativën për të përmirësuar marrëdhëniet (është fjala për bisedimet midis delegacionit qeveritar të BRSS dhe qeverisë jugosllave që u zhvilluan në Beograd prej 27 majit deri me 2 qershor 1955. Rezultat i këtyre bisedimeve qe Deklarata e Beogradit) dhe bëri të gjitha përpjekjet në këtë drejtim. Ne atëherë propozuam që para se të fillonin bisedimet e Beogradit, të mblidhej Informbyroja, e cila më 1948 vendosi përjashtimin e Jugosllavisë dhe të analizonte çështjen e jugosllavëve, duke nxjerrë të mirat e të metat e tyre dhe të Informbyrosë...

Ne deklaruam se jemi gati të përmirësojmë marrëdhëniet në baza marksiste-leniniste dhe jo në bazat e vjetra, antimarksiste (e kaluara s’kthehet më). Por udhëheqësve jugosllavë s’u pëlqeu qëndrimi ynë, sepse ata kërkonin të përsëritnin situatën e 1948-s, kërkonin që ne t’u bënim lëshime parimore: 1) të thoshim se jugosllavët s’kanë asnjë gabim; 2) të rehabilitonim Koçi Xoxen etj. Në këtë nuk mund ta bënim kurrë. Kjo s’do të ishte marksiste, kjo do të ishte tradhti ndaj Partisë dhe atdheut tonë.

LEGATA
... Legata jugosllave në Tiranë ka zhvilluar dhe zhvillon punë agjenturore, përpiqet të grumbullojë elementët antiparti dhe të organizojë luftën kundër Partisë sonë... Vetë ministri jugosllav ne Tiranë, Arso Milatoviç, zhvillon propagandë dhe flet kundër politikës dhe gjendjes së Republikës Popullore të Shqipërisë, kundër udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit tone, nxit elementë të dobët në veprimtari armiqësore antishtetërore dhe antiparti dhe merret me veprimtari spiunazhi.

Për këtë qëllim, ai është përpjekur me anë presioni dhe mjetesh të tjera të shfrytëzojë shtetasit jugosllavë të vendosur prej kohësh në Shqipëri, me të cilët mban kontakte aktive, elementë armiq të Partisë dhe të pushtetit popullor, individë të ndryshëm që shkojnë për punë zyrtare në legatën jugosllave, ose që ai i merr rrugës në makinën e vet duke lëvizur nëpër Shqipëri. Duke shkelur edhe dispozitat zyrtare mbi qarkullimin e diplomatëve të huaj në vendin tone, ai ka shkuar pa lejen përkatëse në Vlorë, ku, duke abuzuar nga mikpritja e një familjeje patriote, ka kërkuar të nxjerrë informata me karakter politik e ushtarak mbi bazën detare të ishullit të Sazanit. Po kështu ka shkuar në Berat dhe ka fotografuar objekte ushtarake të ndaluara dhe ka kërkuar të takohet me Tuk Jakovën.

Një çështje serioze është fakti se në Jugosllavi ka 3 000 e ca të arratisur shqiptarë, midis të cilëve shumë kriminelë fashistë. Duke marrë parasysh zhvillimin e ngjarjeve në Hungari, ne kemi të drejtë të mendojmë se mund të organizohen edhe provokacione me anën e tyre, me qëllim që të gjendet shkak për të sulmuar Shqipërinë. Në çastet më tragjike në Hungari, Vidiçi, nënsekretar i shtetit për punët e jashtme të Jugosllavisë, u tha atasheve të shtypit te Bullgarisë, të Shqipërisë, të Çekosllovakisë etj.: “Prisni, ato që ndodhën në Hungari do të ndodhin patjetër edhe te ju”. Prandaj Partia jonë është e detyruar te jetë shumë vigjilente ndaj udhëheqjes jugosllave.

POLITIKA E SHFAROSËSE NDAJ SHQIPTARËVE
Udhëheqja jugosllave mban një qëndrim shovinist e çnjerëzor ndaj popullsisë së Kosovës. Gjendja në këtë krahinë është e mjerueshme, udhëheqja jugosllave atje po ndjek një politikë shfarosjeje. Me dhjetëra mijëra kosovarë detyrohen të lënë tokën dhe shtëpinë për të emigruar në Turqi. Këtë politikë s’e kanë bërë as krajlët e Serbisë. Ajo bën çmos për ta kthyer Kosovën në një bazë kundër Shqipërisë, në një bazë për të bashkuar Shqipërinë nëpërmjet Kosovës me Jugosllavinë.

Shtypi jugosllav në Kosovë e Metohi po zhvillon çdo ditë një propagandë të poshtër shpifëse kundër Partisë dhe Republikës sonë Popullore, saqë “Zëri i Amerikës” ia ka zili. Bëhet pyetja nga ana jonë: përse kjo propagandë kaq e poshtër dhe sidomos e posaçme në Kosovë e Metohi kundër regjimit popullor të Shqipërisë? Vallë a do të vazhdojë gjatë të rrjedhin kështu ndotësira në kanalet e ujërave të zeza të shtypit jugosllav? Për ne është e qartë ku synon udhëheqja jugosllave. Ajo kujton se po i gënjen shqiptarët e Kosovës mbi realitetin e vendit tonë, por edhe në qoftë se mund të ketë të tillë që të jenë gënjyer, shtypi ynë e ka për detyrë internacionaliste të sqarojë të gënjyerit nga propaganda e ndyrë nacionaliste, shoviniste, fashiste.

Partia jonë ka mbajtur dhe mban qëndrim të drejtë për çështjen e Kosovës, një qëndrim marksist, internacionalist. Por ne s’mund të mos vëmë në dukje qëndrimin shovinist të udhëheqjes jugosllave në Kosovë për të vërtetuar edhe një herë se ajo është në pozita antimarksiste dhe antinjerëzore kundrejt shqiptarëve të Kosovës....
Marrëdhënie partie me ta ne nuk dëshirojmë të kemi në këto kushte, por ne do të punojmë për të ruajtur dhe për të forcuar ndjenjat e miqësisë së sinqertë me popujt jugosllavë, do të vazhdojmë rrugën për normalizimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve shtetërore midis vendit tonë e Jugosllavisë, mbi parimet e barazisë e të mosndërhyrjes në punët tona të brendshme.

Dokumenti 2
Diplomatët sovjetikë: Tirana të jetë më e durueshme
Shënim i zëvendës shefit të sektorit të KQ të Partisë Komuniste për Ukrainën në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste  të Bashkimit Sovjetik, I. T. Vinogradov, për arsyet e prishjes së raporteve shtetërore midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë

9 mars 1957

Shoku Krilov, ish-ambasador i BS në Tiranë, raporton se shokët shqiptarë kanë bërë punë të madhe për demaskimin e pikëpamjeve antimarksiste të udhëheqjes jugosllave. Megjithatë, kohët e fundit, fjalimet e dendura të udhëheqësve shqiptarë mbi problemin jugosllav (thuajse në çdo takim me masa dhe botimi i tyre në shtyp), janë shumë të vrazhda dhe përmbajnë sulme personale kundër figurave kryesore jugosllave. 
Të gjitha këto shkaktojnë ashpërsimin e marrëdhënieve shtetërore midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme, Popoviç, në fjalimin e botuar në gazetën “Borba” të 27 shkurtit të këtij viti, pohoi: “Të krijohet përshtypja se udhëheqja aktuale shqiptare, për arsye të pabazuara, po shkon drejt dëmtimit të raporteve shtetërore me Jugosllavinë”. Shtypi i huaj borgjez po inkurajon me lloj-lloj mënyrash Jugosllavinë për ndërprerjen e raporteve shtetërore me Shqipërinë.
Ambasada sovjetike propozon të bisedohet me përfaqësues të nivelit të lartë të udhëheqjes shqiptare lidhur me forcimin e mëtejshëm të polemikës me jugosllavët dhe të këshillohen të tregohen të durueshëm për këtë problem.
Për këtë problem mendojmë si të përshtatshme që me udhëheqësit shqiptarë  të bisedohet gjatë takimit të pritshëm midis delegacionit të PK të BS dhe PPSH, në fillim të prillit të këtij viti, në Moskë.

Dokumenti 3
Hoxha i Jugosllavisë vs. Hoxha i Shqipërisë 

Analizë për përdorim të brendshëm i “Radio Evropa e Lirë / Radio Liria”
Munih, 21 mars 1957 - Titoja ka zgjedhur adashin e Enver Hoxhës në Jugosllavi, Fadil Hoxhën, Kryeministër i Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në Prishtinë, për t’iu kundërvënë “fushatës së shpifjeve që kanë ndërmarrë udhëheqësit shqiptarë kundër Jugosllavisë”. 
Në mbledhjen plenare të Kuvendit të Krahinës Autonome të Kosmetit (Kosovë dhe Metohi) Fadil Hoxha sulmoi fjalimin e 13 shkurtit të Enver Hoxhës, që akuzonte udhëheqësit jugosllavë se kanë ndjekur politikë shkombëtarizimi të pakicës shqiptare në Jugosllavi.
Pas fjalës së tij plenumi miratoi një rezolutë proteste kundër Enver Hoxhës, i cili merrte përsipër të drejtën e përfaqësimit të interesave të shqiptarëve në Jugosllavi dhe shprehte besnikërinë ndaj qeverisë federale jugosllave. Fadil Hoxha gjithashtu tha se fushata antijugosllave në Shqipëri synonte të shkaktonte mosbesim mes shqiptarëve të Jugosllavisë ndaj Titos.

PËRRALLAT E ADASHIT
Në fjalën e tij përpara plenumit  të Komitetit Qendror që u mbajt më 13-17 shkurt në Tiranë, Enver Hoxha foli për “qëndrimin shovinist të udhëheqjes jugosllave në Kosovë... në pozita antimarksiste... kundrejt shqiptarëve të Kosovës”. Ai shtoi se “gjendja në këtë krahinë është e mjerueshme, udhëheqja jugosllave atje po ndjek një politikë shfarosjeje. Me dhjetëra mijëra kosovarë detyrohen të lënë tokën dhe shtëpinë për të emigruar në Turqi... Ajo bën çmos për ta kthyer Kosovën në një bazë kundër Shqipërisë... Shtypi jugosllav në Kosovë e Metohi po zhvillon çdo ditë një propagandë të poshtër shpifëse kundër Partisë dhe Republikës sonë Popullore”. Kjo është arsyeja pse Enver Hoxha i thoshte shtypit shqiptar se “e ka për detyrë internacionaliste të sqarojë të gënjyerit (kosovarë) nga propaganda shoviniste antimarksiste” (e komunistëve jugosllavë).

VETËM 291?
Duke iu përgjigjur Hoxhës së Shqipërisë , Hoxha i Jugosllavisë Fadili  tha se “përrallat për shkombëtarizim nuk kanë asnjë qëllim tjetër, veçse të mbjellin mosbesim në mesin e shqiptarëve në Jugosllavi ndaj vendit socialist në të cilin jetojnë”. Fadil Hoxha renditi pastaj të gjitha avantazhet që pakica shqiptare në Jugosllavi, gëzon, veçanërisht përparimin e arritur në ekonomi dhe në kulturë. Ai hodhi poshtë në mënyrë të prerë thëniet e Enver Hoxhës për “dhjetëra mijëra kosovarë”  që kanë emigruar në Turqi për shkak se gjoja “udhëheqja jugosllave atje po ndjek një politikë shfarosjeje”. Fadil Hoxha tha se nga 524.500 shqiptarë që jetojnë në Jugosllavi vetëm 291 kanë shkuar në Turqi, “më së shumti njerëz që kanë të afërmit në gjendje të mirë ekonomike ose familjet në Turqi, apo bejlerë, agallarë dhe tregtarë të shpronësuar”.

LLOGARITJA
Është me interes të theksohet se Fadil Hoxha flet vetëm për 524.500 shqiptarë që jetojnë në krahinën e Kosovës dhe Metohisë. Sipas të dhënave të fundit jugosllave, më 30 qershor 1956, në Kosmet popullsia arrinte në 880 000 banorë. Vërtet, mes tyre ka rreth 200 000 serbë (përsëri sipas të njëjtave statistika), por në çdo rast duhet të jenë të paktën 680.000 shqiptarë në krahinë dhe jo 524 500. Diferenca mes këtyre dy shifrave të fundit duket qartë se nuk është 291.

ZEMËRIMI I TITOS
Sikurse mund të parashikohej, pjesa e fjalimit Enver Hoxhës së 13 shkurtit që kishte të bënte me pakicën shqiptar në Jugosllavi provokoi zemërimin e Titos më shumë se çdo gjë tjetër. Ky ishte sulmi i parë i hapur nga një udhëheqës shqiptar komunist mbi “gjendjen e mjerueshme”, që gjoja mbizotëron në atë pjesë të Jugosllavisë dhe se përbënte një shpallje të plotë të luftës propagandistike kundër Titos.

Në fjalimin e lartpërmendur të 26 shkurtit Koça Popoviçi tha se "Shqipëria është i vetmi vend i kampit socialist me të cilin, ndonëse jo për fajin tonë, marrëdhëniet tona nuk kanë qenë asnjëherë me të vërtetë të normalizuara ..." . Gazeta “Politika”  e 15 marsit shtonte ndërkohë se “22 sulmet anti-jugosllave” të Shqipërisë në periudhën 1 dhjetor 1956-15 mars 1957, “në pikën ‘e gravitetit’ kanë tejkaluar madje propagandën sovjetike” me 33 sulmet e saj të mëdha kundër Titos dhe Jugosllavisë brenda së njëjtës periudhë.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Fier/ Makina përplas të moshuarin, 71 vjeçari rëndë në spital

Fier/ Makina përplas të moshuarin, 71 vjeçari rëndë në spital