POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Sëmundja e rrallë, mjekët e QSUT shpëtojnë foshnjen 11-muajshe (Video)

Brajani është vetëm 11 muajsh. Tre ditë më parë ai ishte duke luajtur me nënën e tij në Shkodër, teksa ajo vuri re se vogëlushi nuk lëvizte njërën këmbë e njërën dorë. 

Menjëherë prindërit që Brajanin e kanë fëmijën e parë, e dërguan atë në spitalin e Shkodrës, ku neurologët atje kuptuan se truri i vogëlushit nuk furnizohej mirë me gjak, ndaj e përcollën menjëherë në Tiranë për ekzaminime të specializuara. 

Kjo është një sëmundje shumë e rrallë. Më shpesh është në Japoni, në lindjen e Largët. Është një sëmundje e cila karakterizohet nga ngushtimi i arterieve që i çojnë gjakun trurit. Bënë një rezonancë në Shkodër ku vihet re infarkti në të dyja anët e trurit dhe pastaj vjen këtu në QSUT, që bëhet një angeorzonancë, aty u pa që shkaku i infarktit ishin arteriet që po ngushtoheshin, ndryshe e quajtur moymoya.

 Artur Xhumari, mjek neuro-kirurg

Ekipi mjekësor në QSUT nisi një ndërhyrje të vështirë, e cila është shumë e rrallë. Neurokirurgu që udhëhoqi ekipin në operacion tregon orët e gjata teksa po bënte 24 shpime në kokën e vogëlushit për të mundësuar një rrugë të re të furnizimit të trurit të tij me gjak. 

Operacioni zgjati më shumë seç ishte parashikuar. Zgjati diku tek 5-6 dhe konsistoi në bërjen e shumë vrimave që të bëhet lidhja e arterieve të lëkurës së kokës të cilat do shkojnë brenda dhe do t’i japin gjakun trurit.

Artur Xhumari, mjek neuro-kirurg

Orët e pritjeve kanë qenë vecanërisht të vështira për mamanë e Brajanit, ashtu edhe për Klodianin, të atin. 

Jam shumë i lumtur se gjithçka shkoi mirë. Ishte tmerr, si çdo prind që nuk do ta shohë fëmijën e tij keq. Ishalla nuk i ndodh askujt kjo gjë.

Klodian Marku, babai i Brajanit 

Prindërit si prindër që janë, janë gjithmonë të frikësuar. Dhe në sëmundjen e neurologjisë është shumë vështirë të jesh i qetë menjëherë. Duhet durim dhe kohë të kalojë që të fillojnë të gjithë të qetësohemi.

 Artur Xhumari, mjeku neuro-kirurg

Rasti vlerësohet si një histori suksesi për qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”. Vetë ministrja Ogerta Manastirliu publikoi në Facebook lajmin e mirë të këtij operacioni. 

Unë si mjek nuk kisha mungesa në mjete apo në vegla apo në ilaçe për të realizuar operacionit.

Artur Xhumari, mjek neuro-kirurg

Brajan do të qëndrojë në pediatrinë e Tiranës edhe 3 ditë, sipas parashikimit të mjekut, duke shpresuar se trupi i tij do të ndihmohet edhe nga fati, për të mos pasur përsëritje. 

ke.mu./d.ba.
Komento