POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Shkodra si Palermo, në 2 muaj 6 të vrarë me armë zjarri dhe 2 të zhdukur (SKEDA)

Gjashtë personat që kanë humbur jetën në Shkodër në muajt e fundit

Ditën e sotme qyteti i Shkodrës u trondit nga një tjetër vrasje me armë zjarri. Viktima është Arjan Ferracaku 31 vjeç, ndërsa dyshohet se ka ardhur si pasojë e përplasjes së bandave. Biznesmeni i njohur u gjet i ekzekutuar në Livadhe, në periferi të qytetit.

Në qytetin e Shkodrës në muajt e fundit janë shënuar shumë ngjarje kriminale si pasojë e përplasjes së bandave duke e kthyer kryeqendrën e veriut në Palermo. Nga muaji qershor deri sot janë regjistruar 6 viktima. Në datë 18 qershor u ekzekutua me armë zjarri Mehdi Kavaja. Pronari i servisit të makinave, 60-vjeçari Mehdi Kavaja u qëllua me plumb në kokë në banesën e tij, ndërsa ende nuk dihen motivet dhe autorët.

Në 15 korrik u shënua një tjetër ngjarje e rëndë, pasi u ekzekutuan me armë zjarri në makinë çifti Boran Bërcana dhe Silvi Ndoci.  Ish-punonjësi i Policisë së Shtetit në Pukë dhe bashkëjetuesja 25-vjeçe, u ekzekutuan me armë zjarri automatike e llojit "M5P", ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën 23 gëzhoja.

Report Tv siguroi pak kohë më parë videon ekskluzive të momentit të ekzekutimit të çiftit, në prani të fëmijës së tyre të mitur, që ndodhej  në makinë, ndërsa ende nuk ka asnjë person të arrestuar për ngjarjen.

Në 10 gusht, Shkodra do të tronditej nga një tjetër vrasje mafioze. I vrarë në një atentat mbeti 53-vjeçari Fatbardh Lici. Ai ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen Kiras në Shkodër kur u ekzekutua, ndërsa ende nuk janë arrestuar autorët.

Dyshohet se ishin dy persona që iu afruan në lokalin që po pinte kafen dhe njëri prej tyre ka dalë duke e qëlluar me breshëri kallashnikovi. Lici dyshohet se në vitin 2011 ka qenë i përfshirë në vrasjen e Astrit Kurmemajt, i dënuar me 25 vite burg për disa vrasje. Gjithashtu Fatbardh Lici është kunati i Lul Kullës, i njohur si i “forti” i Shkodrës. Aktualisht Lul Kulla është në burg pasi u arrestua në pikën kufitare të Kakavijës, për shkak se rezulton i dënuar në Itali me 13-vite burg.

Ndërkohë që prej datës 23 gusht janë zhdukur daja me nipin, Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa. Familjarët në denoncimin e tyre në polici u shprehën se prej datës 23 gusht nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen e tyre, ndërsa edhe pse kanë kaluar disa ditë ende nuk ka asnjë të dhënë për fatin e tyre.

Por vrasjet nuk do të kishin të ndalur në Shkodër, pasi në 27 gusht pas një konflikti u vra Prendush Fusha 55 vjeç. Autori është Alfred Pëllumbi, rreth 30 vjeç, ndërsa u arrestua 24 orë më pas. Fusha me autorin kanë qenë fqinj me njëri-tjetrin. Dy shtetasit kishin prej kohësh konflikte pronësie me njëri-tjetrin dhe sherri kulmoi pas denoncimit të viktimës në polici për vjedhje.

Skeda e vrasjeve ne Shkoder
Në 18 qershor u vra Mehdi Kavaja
Në 15 korrik u vranë Boran Bërcana dhe Silvi Ndoci
Në 10 gusht u vra Fatbardh Lici
Në 23 gusht u zhduk Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa
Në 27 gusht u vra Prendush Fusha
Në 1 shtator u vra Arjan Ferracaku

d.ba./ke.mu.
Komento