TIRANË-Një punonjës i Gardës së Republikës, shofer i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është gjetur i pajetë rreth orës 09:30 të ditës së sotme në garazhin e institucionit. Viktima është Shkëlzen Qordja. Ai është gjetur i vdekur me një plumb në kokë brenda në makinë në garazh nga kolegët kur shkuan për të marrë automjetet. 

Prokuroria e Tiranës, Policia e Shtetit dhe SHÇBA në një njoftim të përbashkët deklarojnë se provat e mbledhura deri më tani tregojnë se kemi të bëjmë me një vetëvrasje. Në vendin e ngjarjes janë gjetur tre gëzhoja, Shkëlzen Qordja ka një plumb në kokë, ndërsa dy plumbat e tjerë kanë përfunduar te xhami i makinës.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se në mjetin e Gardës u gjet i pajetë, i ulur në sediljen e shoferit, punonjësi SH.Q. Makina ishte e parkuar në garazhin e caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, i cili u gjet i mbyllur nga brenda. Nga kqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima është vetëvrarë, me armën e shërbimit

Policia e Shtetit

Policia e Shtetit thotë se Shkëlzen Qordja ka nisur punë në 2017 në Gardë. 'Shkëlzen Qordja ka nisur punë në Gardës e Republikës në datën 29.03.2017 dhe nuk ka qenë asnjëherë subjekt procedimi, pezullimi apo mase tjetër disiplinore' deklaron Policia e Shtetit.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është duke punuar për të qartësuar shkaqet e ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së Gardës së Republikës, ndërsa janë marrë në pyetje edhe përgjegjësit e turnit në institucion. Kolegët e 31-vjeçarit janë shprehur se nuk e kanë parë të shqetësuar ditët e fundit.

Viktima Shkëlzen Qordja 

Shkëlzen Qordja ishte i martuar dhe banonte në Qytet Studenti në rrugën ‘Budi’, ndërsa nga një kërkim në profilin e tij në rrjetet sociale rezulton se ishte një ndjekës i futbollit, tifoz i Bayernit dhe Tiranës. Pas ngjarjes Garda ka njoftuar familjen e të ndjerit, ndërsa trupi do u dorëzohet familjarëve, pasi të bëhet ekspertiza mjeko ligjore për të përcaktuar zyrtarisht nëse është vrarë apo vetëvrarë. Familjarët të tronditur nga ngjarja nuk kanë pranuar që të flasin për mediat, ndërsa kanë hapur dyert e mortit.

Ambulanca te Garda e Republikes

Garda e Republikës – Njoftim për media
Sot rreth orës 09:30 të mëngjesit, në garnizonin e Gardës së Republikës është gjetur i pajetë brenda garazhit, të caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, gardisti me detyrë funksionale shofer i Ministrit të Brendshëm, shtetasi Sh.Q., 31 vjeç. Trupi i pajetë u konstatua nga punonjës të Gardës. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është duke punuar për të qartësuar shkaqet e ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave.

NJOTIMI/ Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Policia e Shtetit dhe SHÇBA
Policia e Shtetit është njoftuar nga Garda e Republikës, rreth orës 09:30 të mëngjesit, në garnizonin e Gardës, është gjetur i pajetë gardisti me detyrë funksionale shofer i Ministrit të Brendshëm, shtetasi Sh.Q., 31 vjeç.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Tiranë, me përbërje oficerë të Policisë Gjyqësore ekspertë mjeko-ligjorë, ekspertë të kriminalistikës dhe hetues të SHÇBA-së. Nga veprimet e para hetimore rezulton se në mjetin e Gardës u gjet i pajetë, i ulur në sediljen e shoferit, punonjësi SH.Q. Makina ishte e parkuar në garazhin e caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, i cili u gjet i mbyllur nga brenda.

Nga kqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima është vetëvrarë, me armën e shërbimit.I ndjeri, ka nisur punë në Gardës e Republikës në datën 29.03.2017 dhe nuk ka qenë asnjëherë subjekt procedimi, pezullimi apo mase tjetër disiplinore. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është duke punuar për të qartësuar shkaqet e ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:57
Vdekja e shoferit të Xhafajt, gardistët: Nuk e kemi parë të shqetësuar

Shkëlzen Qordja ka nisur punë në Gardën e Republikës në datën 29.03.2017. Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur kolegët, të cilët e kanë gjetur pajetë sot brenda në makinë. Kolegët e 31-vjeçarit janë shprehur se nuk e kanë parë të shqetësuar ditët e fundit.

Ora 14:18
Edhe vëllai i shoferit të Xhafaj punon në gardë, ka qenë shoferi i Ëngjëll Agaçit

Report Tv mëson se edhe vëllai i viktimës Shkëlzen Qordja është gjithashtu gardist, ndërsa ka qenë shoferi i Ëngjëll Agaçit,  i cili është sekretar i përgjithshëm i Kryeministrisë.

Ora 13:48
Vdekja e shoferit të Xhafajt, reagon Berisha: Ekzekutim mafioz

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas vdekjes së shoferit të ministrit të Brendshëm. Berisha e cilëson si ekzekutim mafioz.

Fillon qerimi i hesapeve midis familjeve mafioze te pushtetit! Ekzekutim mafioz i shoferit te familjes mafioze Xhafa. Per te vdekurit ka vetem ngushellime per familjen dhe une ngushelloj familjen e viktimes! Natyrisht nje pyetje kerkon pergjigje, te cilen mjerisht duket se do ta marre me vete viktima. Kush e eleminoi Shoferin e familjes mafioze Xhafaj?? Habilajt, per gjemben qe u beri Goni/Gerondi dhe vella Fatziu minister? apo kjo vrasje mafioze ka lidhje me ngarkesen e narkoeurove te Taulant Yaris/Gjura/Hoxha/Jashari???

Sali Berisha

Ora 12:46
Burime për Report Tv: Gardisti ishte pezulluar/ Ministria e Brendshme e mohon

Burime për Report Tv pohojnë se 31-vjeçari Shkëlzen Qordja që u gjet i vdekur sot në garazh, dy ditë më parë ishte pezulluar nga detyra, ndërsa armën nuk e kishte dorëzuar. Por Ministria e Brendshme e mohon një lajm të tillë duke konfirmuar se Shkëlzen Qordja ka qenë në detyrë.