Protesta e banorëve të "Unazës së Re" përpara Parlamentit, ka degjeneruar në dhunë. Zv/ drejtori i Rendit, Dhimitraq Ziu, 14 efektivë policie dhe 3 qytetarë janë plagosur, për pasojë të përplasjeve të vazhdueshme të banorëve të 'Unazës së Re' me efektivët e Policisë. Në protestë, e cila zgjati mbi dy orë, morën pjesë rreth 300 persona, midis të cilëve ishin edhe deputetë të Partisë Demokratike e ish-trupoja e ish kryeministrit Sali Berisha, Sali Lushaj. Për pjesëmarrje dhe nxitje të protestës së agravuar përpara Kuvendit, janë arrestuar 25 protestues.

Ndonëse qeveria njoftoi se banesat do të prishen vetëm pasi të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave për shpronësimet, banorët e “Unazës së Re”  janë shfaqur ende të revoltuar. Sipas gazetarit të Report TVbanorët kanë hedhur shashka e kapsolla, si dhe janë dëgjuar përgjatë gjithë kohës duke thërritur: "Duam shtëpitë tona", ndërkohë që, përkrah tyre është vënë re edhe prania e fëmijëve. Ata janë dëgjuar gjithashtu të shprehen: "Do i mbrojme shtepitë me gjak', 'Erion hajde këtu', 'Edvin hajde këtu".  "Pas 'Unazës së Re' e ka radhën Shkoza e Paskuqani. Jemi një, nuk tërhiqemi. Duam shtëpitë tona", ka thënë njëri prej tyre. Ndonëse Policia vendosi si masë sigurie kordone, këto të fundit u shkatërruan nga përplasjet e vazhdueshme. 

Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama theksoi se do të dëmshpërblehen vetëm banesat me leje, por banorët kundërshtojnë duke deklaruar se janë në proces legalizimi. Kjo nuk është hera e parë që banorët e 'Unazës së Re' protestojnë përpara një organi të lartë. Më 15 nëntor, ata protestuan edhe para Bashkisë së Tiranës. Duke hedhur tymuese dhe bomba molotov, ata u përplasën edhe me policinë bashkiake, nga ku mbetën të lënduar 7 efektivë. Sot është dita e 18 e protestës së tyre kundër projektit të “Unazës së Re”, që parashikon prishjen e banesave të tyre.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:01
Reagimet e politikës shqiptare për protestën e banorëve të Unazës së Re para Parlamentit

Reagimet e politikës shqiptare për protestën e banorëve Unazës së Re para Parlamentit

Ora 19:02
Protesta përpara Parlamentit
Ora 15:03
Dhunuan 13 policë, 11 të arrestuar nga protesta e dhunshme para Kuvendit (Emrat)

Shërbimet e Policisë Tiranë kanë arrestuar në flagrancë 11 shtetas, të cilët kanë qenë pjesëmarrës dhe nxitës të protestës së agravuar përpara Kuvendit. 

11 të arrestuarit  për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike” si dhe “Goditja për shkak të detyrës” janë: 

- Alban Ahmetcenaj, 36 vjeç;
- P. A., 17 vjeç;
- Fluturim Goleci, 30 vjeç;
- Rruzhdi Daci, 53 vjeç;
- Marsel Villari, 28 vjeç;
- Erjona Dozhani, 30 vjeç;
- Lulzim Dozhani, 45 vjeç;
- Dorjan Protoduari, 30 vjeç (i shpallur më parë në kërkim për veprën penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime dhe në manifestime të paligjshme”)
- Ali Nalic, 35 vjeç;
- Amarildo Sinanaj, 30 vjeç;
- Shpati Bilbili, 31 vjeç.

Njëkohësisht vijon puna për identifikimin dhe shoqërimin e personave të tjerë, të cilët gjatë protestës kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, si dhe kanë nxitur protestuesit për veprime të dhunshme.

Ora 15:00
ME VIDEO/ Ja momenti kur protestuesi godet në kokë policin

Përgjatë protestës së agravuar, janë regjistruar edhe raste flagrante ku qytetarët shihen teksa sulmojnë efektivët e policisë. Report Tv ka siguruar pamjet filmike të përplasjeve të vazhdueshme të protestueve të ‘Unazës së Re’ me forcat policore, nën kërkesën për t'u dëmshpërblyer për banesat që do të preken nga projekti i 'Unazës së Re'. 

Në fillim të sekuencave filmike shihet konkretisht një qytetar i cili godet mbi kokë një efektiv të policisë, ndërkohë që ky i fundit po arrestonte një nga protestuesit. Përgjatë këtij momenti, dëgjohet mjaft qartë sesi një qytetar tjetër e aprovon veprimin e tij, duke u shprehur banalisht. 

Ora 13:18
Momentet e përplasjes te protesta për ndërtimet te Unaza e Re

Përplasje të ashpra shoqëruan protestën përpara Parlamentit. Banorët e 'Unazës së re" përleshen me policinë. Shashka, shkopinj dhe goditje ndaj uniformave blu. Report Tv sjell pamjet nga momentet e tensionit.

Ora 13:16
Dhuna në protestë para Kuvendit, prokuroria dhe policia nisin hetimet

Një grup pune i prokurorisë së Tiranës ka mbërritur në spitalin Ushtarak për të hetuar në lidhje me policët e dëmtuar dhe të goditur. Prokuroria në bashkëpunim me policinë kanë nisur hetimet për ngjarjen.

Ora 13:00
Protestuesi merret nga 'Trauma' dhe shoqërohet në Komisariat, Balliu tenton të ndalojë policët

Një banor i 'Unazës së Re', i cili ka qenë i pranishëm në protestën që u zhvillua sot përpara Kuvendit, është shoqëruar në komisariatin e Policisë nga Spitali i Traumës. I pranishëm për të vizituar të ëmën, 'pre' e përplasjeve të agravuara të protestës, Dorjan Protoduari ka reaguar ndaj forcave policore edhe në ambientet e Spitalit të Traumës. 

Kësisoj, forcat policore i kanë vendosur prangat protestuesit, për ta shoqëruar në Polici. Gjatë këtij momenti, deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, tentoi që Protoduari të mos merrej nga efektivët e policisë. Madje, Partia Demokratike e ka publikuar momentin e arrestimit në llogarinë e saj në rrjetin social "Facebook", ku duket edhe casti kur Balliu prek fizikisht një nga efektivët e policisë.

Ora 12:59
Momentet kur arrestohet një nga protestuesit, 'lum' sharjesh ndaj policëve
Ora 12:57
Lleshaj viziton efektivët e lënduar nga protesta: Dhuna e patolerueshme
Ora 12:55
Protesta para Kuvendit/ 13 policë të plagosur, një efektive humbi dy gishta, tjetri dëgjimin (VIDEO)

Nga protesta e dhunshme e banorëve të Unazës së Re sot paradite para Kuvendit u lënduan 13 efektivë policie dhe 3 qytetarë. Report Tv mëson se njëra nga efektivet e lënduara, Ina Nuka ka humbur dy gishtat e dorës si pasojë e hedhjes së kapsollave nga protestuesit. Report Tv ka siguruar momentin kur efektivja e policisë humb gishtat.

Momenti kur efektivja lëndohet nga kapsolla duke humbur 2 gishta

E plagosura është dërguar në spitalin e Traumës dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë që një polic tjetër ka humbur dëgjimin nga njëri vesh, pasi kapsolla e ka kapur në pjesën e qafës. I plagosur nga protesta mbeti edhe zv/ drejtori i policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu. Të plagosurit u vizituan në spital edhe nga ministri i ri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

Ora 11:55
Balliu: Opozita është këtu, Rama të dalë dhe t'iu japë përgjigje banorëve

Deputeti demokrat, Klevis Balliu ka folur nga protesta e agravuar e banorëve të 'Unazës së Re', që po zhvillohet përpara Kuvendit. Ai u shpreh se parlamenti gjendet në të vërtetë midis njerëzve dhe jo brenda Kuvendit. Balliu iu drejtua kryeministrit Edi Rama, duke thënë që të marrë guximin e të dalë për t'iu përgjigjur qytetarëve ndaj projektit që pritet të prekë edhe shtëpitë e tyre.

Këto qytetarë po protestojnë për një përgjigje, për të mbrojtur pronën e tyre. Kjo parti rri vetëm në Kuvend, nuk do as qytetaret e asnjë. Ai parlament përfaqeson sovranin, që sot ndodhet këtu.Ajo sallë është kthyer në sallën e banditëve. Ky është parlamenti, le të vijnë këtu të japin përgjigje, Kërkonin vota i morën, tani le të japin përgjigje. Këta policië, këta uniforma janë të shtetit. Merruni me qytetarët,  Rama të merret me tullat e qytetarevë shqiptarë e jo me të atyre banditëve që i ka shokë.

Klevis Balliu, deputet i Partisë Demokratike

Balliu vijoi më tej, duke thënë se qeveria duhet t'i japë një përgjigje banorëve të 'Unazës së Re' pasi ia kërkon ligji e Kushtetuta.

Ora 11:45
Përsëri tensione te protesta për Unazën e Re, tymuese blu dhe përplasje me policinë (FOTO)
Ora 11:37
Dhuna në protestë, banorët e Unazës së Re godasin edhe një efektive (VIDEO)

Nga protesta para kuvendit janë plagosur 6 policë, mes tyre edhe një efektive. Report Tv ka siguruar pamjet e momentit kur policja e plagosur largohet me shpejtësi nga kolegët nga tubimi për në spital për të marrë ndihmë. Zv/ drejtori i policisë dhe efektivët e plagosur u qëlluan me shkopinj dhe sende të forta nga protestuesit e Unazës së Re.

Ora 11:30
Protesta para Kuvendit, policia: Janë lënduar 6 efektivë, opozita të distancohet nga dhuna

Policia e Shtetit deklaron se gjatë protestës që përshkallëzoi në akte dhune ndaj forcave të rendit, përballë godinës së sallave plenare të Kuvendit të Shqipërisë janë plagosur krahas zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, 6 efektivë.

Efektivët janë lënduar me mjete të forta dhe piroteknike, ndërsa më pas janë dërguar në spitalin e Traumës për ndihmë të specializuar mjekësore. Një ndër to raportohet se ka dëmtime të rënda në krah.

Policia e Shtetit u bën thirrje protestuesve dhe përfaqësuesve politikë për distancim nga dhuna dhe goditjet ndaj punonjësve të rendit.

Ora 11:23
Shkon në tre numri i policëve të lënduar nga protestuesit

Nga tensioni dhe përplasja në protestën para Kuvendit ka shkuar në tre numri i efektivëve të policisë që janë lënduar. Përveç zv/ drejtorit të policisë së Tiranës, Ziu janë lënduar edhe dy efektivë të tjerë nga hedhja e shkopinjve dhe flakadantëve.

Ora 11:18
Ish-truproja i Berishës, Sali Lushaj në protestën e ‘Unazës së Re’ para Kuvendit

Përpos deputetëve të opozitës sot në protestën para Kuvendit në mbështetje të banorëve të Unazës së Re ndodhen edhe simpatizantë të Partisë Demokratike, mes tyre Sali Lushaj, ish-truproja i Sali Berishës. Babai i reperit të njohur si Stresi, ose Arkimed Lushaj, Sali Lushaj është fiksuar nga kamerat në mes të turmës së protestuesve para parlamentit.

Sali Lushaj në protestë

Përveç Sali Lushajt, mes të pranishmëve dhe organizatorëve të protestës kanë qenë aty edhe persona të dyshimtë. Ndërkohë edhe në protestat e dhunshme para Bashkisë së Tiranës pak ditë më parë ishin të pranishëm ish-efektivët e Gardës në 21 janar që qëlluan në drejtim të qytetarëve. Të njohur si “Grupi i zjarrit” në 21 janar kur ministër i Brendshëm ishte pikërisht Lulzim Basha që aktualisht drejton PD, ata ishin thirrur për organizimin e protestave.

Ora 11:11
Deputetët e opozitës në protestën e banorëve të Unazës së Re para Kuvendit

Protestuesit e Unazës së Re mbështeten në tubimin para parlamentit nga deputetët e Partisë Demokratike. Të pranishëm shihen Ervin Salianji, Luçiano Boçi, Endri Hasa dhe Luan Baçi.

Ora 11:10
Shoqërohen disa nga protestuesit që goditën me sende të forta policët (VIDEO)

Shoqërohen disa nga protestuesit që goditën me sende të forta policët

Ora 11:03
Protestuesit godasin zv/ drejtorin e policisë së Tiranës (VIDEO)

Nga tensioni dhe përplasja e banorëve të Unazës së Re me policinë para Kuvendit mbeti i lënduar edhe zv/ drejtori i Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu, i cili është goditur në fytyrë. Tensioni ka zgjatur për disa minuta, pasi banorët tentuan që të futen në Kuvend.

Zv/ drejtori i Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu i lënduar në fytyrë nga protesutesit
Ora 10:56
Tensionohet situata te protesta, Banorëve të Unazës së Re përplasen me policinë

Është tensionuar protesta e banorëve të Astirit para Parlamentit. Banorët janë përplasur me forcat e rendit dhe kanë tentuar të hyjnë në ambientet e brendshme të Kuvendit.