POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Xhanfise Keko,Zonja e madhe e filmit
shqiptar, “Qytetare Nderi” e Beratit

BERAT - Pas Gjirokastrës, qytetit të lindjes, është Berati, qyteti ku realizoi një prej filmave më të suksesshëm të saj dhe kinemasë shqiptare, që i ka  akorduar   regjisores Xhanfise Keko me titullin , “Qytetare Nderi”.

Ilir Butka, drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, pak ditë më parë i dërgoi Kryetarit të Bashkisë, Fadil Nasufi  dhe Këshillit Bashkiak të Beratit propozimin e institucionit që përfaqëson për të nderuar një prej figurave më të respektuara të kinematografisë shqiptare në 85 vjetorin e lindjes, regjisoren Xhanfise Keko, Artiste e Popullit, një emër ky po kaq i respektuar edhe në qytetin ku ajo realizoi filmin “Tomka dhe shokët e tij”. Dhe, përgjigja nuk vonoi.

Duke vlerësuar kontributin e madh në zhvillimin e artit kinematografik, dashurinë e madhe për fëmijët dhe filmin, personalitetin e shquar dhe me vlera të jashtëzakonshme në kulturën kombëtare shqiptare, Këshilli Bashkiak vendosi t’i akordojë “zonjës së madhe të filmit shqiptar” siç njihet Xhanfise Keko, titullin “Qytetare Nderi” e Beratit.

Xhanfise KekoKryetari i Bashkisë së qytetit të Beratit , Fadi Nasufi i tha ATSH-së se, “Këshilli Bashkiak ka miratuar me unaniminitet,  titullin Qytetare Nderi e qytetit të Beratit , për Zonjën Xhanfise Keko ,  “Për kontributin e saj të vyer në kinematografi si dhë për pasqyrimin në kinematografinë shqiptare të vlerave unikale të qytetit të Beratit”, një qytet muze me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera,dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij.

Në këtë kuadër , vijoi kryetari i Bashkisë, në fund të muajit nëntor dnë Berat do të organizohen një seri aktivitetesh në nderim të artistes së madhe shqiptare, si shfaqja e  filmit “Tomka dhe shokët e tij”, versioni i  restauruar i filmit , në  një ceremoni të veçantë ku do të jenë të pranishëm  aktorët e këtij filmi të jashtëzakonshëm për nga vlerat artistike dhe historike që prezanton,  ndërsa do t’ju dorëzohet  titullli  i lartë familjarëve të regjisores e cila bëri epokë në kinematografinë shqiptare duke lënë një thesar të vyer ndër breza, në mënyrën e të konceptuarit dhe të realizuarit regji, sidomos me fëmijët, një gjini filmi kjo shumë pak e lëvruar në Shqipëri, Në këtë sens Xhanfise Keko, ka qënë dhe mbetet , një figurë e spikatur në krijimin e një shkolle të kinemasë shqiptare , e munguar tash për tash.

Filmi i njohur i regjisores Xhanfise Keko “Tomka dhe shokët e tij”  do të shfaqet me këtë rast në qytetin ‘e një mbi një dritareve’, pas restaurimit në laboratorin e Qendrës së Konservimit të Pasurive Audiovisuale pranë Bibliotekës së Kongresit Amerikan (LOC Audiovisual Conservation Center).  Stafi i specializuar teknik i laboratorit të LOC vuri në dispozicion kohën, profesionalizmin dhe fondet për këtë projekt, si pjesë e programit të tyre të diplomacisë ndërkombëtare për të ndihmuar arkivat në rrezik në  të gjithë botën. Filmi u prodhua në një kopje të  35 mm, pozitiv, bardhë e zi, me titra në anglisht. Në këtë mënyrë filmi ka mundësinë të shfaqet në të gjitha mënyrat e projeksionit, qofshin këto arkivale apo dixhitale si dhe të arrijë një audiencë të gjerë ndërkombëtare.

Gjithsesi , edhe se kanë kaluar shumë vite nga koha kur ajo krijoi, Xhanfise Keko, themeluesja dhe mjeshtrja më e madhe e filmit shqiptar për fëmijë, lindur në Gjirokastër më 4 janar 1929 dhe ndarë nga jeta në Tiranë më 22 dhjetor 2007, ka mbetur në memorien e shqiptarëve (e para kineaste femër në Shqipëri dhe një nga shtatë krijuesit e parë të Kinostudios “Shqipëria e Re”) si artistja që u ka lënë trashëgim brezave 11 filma artistikë kushtuar  botës së fëmijëve dhe ku fëmijët janë kryefjala e tyre.

Xhanfise KekoTitujt e filmave “Kryengritje në pallat”, “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Beni ecën vetë”, “Tingujt e luftës”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Partizani i vogël Velo”, “Kur xhirohej një film”, “Një vonesë e vogël” dhe “Taulanti kërkon një motër” na lidhin të gjithëve pazgjidhmërisht me një emër të njohur si dhe me vlerësimet e regjisores në vite, brenda e jashtë Shqipërisë.

Kujtojmë se brenda Shqipërisë, regjisorja Xhanfise Keko është vlerësuar deri më sot me titujt më të lartë të nderit dhe citimin e disa prej personaliteteve të kinemasë shqiptare për këtë regjisore.

Jashtë Shqipërisë, pasi u përmend për herë të parë në festivalin ndërkombëtar të filmit në Giffoni (Itali) në vitin 1976 nga Claudio Gubitosi, drejtor artistik i këtij festivali, emri i saj në fund të viteve ’90 do të ishte një nga më të njohurit ndërkombëtarisht të kinemasë shqiptare për shkak të prezantimeve e vlerësimeve në kompeticione ndërkombëtare filmi. Më pas, koha bëri të vetën. Por, jo përfundimisht.

Prej disa vitesh, studiues dhe kritikë të kinemasë nga vende të ndryshme të botës, i janë rikthyer krijimtarisë së regjisores shqiptare që, duket është me interes për ta.
Regina Longo – drejtore themeluese e projektit të kinemasë shqiptare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Thomas Logoreci – regjisor dhe kritik filmi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mark Cousins – regjisor dhe kritik filmi nga Britania e Madhe, Ben Gibson – producent, drejtor i “London film schol” nga Britania e Madhe, janë disa nga emrat që mund të përmenden me këtë rast.

Të veçantë, interesantë, të thjeshtë, mbresëlënës, jashtë kornizave të kohës, sfidues të kohës, pikëhyrje për në këtë botë, origjinalë, të shkëlqyer, janë  disa nga përcaktimet e tyre për filmat e regjisores Xhanfise Keko.

Pas analizës së gjatë të të gjithë krijimtarisë së saj, botuar në revistën “The Journal of Cinema and Media” (Volume 54 / Issue 1 / Article 3 / Spring 2013) me titull “Të ndarë në dy nivele: Xhanfise Keko dhe Filmi Shqiptar për fëmijë”, shkruar nga studiuesi amerikan i filmit, Bruce Williams, ndër të tjera, një njohës mjaft i thellë edhe i kinemasë shqiptare dhe shkrimit vlerësues të kritikut irlandez të filmit Mark Cousins me titull “Terra Incognita”, botuar në revistën prestigjioze britanike “Sight & Sound” (Volume 23 / Issue 1 / January 2013), është radha e filmit “Tomka dhe shokët e tij” të marrë vlerësimet maksimale të kritikës së huaj.

tomka dhe shoket e tij
(Në foto: Pjesë skenike nga filmi "Tomka dhe shokët e tij")

I përzgjedhur nga Mark Cousins për të qenë pjesë e dokumentarit të gjatë “A Story of Children and Film” bashkë me filmin “Qyteti më i ri në botë ”, filmi “Tomka dhe shokët e tij” do të kishte një fat të veçantë në raport me filmat e tjerë të kësaj regjisoreje. Ai do të përzgjidhej nga Regina Longo të restaurohej në USA në Laboratorin Audivizual të Librarisë së Kongresit Amerikan si dhe nga Mark Cousins të ishte pjesë e projektit “The Cinema of Childhood” mes 17 filmave nga e gjithë bota.

I prezantuar fillimisht në  Institutin Britanik të Filmit nga Ben Gibson – producent, drejtor i “London film schol” nga Britania e Madhe, filmi “Tomka dhe shokët e tij” në vazhdim është shfaqur gjatë këtij viti në 19 qytete të  Britanisë së Madhe dhe ku është pritur mjaft mirë nga spektatorët dhe kritika për nivelin artistik.
Vitin e ardhshëm, ky film, përveç prezencave në Europë, do të nisë udhëtimin edhe përtej oqeanit, fillimisht në USA e më pas në Kanada.

Regjisorë shqiptarë janë shprehur për Xhanfise Kekon : 
VIKTOR GJIKA, regjisor – Xhanfise Keko është nga regjisoret e veçanta në botë pasi ajo ja përkushtoi veten filmit për fëmijë dhe arriti të bëhet regjisore e shquar e këtyre filmave. Ajo kishte një dashuri të çuditëshme, të jashtëzakonëshme për fëmijët dhe, këtu mendoj se është dhe çelësi i suksesit të filmave të saj…

ALBERT MINGA, regjisor – Suksesi i filmave të Xhanfise Kekos, ndër të tjera, qëndron edhe në faktin se ajo diti të zgjidhë dy probleme të vështira regjisoriale që hasen shpesh në filmat për fëmijë. E para, organicitetin dhe vërtetësinë e natyrës së fëmijëve dhe e dyta, sinkronizimin e interpretimit të fëmijëve me atë të aktorëve të rritur.

PIRO MILKANI, regjisor    – Xhanfise Keko mbetet nga krijueset më eminente dhe më të rëndësishme në historinë e kinematografisë shqiptare me filmat e saj të cilat edhe sot, mbas shumë vitesh që janë krijuar, janë ndër më të çfaqurit në ekranin e vogël.

SAIMIR KUMBARO, regjisor – Ajo që bie në sy në dhe e bën të veçantë krijimtarinë e regjisores Xhanfise Keko është fakti se filmat e saj ishin të natyrshëm dhe njerëzorë…

PERPARIM KABO, studiues – Xhanfise Keko i përket gjeneratës së njerëzve që e donin atdheun nëpërmjet artit dhe e kishte kuptuar shumë mirë se vetëm një dashuri e tillë mund të mbijetojë e jetojë gjatë gjithë kohrave, pasi ajo është më e sinqerta.

KUJTIM ÇASHKU, regjisor – Duke kthyer kokën pas, vë re se Xhanfise Keko e cila ju përkushtua me pasion botës së fëmijëve, ka lënë një vakum e boshllëk të madh të madh në shoqërinë shqiptare dhe ne kemi dekada që nuk zëvendësojmë dot një njeri që humb. Rasti i kësaj artiste të ekranit, tregon se në çnivel është shoqëria jonë për të vlerësuar kapacitetet që ajo nxjerr nga vetja e saj.

BARDHYL LONDO, poet – Do të ishte ëndërr e çdo krijuesi që veprën e tij, edhe pa ia lexuar emrin në kopertinën e librit, titrat e filmit apo poshtë tablosë, artdashësi ta kuptonte menjëherë se kujt i përket. Kjo, pa dyshim, ndodh me veprat e artistëve që kanë hyrë në radhën e atyre autorëve për të cilët diskutohet gjerësisht. Në të njejtën kohë kjo tregon jo vetëm për një autor të talentuar, por edhe për një individualitet e personalitet artistik, një prej të cilëve është padyshim dhe regjisorja Xhanfise Keko.

Studiues të huaj janë shprehur për regjisoren Xhanfise Keko
REGINA LONGO, drejtore themeluese e Projektit të Kinemasë Shqiptare (USA) – Nëse është e vërtetë një fjalë e mençur se për ata që kanë përjetuar trauma emocionale dhe fizike duhet dyfishi i kohës për ta rimarrë veten, atëherë procesi i shërimit të Shqipërisë sapo ka nisur rrugëtimin e tij. Filmat e Xhanfise Kekos shërbejnë si një pikë hyrje për në këtë botë. Shqipëria është një nga shumë vende që kanë kaluar një histori të censurës së artit, politikës dhe kulturës. E kaluara e saj kinematografike na ofron një mënyrë për të parë dhe dëgjuar në mënyrë që të mësojmë dhe të kuptojmë. Si dhe për të parë mënyrat me të cilat, ata që i realizuan ato filma dhe që punonin në kushte të kontrolluara, pavarësisht rregullave të ashpra dhe censorëve, arritën të gjenin rrugën për të ndarë me ne histori që përmbanin përbërës njerëzorë si dhe për të bërë filma që nuk ishin thjesht rezultatet e punës së tyre për Partinë. Historia na ndjek e na vjen pas, gjithmonë, por ajo nuk duhet të mbetet thjesht një pasqyrë.

BEN GIBSON, drejtor i Shkollës së Filmit në Londër (MB) – Në qershor të vitit 2014, pata mundësinë e jashtëzakonshme të moderoja si shfaqjen edhe diskutimin e versionit të restauruar të filmit “Tomka dhe shokët e tij” tek Instituti Britanik i Filmit në bregun perëndimor. Natyrisht që unë kam qenë në dijeni të ekzistencës së këtyre filmave shqiptarë për fëmijë. Kisha parë t’i citonte Mark Cousins​​ dhe Kujtim Çashku më kishte folur për një regjisore të jashtëzakonshme, e vetmja regjisore femër e qendrës së industrisë shqiptare të filmit, Xhanfise Keko, e njohur nga gjithkush thjesht si “Auntie” (teta). Shfaqja e këtij filmi të shkëlqyer përpara një audience aq entuziaste solli, për mua, një prezantim sa jetësor të historisë moderne të Shqipërisë dhe të rrymave të nëndheshme, aq dhe të famshme e të papërmbajtura, të kinemasë “zyrtare” shqiptare. Unë mbetem në pritje të restaurimeve të punëve të tjera të Xhanfise Kekos në të ardhmen. Në një farë mënyre të gjithë filmat për fëmijë e thjeshtojnë botën deri në ekzistencë. Filmat e saj krijojnë një estetikë të tërë, vetëm për faktin se i trajtojnë fëmijët me seriozitet. Së fundi, origjinaliteti i pamatshëm i veprës së saj do të bëhet i njohur edhe jashtë Shqipërisë dhe Xhanfise Keko e meriton me të madhe këtë vëmendje.

MARK COUSINS, regjisor filmi, kritik filmi (MB) – Në Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit në Shqipëri gjenden gjithashtu filmat e regjisores së madhe Xhanfise Keko. Ajo nuk është përmendur në zakonisht të besueshmen revistë të Annette Kuhn-it “The Woman’s Companion to International
Film” (Shoqëruesi i gruas te filmat ndërkombëtarë), por njëra nga rrugët kryesore të Tiranës mban emrin e saj. Shkova në një dyqan dhe bleva DVD-të e disa prej 25 filmave të saj dhe duke i parë ato të pa përkthyera (pa titra), e kuptoj pse ajo është kaq e famshme në Shqipëri. Xhanfise Keko është një regjisore e madhe. Ky arkiv përmban thesare të vyera që duhen ndarë me të tjerët. DVD-ja e filmit “Tomka dhe shokët e tij” është me të vërtetë një krijim mjaft i mirë, kështu që vras mendjen se çfarë na ka penguar që ta shohim e ta shijojmë për më shumë se 40 vjet? Natyrisht që mendësia vetizoluese e Hoxhës, por edhe mospërkthimi i filmit me titra, si dhe mungesa e interesit të vërtetë të të huajve për këtë tokë të panjohur e të pazbuluar.

THOMAS LOGORECI, regjisor filmi, kritik filmi (USA) – Kam parë mjaft filma shqiptarë të epokës së Enver Hoxhës dhe kam kuptuar se, politika e tij ishte që ta zhdukte termin perendimor “formalizëm”. Me fjalë të tjera, çdo gjë që fliste për stil. Ajo që të mahnit në rastin e regjisores Xhanfise Keko është se, duke përfituar nga fakti që filmat e saj shteti i konsideronte “filma për fëmijë”, ajo mundi t’u shpëtonte gjërave që regjisorët e tjerë nuk mundën. Në një intervistë kur fliste për Amerikën e viteve 50, Martin Skorceze gjen një emër për regjisorët si Xhanfise Keko që ju rrëshqisnin rregullave dhe i quante “kontrabandistë” pasi me mënyrën e tyre në veprat e tyre ata fusnin kontrabandë gjëra që i rrëshqisnin sistemit.  Edhe Xhanfise Keko, falë atyre fëmijëve futi shqetësimet e veta në film dhe u mor me çështje me të cilat regjisorët e tjerë nuk ishin në gjendje të merreshin. Kështu pra, parimet morale të Amerikës së viteve 50 ishin njëlloj me ato të Shqipërisë së viteve 70 dhe regjisorëve u duhej të mësonin si t’i kapërcenin këto parime. Si përfundim, mund të them se, magjia që krijohet në këta filma vjen sepse mbrapa kameras është dikush që krijon mirëbesim. Sado që nuk e njoh shqipen, kam parë të gjithë filmat e saj. Që nga dokumentarët deri tek filmat artistikë shikon se si rritet kjo artiste, si zbulon gjëra dhe si bashkëpunon me operatorët, piktorët, kompozitorët, aktorët. Shikon dikë që ka hyrë në një proces që po kupton çfarë është kinemaja. Kjo është interesante në veprën e një artisti kur shikon progresin dhe zhvillimin./ATSH/
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)