21 janari 1920 në Kongresin e Lushnjës shënjoi ditën e parë të parlamentarizmit në Shqipëri.
Në kuadër të kësaj dite të shënuar për vendin, Presidenti i vendit Bajram Begaj përcolli mesazhin se Kongresi është një ngjarje më rëndësi për vendin pasi shpëtoi vendin nga copëtimi dhe vëllavrasja.
'105 vjet nga Kongresi i Lushnjes, i vetmi autoritet i Shqipërisë me fuqi sovrane, që vetëvendosi aktin themeltar të shtetit duke e shpëtuar vendin nga copëtimi dhe vëllavrasja', shkruan ai në një postim në rrjetet sociale.
Ndërkohë, nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili hapi dyert e seancave plenare, jo për deputetët, por për të kujtuar ngjarjen që shënoi nisjen e parlamentarizmit, kryeparlamentarja Elisa Spiropali tha se dy nga objektivat e Kuvendit janë reforma në drejtësi dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian.
‘105 vjetori i parlamentarizmit shqiptar është mesazh për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat dhe kontributin tonë në konsolidimin e institucioneve dhe vlerave demokratike. Për të inkurajuar kulturën politike që promovon dialogun dhe respektin për diversitetin e ideve dhe alternativave. Kuvendi i Shqipërisë është një institucion që përfaqëson vullnetin e popullit një shtyll e sistemit demokratik pavarësisht debateve që shihni shpesh këtu në kuvend. Reforma në sistemin e drejtësisë dhe anëtarësimi në BE janë dy objektiva të rëndësishme për kuvendin për të konsoliduar demokracinë dhe për të fuqizuar institucionet. Për ne Bashkimi Europian, Europa nuk është një nga zgjedhjet, për ne është e vetmja zgjedhje’, tha ajo.
Kryeparlamentraja Spiropali vlerësoi kontributin e Kongresit të Lushnjës në fillesat e parlamentarizmit në Shqipëri. Ajo tha se Kongresi i Lushnjës vendosi gurët e themelit të parlamentarizmit shqiptar.
“Në më pak se një dekadë pas shpalljes së Pavarësisë, Kongresi i Lushnjës shënoi një moment historik për popullin shqiptar, hodhi hapat e parë drejt një shteti të organizuar. Parlamentarizmi kurorëzoi e jetësoi përpjekjet e popullit shqiptar për të ndërtuar një shtet të bazuar në drejtësi, liri dhe barazi”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi po ashtu se parlamentarizmi ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e institucioneve dhe konsolidimin e parimeve, vlerave e standardeve demokratike.
“Kongresi i Lushnjës rrëzoi në sytë e fuqive të mëdha paragjykimin dhe stigmën mbi paaftësinë e shqiptarëve për t’u bashkuar, për të marrë vendime kombëtare, për të bërë shtet e ndërtuar institucione qeverisëse. Se si të tillë nuk e meritonin shtetin e tyre të pavarur. Kongresi i Lushnjës e shkallmoi përfundimisht këtë sfidë. Rizgjedhja e Këshillit Kombëtar me atributet e parlamentit ishte ndër vendimet më të rëndësishme të Kongresit të Lushnjës. Vendimi për krijimin e trupës legjislative, e para pas shpalljes së pavarësisë ishte fillesa e parlamentarizmit shqiptar. Nga Lushnja nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur parlamentare e republikane”, tha Spiropali.
Presidenti Bajram Begaj kujtoi sot 105-vjetorin e Kongresit të Lushnjës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai e cilëson kongresin si një ngjarje me rëndësi, që ka shpëtuar vendin nga copëtimi dhe vëllavrasja.
'Sot, 105 vjet nga Kongresi i Lushnjes, i vetmi autoritet i Shqipërisë me fuqi sovrane, që vetëvendosi aktin themeltar të shtetit duke e shpëtuar vendin nga copëtimi dhe vëllavrasja. Më 21 janar të 1920-ës, patriotët shqiptarë u mblodhën në Lushnje për të ringjallur pavarësinë e vendit, për të mbrojtur ëndrrën dhe sakrificën e Kuvendit të Vlorës. Ata sfiduan çdo rrezik, dëshmuan vullnet të epërm në mbrojtje të tokave shqiptare dhe lirisë përballë forcave antikombëtare e atyre pushtuese. Shqipëria është ngritur dhe mbrojtur nga njerëz të tillë, nga akte dhe vlera të tilla të larta. Shqiptarët do t’i kujtojnë përjetë me nderim të thellë ata', shkruan ai.