Pas 108 ditësh qëndrese përpara kryeministrisë, Adriatik Lapaj vendosi të mbyllë protestën që nisi më 8 dhjetor 2025 në fund të këtij muaji. I ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’ Lapaj paralajmëroi një protestë tjetër gjatë kësaj jave para Kryeministrisë.

Ndërkohë, gjatë 108 ditëve qëndresë, kreu i "Shqipëria Bëhet" tha se është proceduar 6 herë, duke cilësuar se kjo ishte një përndjekje e qartë nga shteti dhe një gjë të turpshme për Policinë e Shtetit.

 “Unë nuk jam dorëzuar, protesta do të vazhdojë para kryeministrisë edhe në çdo cep të atdheut. Është një betejë e përditëshme. Në rrugëtimin tim është vendimi më i saktë që kam marrë për atë protestë, së pari i provova vetes një qëndrueshmëri, organizuam në 108 ditë mbi 60 forume qytetare dhe 5 protesta të mëdha. Në tre muaj rezulton të jenë proceduar 31 aktivistë, unë jam proceduar 6 herë dhe kjo është rekord i turpshëm për Policinë e Shtetit, për një total për 14 vepra penale që po rrëzohen dita ditës në Prokurori. Ka qenë një përndjekje e hapur nga pushteti”, tha Lapaj.

E ftuar në studio ishte edhe gazetarja Raziela Myslimaj e cila shprehu keqardhje që protesta nuk u përkrah mjaftueshëm nga qytetarët.

“Mua më vjen keq që protesta nuk u përqafua ashtu si duhej. Ka pasur më shumë frymë se te protestat e Berishës ku ka militantë që shkojnë të detyruar. Kurse aty kanë qenë njerëz të revoltuar. Lapaj e dëmtoi aleanca me Shabanin në zgjedhjet e 11 majit. Më vjen keq se aktivistët e ‘Shqipëria Bëhet’ treguan qëndrueshmëri, por ka munguar besimi te qytetarët” tha Myslymaj.

Nga ana tjetër Lapaj theksoi praninë e qytetarëve në protesat e thirruara, ku nënvizon se kanë qenë rreth 3-4 mijë njerëz. Ai shtoi gjithashtu se popullit i kanë mbetur 2 rrugë për të dalë nga kjo gjendje që ka pushtuar qeverinë ose nënshtrimi ose të luftojmë për të ecur para.

“Ne jetojmë në një realitet që po përjeton i gjithë vendi. Kur shoh gjendjen e shoqërisë sonë për shkak të shumë faktorëve, mendoj se protesta jonë ka mobilizuar sinqeritet. U thirr protesta për naftën dhe në shesh dolën 4 veta. Mirë te kjo e jona nuk i frymëzuam ne, po te kjo që thirrën vetë kush nuk i frymëzoi. Që nga 8 dhjetori ka pasur ditë që gjatë natës ka pasur 3 protestues, por në protestat e tjera kemi pasur 3-4 mijë. Këta qytetarë vijnë vetë jo nga ata që i marrin me autobusë.

Vendi ndodhet një mungesë totale të besimit për të ndryshuar vendin. Gjendja është kjo se këta kanë kapur çdo qelizë të vendit. Na mbeten dy rrugë: një rrugë t'i nënshtrohemi pushtetit dhe e dyta të luftojmë pa u ndalur për një rezultat pa ndalim. Kur ne e nisëm protestën  në 8 dhjetor në Tiranë kishte mbi një vit që nuk kishte protesta. Ne do të vazhdojmë të përballemi, por nuk kemi shkop magjik, duhet të luftojmë”, tha Lapaj.

Për protestën që pritet të mbahet gjatë kësaj jave Lapaj tha se tubimi do të bëhet me logon e partisë.

“Në këtë shoqëri duhet të punoijmë të gjithë nga pak që ta stimulojmë të mirën. Duhet t’i japim zë të mirës. Çdo qytetar duhet të marrë përgjegjësi. Protesta e radhës mund të bëhet që këtë javë. Protesta do të bëhet nën logon e partisë”, shtoi ai.

Sa i përket zgjedhjet vendore në pranverën e 2027-ës, Lapaj nënvizoi nuk ka frikë garën dhe e lë të hapur mundësinë  për të kandiduar.

“Do të mbledhim strukturat dhe do të vijmë me shumë përgjegjshmëri për nevojat që ka vendi. Nuk e kam frikën garën për të kandiduar, e lë të hapur mundësinë. Jam i angazhuar që modestisht t’i japim një mundësi shumë të mirë qytetarëve në vazhdim për zgjedhjet bashkiake në të gjithë vendin. Ndryshimet e mëdha politike ndodhin nga zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet bashkiake lidhen me nevojat e përditëshme. Shqiptarët kanë nevojë për zgjedhje. Ne jemi njerëz shumë seriozë dhe koherentë”, tha ai.

Në fund të intervistës teksa u pyet sërish për protestën Lapaj theksoi se se nuk do t’i bashkohet protestave të thirrura nga PD.

“Protesta që do bëjmë tani lidhet me nevojat e qytetarëve, tha Lapaj duke theksuar se nuk do t’i bashkohet protestave të thirrura nga PD.”

“Nëse Berisha ka vendosur të luftojë i vetëm Ramën le të vazhdojë”, përfundoi ai.