ZENICA, Bosnje Hercegovinë - Afan Cizmic është identifikuar zyrtarisht si 'agjenti' i ri që rrëmbeu shënimet e detajuara të penalltive të Donnarummas gjatë finales së tensionuar të play-off-it kundër Bosnje Hercegovinës. 14-vjeçari (ishte mes fëmijëve që mblidhte topa pas portës), i cili është një yll në ngritje me 18 gola në 12 ndeshje për ekipin e tij të të rinjve, vuri re se portieri i Italisë e kishte fshehur fletën e tij me shënimet për gjuajtësit e Bosnjës pranë peshqirit të tij larg vijës së portës.
Në një moment gjatë gjuajtjes së 11 metërshave, Afan 'vodhi' shënimet ndërsa Donnarumma ishte i shpërqendruar, duke zbuluar më vonë se shënimet përmbanin të dhëna specifike mbi këndet e gjuajtjes dhe lëvizjen e lojtarëve boshnjakë.
Televizioni N1 në Bosnje, gjatë një interviste me të, i premtoi 14-vjeçarit se do t'i siguronin një vend në ndeshjet që bosnjakët do luajnë në Kupën e Botës 2026, si i ftuari i nderit.
Historia e Cizmic
Pas ndeshjes, i riu foli edhe për televizionin boshnjak 'Face TV' dhe dha një rrëfim të drejtpërdrejtë për atë që ndodhi. "E pashë copën e letrës pranë peshqirit dhe menjëherë e kuptova se çfarë ishte. E mora dhe e fsheha", shpjegoi Cizmic. "Brenda ishin të gjitha informacionet në lidhje me lojtarët tanë. Pa atë copë letre, Donnarumma duhej të mbështetej në intuitën e tij." Ai vazhdoi: "Reagimi i Donnarumma-s? Ai ishte shumë i zhgënjyer dhe i zemëruar. E mori peshqirin dhe pa se copa e letrës mungonte; e kërkoi, por nuk e gjeti."
Ajo copë letre do të nxirret në ankand, me të ardhurat që do të shkojnë për bamirësi.
Lajmi kryesor:
'Donnarumma ishte antisportiv, pastaj karma…'! Portieri i Bosnje Hercegovinës rrëfen prapaskenat e penalltive të Zenicas




