'16 shkurti, 'deja vu'/ Çadër e re, halle të vjetra

'16 shkurti, 'deja vu'/ Çadër e re, halle të vjetra

Monika Kryemadhi, Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu

Protesta e 16 shkurtit është protesta që do t’i hapë rrugët e Europës Shqipërisë, është protesta përmes të cilave do të na dyfishohen pagat dhe pensionet, e do të na përgjysmohen çmimet e konsumit. Falë saj do të realizohet reforma në drejtësi, e falë saj do të vendosim gurin e parë të themelit të Shqipërisë Europiane. Një romancë e denjë për librat e fantashkencës, e recituar me përpikmëri përballë qytetarëve në turin rekrutues të Bashës anembanë vendit.

Nuk është hera e parë, që qytetarët e këtij vendi shihen nga PD si një “turmë e pagdhëndur”, e aftë vetëm për të parë ëndrra me sy hapur, e për të gëlltitur sapunin për djathë. Kështu shiheshin edhe kur iu premtua përmirësimi i cilësisë së Diellit apo trami madhështor i Tiranës apo sa e sa rrena të tjera që përfunduan në arkivin e gjatë të mashtrimeve elektorale. Megjithatë, sot pyetja nuk ngrihet mbi premtimet boshe, edhe sepse të gjithë jemi tanimë të “vaksinuar” dhe të imunizuar prej tyre.

Sot, të nesërmen e platformës së opozitës së bashkuar, që kërkon sërish të na rikthejë qeverinë teknike të çadrës, analiza e vërtetë që duhet të bëjmë është se çfarë motivon me të vërtetë protestën e 16 shkurtit. Dhe për të analizuar këtë, duhet ta nisim me një paralelizëm. Çfarë ka të përbashkët kjo protestë me atë të studentëve? Përveç emrit protestë, në fakt asgjë tjetër. Tek studentët, gjëja më e dukshme është një kauzë. E pa dyshim, një kauzë e drejtë dhe legjitime. Kërkesat e tyre prodhuan një rezultat, Paktin për Universitetin, me të cilin shumica dërrmuese e studentëve ranë dakord.

Kërkesa thelbësore e lëvizjes studentore, përgjysmimi i tarafiva u realizua, ndërsa për ato kërkesa që kërkonin më shumë kohë, ekziston një plan i qartë veprimi dhe po punohet ditë pas dite për realizimin e tyre. Nga ana tjetër, një qytetar që do të marrë pjesë në 16 shkurt në protestë, ka shumë gjasë që mos ta dijë përse është aty i pranishëm.

Mund të jetë aty i pranishëm për t’i bërë qejfin vëllait, kunatit apo një shoku, sepse do të ruajë vendin e punës në një bashki të djathtë apo sepse i kanë ofruar lekë apo një copë ndihmë ekonomike, por përtej kësaj, gjasat janë që ai do të sodisë “Dëshmorët e Kombit”, duke dëgjuar zërin e ngjirur të Bashës, pa kuptuar se ç’është duke bërë aty.

Çfarë ka ndodhur? Çfarë kauze të re ka bërë për vete mendjet dhe zemrat e opozitës? E vërteta e vetme është që si Luli ashtu dhe Mona e kanë thirrur këto protestë për shkak të hallit që i ka zënë. Zgjedhjet janë duke u afruar dhe qartazi, të dy ata e dinë që nuk kanë asnjë shans që të dalin mirë. Jo vetëm kaq, por PD dhe LSI vijnë në këto zgjedhje me dijeninë që nuk kanë asnjë shans të fitojnë ndonjë prej bashkive të mëdha në vend që kontrollohen nga socialistët.

Në këto kushte, strategjia e tyre është thelbësisht difensive. Të mbrojnë ato pak bashki të rëndësishme që kanë në dorë, Shkodrën, Lezhën, Kamzën, Vorën apo Pogradecin. Sondazhet parazgjedhore tregojnë se në të gjitha këto njësi administrative, koalicioni PD-LSI jo vetëm që nuk ka asgjë të sigurt, por rrezikon të humbë. Ndërkohë, të njëjtat sondazhe që si Luli ashtu dhe Mona i kanë në dorë dhe i njohin shumë mirë, tregojnë se besueshmëria e shqiptarëve tek të dy ata është në nivelet më të ulta historike.

Vetëm 1 në 4 shqiptarë ka një mendim deri diku të favorshëm për Bashën. Edhe më pak se aq do të besonin tek ai si Kryeministër. Për Kryemadhin, punët janë edhe më keq. As 1 në 8.. Në këto kushte, futja në zgjedhje, për PD-LSI është një skenar i frikshëm. Me një logjikë makiaveliste, e zhveshur nga çdo pikëpamje morale apo sensi demokracie, të dy ata i shtrojnë pyetjen vetes: “Përse të futemi në një betejë, nga e cila do të dalim me kockat e thyera?”.

Ndaj opozita po ndjek të vetmen taktikë që mund t’a faktorizojë, kërcënimet për të bllokuar çdo proces demokratik në vend, çdo reformë, e së bashku me të edhe integrimin. Në 2017-n, për të mos bllokuar pikërisht këto reforma apo hapjen e negociatave, qeveria në fuqi u detyrua të lëshonte pe. Kjo është përsëri kërkesa kryesore e paktit të prezantuar ditën e djeshme të opozitës: Hyrja në zgjedhje me një qeveri teknike, e cila në të vërtetë nuk ishte kurrë teknike.

Ujdia që bëri Basha për të hyrë në zgjedhje në 2017-n nuk solli teknicienë në vend, por i dha “de facto” kontrollin e gjysmës së qeverisë demokratëve për 6 muaj. Në afatgjatë, ajo marrëveshje nuk solli asgjë të mirë për vendin. Në ato 6 muaj, e gjithë qeveria ishte e paralizuar, nga ministritë e demokratëve nuk kalonte asnjë reformë, asnjë nismë, asnjë projekt.

Një skenar i tillë solli përfitime vetëm për opozitën. Në atë gjysmë viti, misioni i vetëm i “teknicienëve” të teseruar ishte të zhvasnin sa më shumë përfitime, të kalonin qoka për miqtë e tyre, të aprovonin tendera abuzivë me sigurinë e plotë se zgjedhjet do të humbeshin, e se ata do të riktheheshin edhe katër vite të tjera në opozitë.

Ndaj, zgjidhja që propozon sot opozita është jo vetëm e papranueshme, por edhe kundërproduktive. Për më tepër, katër pikat bazë që u prezantuan ditën e djeshme janë jo vetëm të paqarta, por edhe kontradiktore. Nëse në të parën shprehet qartësisht kërkesa e “panegociueshme” për një qeveri teknike, në të dytën thuhet se PD e LSI do të japin gjithçka për të shpejtuar procesin e integrimit të vendit.

Si vallë mund të përshpejtohet ky proces, duke gatuar një krizë të re politike në vend, duke prodhuar një qeveri tërësisht jofunksionale dhe të paaftë për t’iu përgjigjur kërkesave të Brukselit? Të gjitha këto të sjellin në një përfundim të vetëm. Kauza e vetme e 16 shkurtit është t’i shpëtojnë hallit që i ka zënë. Basha dhe Kryemadhi, duke pasur të qartë që nuk janë në gjendje të marrin vota, duke mos pasur besueshmëri dhe duke qenë tërësisht të pa organizuar në terren, bëjnë të vetmen gjë që dinë të bëjnë:

Të bllokojnë gjithçka, me shpresën që vetëm kështu mund të faktorizohen politikisht, e duke bërë këtë duan t’i shpëtojnë vullnetit të popullit, duke negociuar një marrëveshje tavoline. Njësoj sikur në një ndeshje futbolli, të cilën e di që do ta humbësh thellë, të pranosh mos dalësh në fushë, duke negociuar një humbje më të pranueshme në tavolinë. Nga ana tjetër, justifikimi për humbjen e pashmangshme është gati. I njëjti justifikim kurrë bajat për ta, zgjedhjet do të vidhen nga paratë e drogës dhe nga oligarkët (për më tepër, të njëjtët oligarkë që deri dje ishin bamirësit më të mëdhenj të qeverisë Berisha).

Ama Dielli nuk mund të mbulohet me shoshë. Arsyeja e vetme e humbjes është që si Basha, ashtu dhe Mona, janë plotësisht të paaftë për të bërë opozitë. E në vend që të ngjallin shpresë, ata ngjallin edhe më shumë frikë tek shqiptarët, frikë për një ditë kur qeveria mund të bjerë me të vërtetë në duart e tyre.

Një shprehje e famshme franceze thotë se “Rrugët e Ferrit janë të shtruar me kalldrëmin e qëllimeve të mira”. Kështu ndodh edhe këtë herë. Rritja e pensioneve, rrogave, ulja e çmimeve, janë vërtet qëllime fisnike, edhe pse tërësisht të parealizueshme as në masën dhe as në mënyrën se si Basha po përpiqet t’i artikulojë këto ditë. Por, e vërteta është se pas këtyre qëllimeve, fshihet një interes shumë më i ngushtë, shumë më djallëzor, marrja e pushtetit pa kaluar tek kutitë e votimit, përmes tavolinës, përmes një logjike të mbrapshtë “8 vjet unë, 8 vjet ti”, e për të tjerat bëjmë sikur duke ngrënë të njëjtën tortë që e ndajmë siç duam vetë!

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hinglateri: 13/02/2019 11:06

    Mendimide ide.Ne cader te mbyllen Monika dhe Luli te mastrubohet jashte saj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen