Prokuroria e Përgjithshme e cila ka bërë këtë kontroll ka bërë publik listën e garuesve dhe faktin se ata plotësojnë kriteret për të qenë pjesë e garës për Këshillin e Lartë të Prokurorisë i cili përbëhet nga 16 anëtarë.
Lista e Prokurorisë së Përgjithshme tashmë i është përcjellë zyrtarisht parlamentit i cili po ashtu nga ana e tij do të verifikoj kandidatët në garë.
Ndërsa pas hyrjes në fuqi të ligjit të Vetting-ut tashmë këta garues do t'i nënshtrohen dhe verifikimeve të imtësishme për pasurinë dhe kontakteve të tyre me botën e krimit apo atë të kushteve profesionale.
Nga kjo listë, në bazë të parashikimeve ligjore, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë fitues do të jenë 6 anëtarë prokurorë, nga të cilët; 1 anëtar nga Prokuroria e Përgjithshme, 2 anëtarë nga Prokuroritë e Apelit; dhe 3 anëtarë nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore. Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të përbëhet nga 11 anëtarë, 5 prej të cilëve do të jenë jashtë strukturës së institucionit të Prokurorisë.
Pesë anëtarët plotësues pritet të vijnë nga Shoqëria Civile dhe Dhomat e Avokatisë.
Mes personave që plotësojnë kriteret për të vazhduar garën për KLP janë dhe disa prokurorë të cilët kanë patur në dorë hetime të konsideruara dosje të nxehta.
Mes tyre është Ramadan Troci me skandalin e Bankës së Shqipërisë, Antoneta Sevdari me skandalin e dosjes së borxheve të CEZ, Adriatik Cama prokurori i cili heton ish deputetin Mark Frroku, Arben Nela zv.drejtues i prokurorisë së Tiranës dhe Gentian Osmani ish kreu i task forcës pranë Krimeve të Rënda.
Komisioni administrativ i Prokurorisë së Përgjithshme për verifikimin e kritereve për prokurorët që kandidojnë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka vlerësuar se të gjithë aplikantët, në total 19, plotësojnë kushtet formale për të kandiduar për pozicionin e anëtarit në këtë strukture të re.
Perzgjedhja nga Komisionin administrativ
Në mbështetje të nenit 109/1, të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Prokurori i Përgjithshëm, me urdhrin nr.18 datë 17.01.2017, ngriti Komisionin administrativ për verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore nga ana e kandidatëve prokurorë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).
Komisioni, i përbërë nga pesë anëtarë, në përfundim të kryerjes së verifikimeve të nevojshme dhe shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur prej kandidatëve, konstatoi se plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si më poshtë:
Lista
Nga Prokuroria e Përgjithshme
1. Anila Leka- Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
2. Kostaq Beluri- Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
3. Ramadan Troci- Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme
Nga Prokuroritë e Apelit
4. Luan Kaloci- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë
5. Bujar Hoti- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Durrës
6. Arben Dollapaj- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër
7. Besa Nikehasani- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër
Nga Prokuroritë e Shkallës së Parë
8. Adriatik Cama- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë
9. Antoneta Sevdari- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë
10. Arben Nela- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë
11. Dritan Rreshka- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë
12. Shpetim Kurti- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë
13. Besnik Muci- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës për Krimet e Rënda
14. Gentian Osmani- Prokuror pranë Gjykatës për Krimet e Rënda
15. Besnik Cani- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan
16. Elsion Sadiku- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë
17. Dritan Prenci- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës
18. Arta Marku- Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër
19.Vatë Staka – Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër
(d.b/Shqiptarja.com)