'21 janari i Edi Ramës'

'21 janari i Edi Ramës'

Nëse ka një frazë fatale, që tingëllon si një krismë arme në mes të një koncerti, nëpër mitingjet e opozitës së sotme, është ajo që përfshin 21 janarin e vitit 2011. Kjo datë duhet hequr nga zhargoni zyrtar i PD dhe LSI, sepse përfaqëson ditën kur qeverisja e këtyre dy partive, la një gjurmë tragjike gjaku në kalendar. Kjo datë është kthyer zyrtarisht në standardin klasik të dhunës shtetërore, në etalonin e krimit në emër të mbajtjes së pushtetit, në precedentin klasik të daljes nga shinat dhe nga logjika të një qeverie të zgjedhur me votë.

Një protestues pati fatin e keq ta bëjë këtë lapsus frojdian të mërkurën, në prani të ish-ministrit të brendshëm të 21 janarit dhe të një duzine ish-ministrash dhe deputetësh të qeverisjes së asaj kohe. Është krejt e kuptueshme që, në dëshirën për të gjetur një krahasim mjaftueshëm ekstrem dhe makabër për shembjen e Teatrit Kombëtar, personi në fjalë nuk gjeti diçka më të skajshme se vrasjet shtetërore të 21 janarit të nëntë vjetëve më parë. Por është gjithaq e dukshme se krahasimi në fjalë kërcet, për të mos thënë që ulërit, duke marrë parasysh vitrinën politike të protestës së djeshme.

Prej thuajse një dekade, 21 janari i vitit 2011 vijon të mbajë ndezur ndjenjat dhe debatet e dy palëve, që atë ditë u përballën tragjikisht në shesh. Një përballje që provokoi katër të vrarë, për të cilët është thënë e shkruar gjithçka. Fjalë në tym, por drejtësi hiç! Lule çdo vit në vendin ku janë vrarë protestuesit e 21 janarit, por asgjë më tepër. Ndërkohë që koha dhe harresa e lehtë që ne shqiptarët e kemi veçori dalluese gjenetike, ka bërë që sot përgjegjësit politikë të asaj tragjedie, ta mbushin plot gojën me sharje e mallkime kundër “diktaturës që po vret njerëz”! Ironi e shëmtuar e radhës, asgjë për t’u çuditur.

Në një farë mënyre, ka realisht një 21 janar të Edi Ramës. Është ai i vërteti, i vitit 2011, por jo për arsyet banale për të cilat është akuzuar nga e djathta. Pra, sepse çoi protestuesit në atë vend fatal. Qindra herë këto 30 vjet liderët e cilësdo opozitë, i kanë çuar njerëzit në dyert e qeverisë për të protestuar, po s’i kanë marrë pas në arkivole. Atë ditë shteti vrau me gjak të ftohtë dhe nuk u dënua!

Rama duhet vënë përballë përgjegjësisë politike, për mosveprimin energjik të premtuar, ndaj krimit makabër të asaj dite, pasi erdhi në pushtet. Ky është 21 janari i vetëm i Edi Ramës.

Sa për 21 janarin “e dytë”, atë të para katër ditëve, përtej gjithçkaje të shëmtuar e tragjike që përmban shembja e një godine, që duhej të ishte lënë në këmbë për hir të historisë që përfaqëson, e gjitha kjo ngjarje është vetëm një parodi e zbehtë e asaj që ndodhi nëntë vjet më parë. Aq më tepër që ata që bërtasin për Teatrin sot në podiume partish dhe studio televizive, dje akuzonin të vrarët e 21 janarit, pse u ndodhën aty me duar në xhepa!

Le të jemi të qartë mesa ndodhi në 17 maj 2020, e më vonë. Episodet e dhunës që policia ushtroi, duke nisur nga sjellja e shëmtuar ndaj kolegut Alfred Lela, por edhe ndaj protestuesve të tjerë, duhet të hetohen dhe dënohen që të gjitha sipas masës. Pasi duke u bërë kjo, do të evitohen veç të tjerash edhe krahasimet naive të asaj që po shohim, me ditën tragjike kur katër trupa pa jetë u tërhoqën zvarrë nëpër bulevard të mbytur në gjak.

Është e shëndetshme për një demokraci që të rrijë zgjuar kundër dhunës e represionit shtetëror, të ngrejë zërin dhe të kërkojë transparencë dhe zbatim ligji. Shembja e Teatrit Kombëtar meriton të trajtohet kështu, që nga vendimmarrja politike, e deri tek sjelljet policore. Por teksa bëjmë këtë, le të kthjellojmë mendjen dhe të vëmë shpirtin në paqe, se nuk e kemi luksin e vogël që ta krahasojmë katrahurën e Teatrit, me 21 janarin e vitit 2011. Sepse ndërkohë që për të parën po bërtitet në kupë të qiellit për drejtësi, mbi ngjarjen e dytë ka zënë myshk prej vitesh guri i heshtjes dhe i manipulimit.

21 janari i vitit 2011 nuk duhet krahasuar me asgjë, sepse ka qenë dhe urojmë të mbetet unik. Thjesht një këshillë për ata që tundohen ta bëjnë këtë, asgjë më tepër…

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ethem Lalaj: 21/05/2020 19:34

    Z.Minxhozi:Te lexoj me endje.21 janarin nuk e harron çdo Shqiptar i ndershem ne gjithe trojet.Vrasesit dihen.Ai qe urdheroi vrasjen donte te vriste edhe Edi Ramen.Por Rama nuk e shfrytezoi as 21 janarin,as Gerdecin,as 96,97,98,09,011 kur i vodhen Bashkine. Ne fjalinet e sotme te tij as nuk zihen ne goj keto ngjarje makabre te bera nga nje njeri-fantazme i pa shpirt,i shitur te agjenturart e huaja.Por: -Rama orientoi pa mend reformen ne drejtesi qe po e drejtojne nd/kombetaret. -Nuk mund te pritet 8 vjet per te kaluar ne veting 800 gjyqtar e prekuror. -Duhej krijuar fillimisht GJL,GJK,GJ.SPECIALE PER GJYKIMIN E DENIMIN E KRIMEVE TE RENDA TE S.BERISHES,I. METES E L.BASHES NE 30 VITE. -Tashme e mori ferra uraten.SPAK eshte ne dore te Sb+Im. -Keta 2 po pengojne qellimisht GJK. -Zgjedhja e I.Metes President ishte marrezi e E.Rames.Tashme I.Meta ka marre frenat e opozites dhe synon rrezimin e E.Rames me çdo kusht.Dhe do ta rrezoi. -Sa pet TK e ke gabim.Ai duhej rrezuare me kohe.

    Përgjigju
  • Veshgjati: 21/05/2020 18:10

    Rrofte Natd Noka sivllau im e ardhmja e Shqiperise

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha