Ilir Yzeiri: 25 prilli duhet të jetë dita e ndarjes me tranzicionin konfliktuoz

Ilir Yzeiri: 25 prilli duhet të jetë dita e ndarjes me tranzicionin konfliktuoz

Edi Rama dhe Lulzim Basha

Pas fitores bindëse të PS-së në zjedhjet e 25 prillit, në Shqipëri duhet të hapet një faqe e re dhe vendi ka nevojë të futet në periudhën normale të zhvillimit pa konflikte institucionale, pa dhunë dhe pa përplasje.

25 prilli u pasua edhe me një ngjarje tjetër: shpallja nga Departamenti i Jashtëm i Shtetit të SHBA-ve 'non grata' e Sali Berishës dhe familjes së tij, shenjon gjithashtu një pikë kthese në zhvillimin historik të tranzicionit dhe, në një farë mënyre, kjo ngjarje e mbyll atë tranzicion të tejzgjatur dhe projekton një kohë tjetër.

Pas zgjedhjeve të 25 prillit Partia Demokratike e Shqipërisë po përjeton tronditjen më të madhe të këtyre viteve. Tani, kritikët e drejtimit klientelist, mediokër, korruptiv dhe pa ide të Lulëzim Bashës janë brenda PD-së dhe ligjërimi i tyre, për nga patosi dhe argumentet, ia ka kaluar edhe ligjërimit të opinionistëve që e kanë kundërshtuar Lulëzim Bashën që kur ai u zgjodh nga Sali Berisha për të drejtuar PD-në duke qenë thjesht një marionetë në duart e tij.

Pas 25 prillit Reforma në Drejtësi ka filluar të japë produktet e para. Gjykata Kushtetuese që po anatemohet këto ditë, gjithsesi, ka fillaur nga puna, Gjykata e Lartë po ashtu, ndërsa SPAK ka filluar të ndjehet me dinjitet dhe BKH-ja po fillon nga puna së shpejti.

Pas 25 prillit ne kemi një klimë më të mirë politike në vend dhe një pjesë e madhe e opinionit që shfaqet në publik përmes mediave dha opinionistëve i janë larguar Lulëzim Bashës dhe e kanë fajësuar atë personalisht për disfatën që pësoi opozita më 25 prill, gjithë duke mos e pakësuar retorikën negative kundër qeverisë socialiste dhe Edi Ramës. Tani Lulëzim Basha jo vetëm që nuk ka me vete frymën e përgjithshme në PD, por dëshira e tij për të qëndruar në krye të PD-së edhe pas humbjes së tretë, e ka lënë atë pa asnjë mbështetje dhe ka krijuar një klimë mospërfilljeje dhe qortimi te pjesa më e madhe e atyre që deri dje e mbështesnin ne studiot e televizioneve kombëtare.

Pas 25 prillit Gramoz Ruçi një nga politikanët e vjetër të tranzicionit shqiptar shpalli në Kongresin e fundit të PS-së se largohet nga politika. Ai do të kujtohet si politikani me integritet, i mbyllur, si politikani që nuk u shfaq kurrë ose rrallë në një studio televizive duke pasur si shtysë më shumë veprimin sesa shfaqjen.

Ndërkaq, në kongresin e fundit të PS-së, Edi Rama vuri alarmin për nivelin e lartë të korrupsionit në administratë dhe premtoi se mandati i tretë do të përqëndrohet në ndërtimin e shtetit dhe jo në përfitimin prej pushtetit.

Dhe pikërisht kjo duhet të jetë sfida e vërtetë e kohës së re, e ndarjes nga tranzicioni. Për këtë duhet të presim, por deri tani shenjat nuk janë të mbara.

Trimat e kësaj vere, aksidentet tragjike në rrugë dhe sidomos ngjarja e fundit ne autostradën Levan – Vlorë tregojnë se shteti nuk është në binarë, se policia e shtetit ka dalë nga roli dhe nga funksioni. Si ka mundësi që një djalë 18 – vjeçar hipën në një makinë me mbi 1500 CC dhe askush nuk e ndalon. Si ka mundësi që rrugët shqiptare dhe ato në Tiranë janë të mbushura me makina që drejtohen ose nga të kërkuarit e policisë ose nga trafikantë, ose nga lloj-lloj kriminelësh. Si ka mundësi që kjo polici ka humbur kontrollin mbi territorin dhe nuk arrin të identifikojë e të ndalojë me masa preventive keqbërësit. Është e njëjta histori prej vitesh. Sa herë që vritet dikush apo sa herë që i bëhet një atentat dikujt, policia thotë se ai ishte me precedentë penalë, me një barrë krimesh në kurriz.

 

Po ashtu, para disa ditësh, dy-tre biznesmëne tepelenas rrahën banorët e fshatit Bënçë dhe studiuesin Auron Tare. Vetëm një ditë u fol për ta. Askush nuk e mori vesh se çfarë ndodhi më tej. Pse ? Sepse këta janë të fortët që nuk i bën dot zap as policia as shteti.

Ajo që Edi Rama tha në kongresin e PS-së për korrupsionin në administratë është një e vërtetë ulëritëse. Unë nuk e di si do të shpëtojmë nga kjo plagë dhe nga ky kancer, por mund të them se një përvojë të mirë e kemi. Policia e Rendit, sidomos ajo që është në kontakt me publikun e ka shmagur korrupsionin. Sot ne kemi një polici të rendit më moderne dhe më të pastër. Ky është një shembull që mund të ndiqet edhe në institucione të tjera. Vetëm se një gjë është e sigurtë.

Nëse Edi Rama nuk ua heq përgjegjësinë të deleguarvë që ka shpërndarë nëpër qarqe, korrupsionin dhe klientelizmin jo vetëm që nuk do ta shkulë, por do ta çimentojë. Strukturat partiake dhe ato politike që i trajtojnë qarqet apo bashkitë ku veprojnë si çifliqe, janë një nga gjeneruesit e korrupsionit. Nëse nuk hapet pushteti lokal e ai qëndror, nëse nuk bëhet transparencë për çdo qindarkë në bashki apo qarqe të ndryshme dhe nëse nuk vlerësohen potencialet lokale dhe jo kollovarët që shkojnë nga qendra, nëse nuk u hiqet pushteti të deleguarëve nga Tirana, korrupsioni dhe shëmtimi demokratik do të vijojë ende.

Edi Rama vetëm tani ka sfidën e jetës. Nëse këtë mandat ai arrin të tregojë vullnet se do ta luftojë korrupsionin kanceroz të administratës, gjithë historia e tij politike do të vlerësohet, nëse nuk ia arrin gjithë sukseset dhe historia e tij politkke do të njollosen, sepse në jetë dhe në politikë fundi mbahet mend ndërsa historia tregohet.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim