Koronavirusi/Autoritetet në Itali: 52 viktima, emergjenca edhe një javë. Në 65 shtete më shumë se 3000 të vdekur në botë. Panik në New York (VIDEO)

Përshpejtohet përhapja e koronavirusit, veçanërisht në Europë. Në Gjermani rastet janë dyfishuar kurse Franca tani duket se po kthehet në vatër infeksioni e kontinentit të vjetër.

Në Italinë fqinje numri total i viktimave ka shkuar në 52, të shëruar janë 149 ndërsa të prekurit nga infeksioni llogariten në 1835. (shiko hartën këtu).

Qeveria italiane ka vendosur për javën e parë të muajit mars, masa të reja kufizuese në zonat e kuqe, ku përfshihen 10 komuna lombarde dhe në zonën e verdhë (Emilia Romagna, Lombardi dhe Veneto), ka vendosur pezullimin e ngjarjeve sportive ose zhvillimin e tyre pa tifozë, si dhe anulimin e eventeve kulturore, rekreative, dhe fetare. Baret dhe restorantet do të lejohen të funksionojnë vetëm nëse sigurojnë kushte që klientët të cilët do tju sherbehet, të jenë minimalisht 1m larg nga njëri tjetri, palestrat dhe qëndrat sportive do të qëndrojnë të mbyllura, muzeumet të hapur kurse zyrat do të kenë orar pune të reduktuar.

Që nga data 2 mars, masa kufizuese do të shtrihen edhe në pjesën tjetër të territorit italian. Në shkolla dhe institucionet publike, brenda ambienteve, bëhet i detyruar dezinfektimi dhe higjena e duarve si dhe qëndron në fuqi urdhëri i pezullimi të eskursioneve shkollore deri më 15 mars.

Duke parë nevojën e ngutshme për personel mjekësor në kushtet kur numri i të infektuarve ka shkuar në rreth 1800, Këshilltari për mirëqenien i rajonit të Lombardisë, Giulio Gallera tha se do të punësohen mjek të rinj, pensionist, të kualifikuar si dhe praktikantë të përgatitur mirë për të përballuar emergjencën.

Sipas drejtorit të Departamentit të Sëmundjeve Infektive të Institutit të Lartë të Shëndetësisë, Gianni Rezza rritja e numrit të rasteve të reja të identifikuar pozitiv nga koronavirusi ishte e pritshme dhe për faktin se masat e kontrollit dhe ato kufizuese janë zbatuar praktikisht prej një jave dhe koha mesatare e inkubacionit është rreth 7 ditë, ndërsa ajo maksimale është rreth 12-13 ditë dhe se do të duhet të paktën një javë tjetër e deri 10 ditë përpara se të shihet ndonjë efekt zbritës eventual

Mbyllja e jashtëzakonshme nga dje e Luvrit në Francë erdhi si rezultat i 130 rasteve të konstatuar pozitiv nga testet për koronavirus dhe autoritetet kanë urdhëruar pezullimin e të gjitha aktiviteteve që parashikojnë grumbullimin e më shumë se 5 mijë njerëzve.

Në Britani, ku aktualisht 35 të prekur nga virusi i ri kinez, është rritur alarmi, pavarësisht se kryeministri Boris Johnson thotë se ishulli do ta fitojë luftën me virusin e Wuhan.

Sfida është e njëjtë për të gjithë, ndërsa 87,000 njerëz janë të infektuar në gjithë botën dhe numri i të vdekurve ka shkuar në mbi 3,000, nga të cilët më shumë se 2.800 janë regjistruar në Kinë.

Përveç 42 vdekjeve të reja Kina ka raportuar edhe 202 infeksione të tjera që shtohen të totalin prej rreth 80.000, nga të cilat 32.000 janë akoma nën trajtim kurse afërsisht 44 500 janë shëruar. 

Në Korenë e Jugut, vendi i dytë më i prekur nga epidemia, po dezinfektohen deri edhe rrugët në përpjekje për të përmbajtur koronavirusin. Autoritetet kanë raportuar për rreth 500 raste të reja të infeksionit teksa totali ka shkuar në më shumë se 4200 kurse numri i viktimave është rritur në 22.  

Ndërsa në Iran, sipas shifrave zyrtare, të cilat duhen marë me shumë rezervë, ka 150 viktima, në anën tjetër të Paqësorit, ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar viktimën e dytë dhe rastet e para të infektuar në New York.

"Mos u frikësoni por ndërkohë grumbulloni furnizime". Tani për tani kjo është kryesisht receta amerikane kundër koronavirusit.

Edhe pas dy vdekjeve amerikane presidenti Trump ende vazhdon të thotë se "Eshtë gjithçka nën kontroll", duke njoftuar mbylljen e kufijve për ata që vijnë nga Irani, duke kërcënuar mbylljen e kufirit me Meksikën dhe duke maksimizuar masat e autoriteteve për ata që vijnë nga Italia dhe Korea e Jugut. Por specialistë të shëndetit dhe mjekë thonë që "Kinezët na dhanë një muaj kohe për t'u përgatitur për më të keqen por Amerika nuk e ka shfrytëzuar mirë".

Që në vitin 2005 një studim qeveritar kishte llogaritur se për të përballuar një pandemi të mundshme të rrugëve të frymëmarrjes do duheshin të paktën 750,000 ventilatorë mekanikë, por në Amerikë sot ka vetëm 65,000 dhe në rastin e një emergjence serioze, situata do paraqitej e vështirë

Në nivel global (shiko hartën këtu) janë mbi 89 mijë raste të konfirmuara dhe 3 mijë të vdekur.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vendosur të ndajë një fond prej 15 milion dollarësh për të ndihmuar vendet më të brishta që po përballen me epideminë teksa vendet e prekura tani janë rreth gjashtëdhjetë në gjithë botën, përfshirë Indonezinë, Brazilin, Nigerinë, Algjerinë, Indinë dhe Meksikën ndërsa gjatë fundjavës, Organizata Botërore e Shëndetit e ngriti nivelin e alarmit në maksimum.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:49
Koronavirusi/Itali, numri i të infektuarve 1835, të shëruarit 149, numri i viktimave 52. Autoritetet: Gjendja përmirësohet pas dhjetë ditësh

Sipas buletinit të fundit të lëshuar nga autoritetet shëndetësore në Itali numri i të infektuarve nga koronavirusi është 1,835, me një rritje prej 258 personash në krahasim me ditën e djeshme, numri i të shëruarve është rritur në 149, 66 më shumë nga dje, kurse numri i viktimave ka shkuar në 52 të vdekur, 18 më shumë se dje.

Sipas drejtorit të Departamentit të Sëmundjeve Infektive të Institutit të Lartë të Shëndetësisë në Itali, Gianni Rezza rritja e numrit të rasteve të reja të identifikuar pozitiv nga koronavirusi ishte e pritshme dhe për faktin se masat e kontrollit dhe ato kufizuese janë zbatuar praktikisht prej një jave dhe koha mesatare e inkubacionit është rreth 7 ditë, ndërsa ajo maksimale është rreth 12-13 ditë dhe se do të duhet të paktën një javë tjetër e deri 10 ditë përpara se të shihet ndonjë efekt zbritës eventual.

Ora 16:54
New York-u në panik nga koronavirusi. Zbrazen raftet e supermarketeve pas lajmit për viktimën e dytë në SHBA (FOTO)

Paniku prej koronavirusit ka goditur edhe New York-un teksa mijëra njerëz janë dyndur nëpër supermarkete dhe kanë zbrazur raftet duke u furnizuar me ushqime shtesë menjëherë pas lajmit për dy vdekje të lidhura me epideminë e koronavirusit. 

Fotografitë e shpërndara në mediat sociale tregojnë blerës, të cilët nxitojnë të grumbullojnë letër higjienike, ujë në shishe, dezinfektues dhe ushqime.

"Mos u frikësoni por ndërkohë grumbulloni furnizime". Tani për tani kjo është kryesisht receta amerikane kundër koronavirusit.

Edhe pas dy vdekjeve amerikane presidenti Trump ende vazhdon të thotë se "Eshtë gjithçka nën kontroll", duke njoftuar mbylljen e kufijve për ata që vijnë nga Irani, duke kërcënuar mbylljen e kufirit me Meksikën dhe duke maksimizuar masat e autoriteteve për ata që vijnë nga Italia dhe Korea e Jugut. Por specialistë të shëndetit dhe mjekë thonë që "Kinezët na dhanë një muaj kohe për t'u përgatitur për më të keqen por Amerika nuk e ka shfrytëzuar mirë".

Që në vitin 2005 një studim qeveritar kishte llogaritur se për të përballuar një pandemi të mundshme të rrugëve të frymëmarrjes do duheshin të paktën 750,000 ventilatorë mekanikë, por në Amerikë sot ka vetëm 65,000 dhe në rastin e një emergjence serioze, situata do paraqitej e vështirë.

Ora 13:01
Koronavirusi, BE ‘task force’ për epideminë. Hap dyert ‘Duomo’ në Milano, Autoritetet: Pas dhjetë ditësh situata do ndryshojë

Komisioni Europian po mendon ngritjen e një grupi pune koordinues për emergjencën teksa rreziku në Europë ka shkuar nga mesatar në "i lartë". Lajmi u bë i ditur nga Presidentja e Komisionit Europian, Urusla Von Der Leyen.

Ndërkohë Italia po përpiqet përsëri të largohet nga emergjenca e epidemisë.

E famshmja katedralja ‘Duomo’ në Milano është rihapur për publikun me prenotime biletash vetëm online.

Këshilltari për Mirëqenien e rajonit të Lombardisë, Giulio Gallera i ka bërë apel gjithë njerëzve mbi moshën 65 vjeç.

"Është e vërtetë që 50 % e personave të infektuar me koronavirus e tejkalojnë sëmundjen pa probleme dhe se 40% nuk kanë asnjë problem serioz. Por ka një 10% të të infektuarve mbi moshën 65 vjeç që po trajtohen nga kujdesi intensiv në spitale. Kështu që unë i ftoj të gjithë të moshuarit të dalin nga shtëpia sa më pak të jetë e mundur, të paktën në dy-tre javët e ardhshme".

Giovanni Rezza, drejtor i Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Itali tha se është e nevojshme të shmanget alarmizmi në kë fazë të rritjes së numrit të të infektuarve.

"Ne nuk e dimë ende nëse ai ka arritur kulmin, por është normale që kur numri i të infektuarve rritet, rritet në mënyrë eksponenciale edhe numri i rasteve serioze të sëmundjes”.

Rezza tha gjithashtu se pas ndoshta dhjetë ditësh do të shohim një përmirësim të situatës.

Ora 12:57
Kina ul nivelin e alarmit nga koronavirusi në 16 provinca. Vdes nga infeksioni edhe këshilltari i Liderit Suprem Khameneit në Iran

Kina ka ulur nivelin e alarmit nga koronavirusi në 16 provinca përreth qytetit të Wuhan, epiqendër e shpërthimit të epidemisë. 

Përveç 42 vdekjeve të reja Kina ka raportuar edhe 202 infeksione të tjera që shtohen të totalin prej rreth 80.000, nga të cilat 32.000 janë akoma nën trajtim kurse afërsisht 44 500 janë shëruar. 

Sfida është e njëjtë për të gjithë, ndërsa 87,000 njerëz janë të infektuar në gjithë botën dhe numri i të vdekurve ka shkuar në mbi 3,000

Në Iran, sipas shifrave zyrtare, të cilat duhen marë me shumë rezervë, ka 150 viktima mes të cilëve edhe një këshilltar i Khamenei, Mohammad Mirmohammadi, 71 vjeç zyrtari i parë që humb jetën nga koronavirusi në Republikën Islamike.

Ora 10:16
Kompania amerikane teston te rreth 1000 pacientë ilaçin për koronavirusin

Një firmë biomjekësore amerikane ka njoftuar se ka filluar studime klinike shtesë të Remdesivir-it, deri më tani ilaçi më premtues për të trajtuar koronavirusin dhe branda muajit mars do të testohen me të rreth 1000 pacientë.

Ilaçi, i shpikur nga kompania ‘Gilead Science’ me seli në Kaliforni, po testohet fillimisht tek afro 400 pacientë "me shfaqje të rënda klinike të virusit COVID-19", të cilëve do t’u jepet një kurë pesë ose dhjetë ditore e këtij ilaçi.

Një tjetër grupim prej rreth 600 pacientësh "me shfaqje klinike të moderuar të sëmundjes", sipas një deklarate të kompanisë Gilead, do të ndahen në tre grupe. Një e treta e tyre do të marrë pesë ditë trajtim me ilaçin Remdesivir, një e treta do të marrë 10 ditë trajtim dhe pjesa tjetër do të vazhdojë të marrë "vetëm kujdesin shëndetësor standard".

Në muajin shkurt, kompania ‘Gilead’, duke punuar me autoritetet kineze dhe shkencëtarët, filloi dy studime klinike në Wuhan, ku shpërthimi i virusit u raportua për herë të parë, si dhe do të zhvillojë një testim tjetër afatgjatë të udhëhequr nga Universiteti i Nebraskas "në deri në 50 vendndodhje të ndryshme në mbarë globin".

Ky raund i katërt i provave klinike do të zhvillohet "në qendra mjekësore kryesisht në vende aziatike", tha kompania, "si dhe në vende të tjera të globit që kanë një numër të lartë të rasteve të diagnostikuara".

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjorme: 02/03/2020 10:04

    Shpejte e gjithë Vlora në karantine se po erdhi flama na andeje do vije

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Kërcënohen me thikë disa nxënës që po luanin në Lungomare, autori me probleme të shëndetit mendor

Vlorë/ Kërcënohen me thikë disa nxënës që po luanin në Lungomare, autori me probleme të shëndetit mendor