LEZHEVetëm 5 ditë u zgjati qëndrimi në Gjadër 43 emigrantëve të paligjshëm që u sollën më 28 janar, nga autoritetet italiane. Vendimi i së premtes, (31 janar 2025) i Gjykatës së Apelit të Romës që ata të ktheheshin menjëherë në tokën italiane solli në Portin e Shëngjinit anijen e Rojes Bregdetare italiane për ti marrë.

Pak pas mesditës së sotme ( Ora 12:30, 1 shkurt 2025) 43 shtetasit bangladeshas dhe egjiptianë u larguan drejt Italisë, ndërsa do të presin vendimin të cilin po e pret e gjithë Italia për t’i dhënë fund një ngërçi që zgjat prej muajsh atë të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë më 25 shkurt.

Një ditë më parë gjyqtarët pezulluan paraburgimin e 43 shtetasve bangladeshas dhe egjiptianë të dërguar në Gjadër, pasi tha se duhet pritur vendimi i Gjykatës së BE me qendër në Luksemburg për vendet e sigurta.

Ky ishte transferimi i tretë i emigrantëve në Shqipëri dhe refuzimi i tretë nga gjyqtarët për ndalimin në qendrën e Gjadrit. Vendimi siç pritej nxiti përplasjen e radhës të qeverisë italiane me gjykatat. Kryeministrja Giorgia Meloni ka paralajmëruar ankim në Gjykatën e Kasacionit, teksa ka kritikuar ashpër vendimin duke e konsideruar si një përpjekje për të sabotuar politikat e qeverisë së saj. Ndërsa opozita italiane akuzon Melonin për papërgjegjshmëri.

Në qendrën e Gjadrit, nga 49 emigrantët që mbërritën më 28 janar, 43 qëndruan aty pasi gjashtë u transferuan sërish në Itali për shkak se ishin të mitur ose vulnerabil. Vetëm 48 orë pas mbërritjes Italia vendosi refuzimin e azilit për 42 prej tyre nga Komisioni i Azilit, pasi shqyrtoi kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare të cilat i konsideroi “dukshëm të pabazuara”.