TIRANE - Pesë emra të njohur të drejtësisë shqiptare, të cilët dhanë dorëheqjen për të evituar përballjen me Vettingun, kanë nisur një betejë ligjore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, me qëllim për t’u larguar me ‘kokën lart’ nga drejtësia si dhe për të hequr shënimin e përjashtimit për 15 vjet nga e drejta për t’u rikthyet në sistem.

Gjyqtari i Apelit, Agim Bendo, para se të dilte para Komisionit të Vettingut, dha dorëheqjen nga drejtësia, me pretendimin se ishte sëmurë. Bendo, i cili ka marrë pjesë në gjykimin e dosjes së 21 Janarit, duke i konsideruar vrasjet në bulevard si vrasje nga pakujdesia, ka paraqitur një kërkesë në Kolegj. Bendo kërkon ndryshimin e vendimit të Komisionit të Vettingut të shkallës së parë, duke hequr arsyen shëndetësore nga vendimi si shkak të dorëheqjes dhe për të vendosur daljen në pension. Bendo kërkon edhe heqjen e pikës dy të vendit, ky vendoset përjashtimi i tij për 15 vjet nga drejtësia, edhe pse thotë se ka dalë në pension.

Edhe Astrit Haxhialushi, i cili ka dhënë dorëheqjen nga drejtësia për arsye shëndetësore, i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të rrëzojë pjesën e vendimit të KPK-së për ndërprerjen e Vettingut ndaj tij, ku përjashtohet për 15 vjet nga drejtësia.

Një lëvizje të tillë kanë ndjekur edhe ish-gjyqtarë të tjerë të njohur. Arjana Fullani, Evelina Qirjako dhe Aleksandër Muskaj dhanë dorëheqjen si anëtarë të Gjykatës së Lartë në vitin 2017, për shkak se u mbaroi mandati, ndonëse mund të qëndronin në detyrë sipas ligjit, siç bëri Ardian Dvorani, i cili është edhe sot pjesë e Gjykatës së Lartë, ndonëse mandati i ka mbaruar që në vitin 2014, pra gjashtë vite më parë.

Fullani, Qirjako dhe Muskaj nuk pranuan të shërbejnë as në Gjykatë së Apelimit. Ata u larguan nga sistemi, duke shmangur Vettingun. Për rrjedhojë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ndërprerjen e Vettingut dhe përjashtimin e tyre për 15 vjet nga drejtësia.

Të tre ish-gjyqtarët i janë drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit me të njëjtin objekt: Heqjen e pikës dy të vendimeve të të KPK-së. Pika dy parashikon: “Të deklarojë humbjen e së drejtës së këtij subjekti për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë Gjyqësor ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.”