7 njollat që komprometojnë zgjedhjet në PD, nga fshehja e listës së votuesve tek zhdukja e 25 mijë anëtarëve, procesi farsë i përsëritur në 2013 dhe 2017

7 njollat që komprometojnë zgjedhjet në PD, nga fshehja e listës së votuesve tek zhdukja e 25 mijë anëtarëve, procesi farsë i përsëritur në 2013 dhe 2017

Lulzim Basha, Jemin Gjana dhe Albana Vokshi

Fituesi i zgjedhjeve për kreun e PD-së i paracaktuar në tavolinë. Listën e zgjedhësve e di vetëm Basha dhe rrethi i tij, anëtarësia u zvogëluar në mënyrë të mistershme nga 100 mijë në 75 mijë, komisionerët, administrata dhe burimet e parisë nën kontrollin e plotë të Bashës.

Rreth 75 mijë anëtarë të Partisë Demokratike do të votojnë nesër për të zgjedhur mes

Lulzim Bashës, Agron Shehajn, Edit Harxhit dhe Fatbardh Kadillit, për drejtimin e partisë deri pas zgjedhjeve parlamentare të 2025. Procesi zgjedhor në PD karakterizohet nga mungesa e transparencës dhe pabarazia, ndërsa mbart disa njolla, deformime, shkelje statutore dhe pikëpyetje, duke ngritur dyshime të forta për paracaktim të fituesit, konkretisht për rikonfirmim të Lulzim Bashës në krye të PD përmes një farse zgjedhore. Lulzim Basha, i mbështetur në heshtje nga Sali Berisha, ka organizuar një proces zgjedhor të tillë, duke u mohuar të drejtat më elementare kandidatëve të tjerë për drejtimin e partisë pas shtatë humbjeve radhazi në 8 vite. Po cilat janë elementet që komprometojnë rëndë zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike, duke e kthyer procesin thjeshtë në përsëritjen e farsës së 2013 dhe 2017? 

Lista sekrete e votuesve  

Elementi më komprometues është fshehja dhe përpunimi në errësirë i listës së anëtarëve të Partisë Demokratike, të cilët kanë të drejtën e votës, një fenomen ky i përsëritur edhe në zgjedhjet e 2013 dhe 2017, madje i denoncuar me forcë nga rivalët e Lulzim Bashës, përkatësisht Sokol Olldashi në 2013 dhe Eduard Selami në 2017. Edhe në zgjedhjet e 13 qershorit 2021, listën e anëtarëve të PD që do të votojë për kryetarin e partisë, e di vetëm Lulzim Basha dhe rrethi i tij. Tre kandidatëve të tjerë u është mohuar lista, me pretendimin qesharak të mbrojtjes së të dhënave personale. “Ne kemi një ligj për mbrojtjen e të dhënave personale, i cili nuk e lejon publikimin e listave”, ka pohuar Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana. Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli kanë bërë fushatë pa e ditur se cilit votues t’i drejtohen, një standard ky i papranueshëm dhe e paimagjinueshëm për një proces zgjedhor normal. Pretendimi i shkeljes së të dhënave personale është një alibi, për kontrollin e listës dhe procesit, pasi partitë politike në vendet më demokratike të botës, i kanë listat e anëtarësisë publike. Nga ana tjetër, nëse lista do të ishte fshehtë, sekreti do të ishte i vlefshëm për të gjithë kandidatët. Në rastin konkret, lista e anëtarësisë është vetëm në duar e Lulzim Bashës, në konflikt interesi, pasi Basha është kandidat.

Misteri i zhdukjes së 25 mijë anëtarëve

Kryetari i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana ka deklaruar se janë 75 mijë anëtarë të Partisë Demokratike, të cilët kanë të drejtën e votës në zgjedhjet e 13 qershorit 2021. Jemin Gjana ka qenë kryetar i Komisionit Zgjedhor edhe në korrik të vitit 2017, ku u konfirmuar Lulzim Basha në krye të PD-së. Katër vite më parë, Jemin Gjana, deklaronte se PD-ja kishte 100 mijë anëtarë me të drejtë vote. Pas katër vitesh, janë 25 mijë më pak. Mbetet mister çfarë ka ndodhur? Janë hequr 25 mijë anëtarë në mënyrë arbitrare? Janë larguar 25 mijë anëtarë nga PD me vullnetin e tyre dhe PD ka bërë një proces korrektimi apo shifra prej 100 mijë anëtarësh e deklaruar në 2017 ka qenë fiktive?! Deri më sot nuk ka asnjë shpjegim nga selia blu me në krye Lulzim Bashën.

Administrata zgjedhore kontrollohet nga Basha 

A do ta pranonte Partia Demokratike që zgjedhjet në Shqipëri të administroheshin vetëm nga komisionerët të propozuar nga Partia Socialiste? Këtë ‘standard’ Lulzim Basha po e zbaton në PD. Pasi mori sinjalin nga Berisha për të vijuar drejtimin e partisë edhe pas humbjes së fundit, Basha emëroi në mënyrë të njëanshme anëtarët dhe kryetarin e Komisionit Zgjedhor në PD. Ata janë Jemin Gjana kryetar, si dhe anëtarët Albana Vokshi, Belind Këlliç, Mimoza Hasekiu, Albert Avduli dhe Gjokë Vuksani, që të gjithë të besuar të Bashës, fakt i denoncuar edhe nga kandidatët. Krahas komisionit kryesor, Basha ka diktuar të besuarit e tij edhe në 76 qendrat votimit që janë ngritur në 71 degë të PD-së. Në konflikt interesi në shkelje të barazisë në garë, Basha ka caktuar edhe numëruesit e votave. Rivalët e tij Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli kanë të ‘drejtë’ vetëm të vëzhgojnë procesin në distancë.

Agron Shehaj nuk i pranohen komisionerët

Komisioni Zgjedhor në PD, i kontrolluar nga Basha, ka refuzuar listën me kandidatë për anëtarë të komisioneve të votimit, propozuar nga Agron Shehaj, kandidat për drejtimin e Partisë Demokratike. Lista është refuzuar katër ditë para procesit të votimit, me argumentin se anëtarët e propozuar nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike. Nga ana e tij, Shehaj pretendon se kandidatët e propozuar janë anëtarë të PD, por nuk dihet se pse nuk figurojnë në listën që disponojnë vetëm Basha dhe rrethi i tij.

Caktimi i datës së zgjedhjeve në mënyrë të njëanshme

Si rrallë ndonjëherë, mes kandidatëve për drejtimin e Partisë Demokratike nuk kanë dakordësi as për datën e zgjedhjeve. Pasi vendosi të mos largohej nga drejtimi i PD, me alibinë se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, ishin vjedhur, Lulzim Basha, me mbështetjen në heshtje të Sali Berishës, caktoi datën 13 qershor për zgjedhjet në parti. Basha nxitoi për të hapur procesin zgjedhor dhe caktuar një datë sa më të afërt, duke mos u lënë kohë rivalëve në parti për t’u organizuar dhe hartuar alternativat e tyre. Sipas kandidatëve që sfiduan Bashën për të marrë drejtimin e PD-së “Nxitimi për hapjen e zgjedhjeve nuk ka për qëllim analizën dhe reformimin e partisë por eliminimin e debatit në radhët e partisë dhe të një gare të hapur. Vendimi i Këshillit Kombëtar për hapjen e parakohshme të zgjedhjeve është i pajustifikuar”.

Përdorimi i administratës dhe burimeve të PD-së

Lulzim Basha nuk dha dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Basha vendosi të rikandidonte, duke qëndruar në krye të PD-së. Gjatë fushatës për zgjedhjet në PD, Basha ka përdorur në tërësi administratën e Partisë Demokratike dhe burimet financiare të partisë. Degët e PD-së dhe selia qendrore janë njësuar me fushatën e Lulzim Bashës. Në zgjedhjet e 13 qershorit 2021, Basha hoqi dorë edhe nga ‘ngrirja’ e funksioneve, standard që ndoqi në 2017.

Sabotim i fushatës së rivalëve të Bashës

Fushata e rivalëve të Lulzim Bashës është sabotuar me urdhër nga selia blu, përmes degëve të partisë, pas intensifikimit të kritikave nga ana e tyre. Në disa qytete të vendit, kandidatët për drejtimin e PD-së hasën në vështirësi për të organizuar takime, për prezantimin e platformave të tyre, pasi anëtarët kishin marrë urdhër për të marrë pjesë. Në raste të tjera, si në Shkodër, kandidatë rivalë u akuzuan nga anëtarësia si përçarës, akuzë kjo e artikuluar nga Basha.

K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • refiku: 14/06/2021 03:42

    Keto plehra na çane b...n me gjoja se jo PS-ja ka vjedhur votat, jo masaker elektoriale, kur vete jane me horrat e me maskarenjte e te gjithe dynjase dhe e treguan edhe ne zgjedhjet brenda vete 'organizates se tyre kriminale e banditeske', duke i vjedhur e bere lloj, lloj manovrimesh... Ashtu siç e kane zanat dhe profesion...

    Përgjigju
  • Shkodrani: 12/06/2021 23:32

    Ky lulushi fiton per me humbe . Rama gjynah mos me ja dhene nje rroge ketij se u keput me i hap rrugen gjithandej. Nuk po rakordon me orarin se per zgjedhje ishte fjet e tash pas zgjedhjeve eshte cu,

    Përgjigju
  • dulja: 12/06/2021 18:01

    po keta shajne Ramen pere zgjedhjet hyy plera qe shkatrruat shqiperin mjere vendi po ra ne duarte tuaja

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet