24 vatra zjarri janë raportuar gjatë orëve të fundit në vend, 7 prej të cilave vijojnë të jenë aktive ndërsa 2 po mbahen në monitorim.
Vatra kryesore mbetet ajo në Gurë-Lurë të Dibrës, ku për të izoluar flakët, është ndërhyrë me forca të shumta tokësore, të mbështetura nga 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura në terren kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmës e Bruç të Matit, vijon operacioni në terren të vështirë. Në Lufaj të Mirditës ka ndërhyrë 1 helikopter, kurse në Fushë-Lajë të Pukës janë angazhuar 2 të tillë për vatrat në pyjet e Tërbunit e Gjegjanit ku flakët kanë avancuar.
Zjarre aktive raportohen edhe në Malin e Dajtit ku është angazhuar 1 helikopter të forcave të armatosura, por s’ka rrezik për banesat. Në Vakumone e Priskë vijon monitorimi.
Në të gjitha këto zona, autoritetet thonë se nuk ka rrezik për banesat.
50 hektarë me pyje janë prekur nga vatra e zjarrit në Tërbun të Pukës që kërcënon përhapjen e perimetrit. Forcat zjarrfikëse dhe të ushtrisë po operojnë që prej mëngjesit bashkë me dy helikopterë.
Vatra e zjarrit e përhapur deri në Gojan rrezikon pyjet e dendur me pishë. Zjarri i shfaqur 5 ditë më parë mori përmasa për shkak të favorizimit nga era, çka e bën të vështirë menaxhimin e situatës. Edhe pse dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, policia nuk ka njoftuar për ndonjë autor të mundshëm.












Komente
Komento