Limfa në aspektin naturopatik, është vula e fatit të shëndetit tonë. Sistemi limfatik është pasqyra e jetës tonë, pastruesja më e sofistikuar në trupin tonë. Shpesh nuk flitet shumë për të, por sipas nutricionistit Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, rëndësia e funksionimit siç duhet të sistemit limfatik tregon shumë për shëndetin tonë. I ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, nutricionisti Altin Joka shpjegoi në detaje rolin e sistemit limfatik në trupin tonë.  

“Sistemi limfatik është një lumë që rrjedh në trupin tonë. Gjatë udhëtimit të tij ai mbledh papastërti e toksina. Limfa i transporton këto papastërti, të cilat kalojnë në gjak, në mëlçi dhe tek veshkat, dhe nxirren në formën e urinës, por disa prej toksinave kalojnë tek zorrët për të dalë nëpërmjet feçes ose shkarkohen nëpërmjet procesit të djersitjes”, shpjegoi Joka.  

Nutricionisti shpjegoi se nëse toksinat nuk shkarkohen, atëherë mbeturinat e trupit do mbeten brenda nesh, ndaj dhe sistemi limfatik është i rëndësishëm të funksionojë mirë, ndryshe do na sjellë probleme në shëndet.

Joka shpjegoi se 70 përqind e sëmundjeve që na vijnë kanë shkak problemet me limfën.

“Ndjesitë që na jep limfa e bllokuar janë enjtja, ngadalësim i qarkullimit të gjakut, fryrja e syve dhe gishtave, këmbë të rënduara, sidomos në darkë, lëkurë e zbehtë pa shkëlqim, lodhje e pashpjegueshme”, nënvizoi Joka, duke treguar se gjithashtu problemet me limfën sjellin edhe fryrje të barkut, rrisin nivelin e celulitit, djersa ka erë më të fortë, mund të krijohen edhe gjendra në sqetulla. Sipas Jokës kjo tregon që qarkullimi limfatik nuk është mirë dhe në aspektin holistik, sipas tij, do fillojnë probleme me shëndetin, të cilat shkojnë deri tek shfaqja e kancerit të lëkurës, prostatës dhe kokës.

Por cilët janë personat që mund të kenë më shumë probleme me sistemin limfatik?

Ata që kanë stres, që nuk kanë jetë aktive, personat që nuk bëjnë gjumë të mirë. Problem është edhe tek ata që konsumojnë alkool dhe duhan.

Nutricionisti Joka tregoi edhe një rast të qarkullimit të dobët të limfës, tek një paciente, e cila ka pasur rikuperim pas përdorimit të një strategjie natyropatike.

 “Vajza ka pasur tumor dhe kishte krijuar nyje në gjendrat limfatike. Unë rregullova limfën dhe pati rezultat, i pashë në shumë detaje shkaqet pse ishte formuar, bëra një historik të pacientit dhe krijova një strategji natyropatike. Ishte nëna e vajzës që me anë të një mesazhi më njoftoi se pasi kishin marrë rezultatet e analizave, gjendja e saj ishte rikuperuar”, tha Joka.

Si mund ta aktivizojmë limfën

Ecja 30-50 minuta në ditë. Pompa e limfës është tek këmbët, ecja me ritëm, aktivizon pompën limfatike dhe frymëmarrjen me diafragmë. Ajo çliron zonën e barkut ku kalon shumë limfë. Kur ne e mbajmë frymën 6-10 sekonda atëherë do jetë shumë e mirë. Protokolli PRL, drenazhim i limfës është shumë i mirë, protokolli PLL gjithashtu edhe kërcimet e lehta, çdo ditë ushtrime me këmbët me shpejtësi, kjo bën që të aktivizohet limfa - quhet terapi muskulore, protokolli i rrjedhjes së jetës.  Protokolli i pastrimit limfatik heq mbetjet toksike. Shumë të mira janë edhe masazhet limfatike, ecja e përditshme e detyrueshme, gjithashtu ecja mbrapsht e aktivizon limfën. Qetësia mendore është shumë e rëndësishme, kjo quhet faza restauruese. Protokolli i aktivizimit, nis me stimul të shpeshtë, dush i ftohtë. Edhe detoksifikimi limfatik është shumë i mirë me çajra dhe ushqime antiinflamatore, çaji i luleradhiqes, hithra, rrodhja, guri zeolit, kalendula, etj.  Çaji i astragalusit, koriandrës me majdanoz ose likorina janë shumë të mira.

Ja çfarë mund të hani për të aktivizuar limfën

Ushqimet më të mira janë kastraveci, selinoja, kungulli, sallata jeshile, rukula, çaj majdanozi, koper, borzilok, mollë dhe dardhë jeshile. Të këshillueshme janë edhe portokalli, limoni, manaferra dhe boronica. Duhet të shtoni edhe vajin e ullirit me limon ose qitro, arra dhe avokado.  Farat e lirit një herë në javë si dhe panxhar, lakër e bardhë, majdanoz. Konsumoni shumë supëra dhe ujë, hiqni miellin dhe bulmetin.

Celuliti dhe lidhja me limfën!

Celuiti është midis lëngjeve, kur limfa nuk qarkullon siç duhet, rritet presioni në zonë, dhjami shtyhet më lart, indi e tërheq dhe lëngu i mbledhur krijon kontrast dhe kështu krijohet ajo që ne e quajmë celulit, pra përmirësimi i drenazhimit limfatik fillon të zhduk celulitin.