Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 2.47 milionë euro për honorare dhe shpërblime të personelit gjatë vitit akademik 2024-2025, ndërsa për kërkim shkencor buxheti është vetëm 1 e 64-ta e kësaj shume, rreth 39 mijë euro.
Diferenca e madhe mes shpërblimeve për personelin dhe investimeve në kërkim nuk është vërejtur vetëm te UT, por edhe në 8 universitetet publike të vendit, që ishin në fokus të hulumtimit të Qëndresës Qytetare.
“Tetë universitetet publike shpenzuan 103 milion euro në një vit, por 64% e buxhetit shkoi vetëm për paga, ndërsa vetëm 4.2% për kërkim shkencor. Në Korçë dhe Shkodër, shpenzimet për personelin arrijnë deri në 77%, çka tregon se këto institucione po reduktohen në shkolla që mbulojnë vetëm pagat e stafit’, tha Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare.
Sipas të dhënave të publikuara Universiteti i Tiranës rezulton se ndërsa janë shpenzuar 331 mijë euro për dieta e udhëtime, vetëm 48 mijë euro kanë shkuar për libra dhe publikime.
Madje më shumë, mbi 60 mijë euro, janë shpenzuar për detergjentë. Në këtë rast sipas hulumtimit, dokumentacioni mungon në detaje mbi llojin dhe sasinë e furnizimeve, duke e bërë të vështirë vlerësimin mes kostos dhe nevojave reale.
Qëndresa Qytetare ka ngritur shqetësime edhe për menaxhimin e fondeve në Universitetin Politeknik të Tiranës.
“Ka një hendek të madh mes materialeve që paguhen dhe shërbimeve që studentët marrin. Vetëm UPT ka shpenzuar 70 mijë euro për bojë printeri, ndërsa studentët e Arkitekturës paguajnë 200-300 euro në muaj për printime jashtë universitetit’, tha Rigels Xhemollari.
Një tjetër problematikë lidhet me kontratat e prokurimit. Nga analiza rezulton se i njëjti operator ekonomik, është përzgjedhur nga disa universitete publike për shërbime të ndryshme.
Konkretisht, universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës ka paguar 34 mijë euro për vendosje perdesh, ndërsa Universiteti Bujqësor i Tiranës i ka dhënë, të njejtës kompani, një kontratë me vlerë 119 mijë euro për mobilje dhe veshje druri. Kjo përsëritje e përfituesit, sipas Qëndresës Qytetare, nënvizon nevojën për transparencë dhe monitorim të vazhdueshëm për të shmangur klientelizmin dhe mungesën e konkurrencës së ndershme në tenderë.
Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka paguar mbi 57 mijë euro për karburant të automjeteve të personelit, dhe për instalimin e dyerve të blinduara mbi 23 mijë euro, të regjistruara si investime në përmirësimin e sigurisë së ambienteve mësimore. Ndërkohë, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan ka shpenzuar 256 mijë 282 euro për dieta dhe udhëtime, dhe 108 mijë euro të tjera për shpërblime dhe honorare.
Sipas raportit, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” madje nuk ka kryer asnjë blerje librash gjatë vitit të analizuar, ndërsa universitetet e tjera kanë realizuar shpenzime të konsideruara modeste për pasurimin e bibliotekave dhe burimeve akademike.
Komente












Dhe ketu nuk llogarritet sa marrin nen dore nga studentet.Duket se shteti i trajton universitetet si kalamaj qe kane datelindjen,u ka hapur dyqanin me karamele (buxhetin) dhe i lejon te hane cfare te duan e sa te duan.Nje kontroll me i rrepte dhe nje direktive se ku e si duhen shpenzuar keto para duhet bere patjeter.Te shohim nese autonomia universitare aq e perfolur,do te perfshije dhe financat e do ju mbledhe pak rripin ketyre qe e shohin buxhetin si cash cow e postet ne universitete si vende ku mund te vegjetosh si derrkuc ne majmeri e siper.Raporti i shpenzimeve duhet te jete 2 me 1 ne favor te kerkimit shkencor.
PërgjigjuPjesa me e madhe jane rroga dhe pagesa per oret mbinorne, pagesa udheheqje tezash master dhe doktorature, komisione etj...dmth pagesa te domosdoshme te lejuara me ligj. Asnjehere nuk ka patur buxhet te konsiderueshem per kerkim shkencor.
Po shohin modelin si operon shteti dhe e aplikojne neper universitete, po ashtu dhe shoqeria ne teresi!