​20 vjet pa Nënë Terezën
gruan e veprave të mëdha

​20 vjet pa Nënë Terezën<br />gruan e veprave të mëdha
5 shtator 2017, 20 vjet pa Nënë Terezën, gruan trupvogël të veprave të mëdha!
 
E shpallur si Shën Tereza e Kalkutës, ajo është në genet e saj një shqiptare, e lindur më 26 gusht të vitit 1910 me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, dhe ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997.
 
Më 4 shtator 2016, Papa Francescu e shpalli shenjtore misionaren shqiptare të dashurisë, Gonxhe Bojaxhiun, por ajo mbeti për të gjithë “Nënë Tereza”, siç pati thënë vetë Ati i Shenjtë, duke shprehur mendimin e të gjithëve: do të vazhdojmë ta thërrasim thjesht, Nënë Tereza.
 
Në këtë 20-vjetor të mungesës fizike të saj, kujtojmë sa pranë ka qenë dhe është ajo në jetën shpirtërore.
 
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta në rang botëror, duke përfshirë edhe Çmimin Nobel për Paqe.
 
Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt "Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike.
 
Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Francescu në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën shenjtërimit nga Kisha Katolike e Romës.
 
Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj.
 
Për të nderuar figurën e saj po rikujtojmë në këtë 5 shtator fjalët që tha Papa Françesku për Nënë Terezën, duke e ngritur në lartësinë e shenjtërisë:
 
Mbrojtëse e jetës
Papa Francesku ka thënë: “Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse e mëshirës hyjnore, gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtes së jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje....
 
U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ia njohur dinjitetin, që ia jep vetë Zoti;…e gjithnjë kundër krimit të varfërisë.
 
E ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre. Për Shën Terezën, mëshira ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.
 
Misioni i Shën Terezës në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër.”
 
Ishte e është model i shenjtërisë
Papa Francesku ka thënë: “Figura simbolike e kësaj gruaje e rregulltareje mbetet modeli i shenjtërisë së mbarë botës së vullnetariatit!
 
Nënë Tereza, dashuri e dhuruar, larg ideologjive. Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje.
 
Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh. Buzëqeshja është gjuhë ndërkombëtare!”
 
Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Saj
Papa Francesku ka thënë: “Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e Nënë Terezës e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë.
 
Buzëqeshja e Shën Terezës hap horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri!
 
Nënë Tereza e njohur si Tereza e Bekuar e Kalkutës kjo misionare e Bamirësisë i bënë krenarë, jo vetëm shqiptarët nga rrjedh gjaku i saj por të gjithë që i ka njohur në këtë jetë”
 
Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Shifrat rekord/ Malli i importit ‘mbyt’ prodhimin ‘Made in Albania’! Janar-Qershor u importuan 597 mijë tonë ushqime

Shifrat rekord/ Malli i importit ‘mbyt’ prodhimin ‘Made in Albania’! Janar-Qershor u importuan 597 mijë tonë ushqime