​Gafat e PS me Vettingun dhe
Reformën në Drejtësi/Nga Denis Minga

Situata aktuale bllokuese për zbatimin e ligjit të Vettingut ku PD deklaron se nuk do ushtrojë detyrimin ligjor për të ngritur komisionet Ad Hoc që zgjedhin anëtarët e komisioneve të Vettingut ka nxjerrë në pah gafën e madhe të mungesës së një mekanizmi zhbllokues.

Nëse i hedhim një sy Kushtetutës së ndryshuar në 21-22 korrik lexojmë nenin C pika 9 të Aneksit për Rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve ku thuhet se
 “Kuvendi krijon brenda dhjetë ditëve dy komisione ad hoc përzgjedhëse të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare, ku një komision ka 12 anëtarë dhe një ka 6 anëtarë
 
Pra në këtë nen Kushtetues votuar me konsensus të detyrueshëm flitet për shumicë dhe pakicë parlamentare pa specifikuar grupet parlamentare.
 
Ndërkohë në ligjin e posaçëm për Vettingun të votuar kësaj radhe pa konsensusin e PD ngritja e këtyre komisoneve Ad Hoc është specifikuar me fjalën grup parlamentar. Në nenin 9 pika 1a dhe 1b thuhet;
 
a) 12 anëtarë, gjashtë të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe gjashtë nga grupet parlamentare të pakicës;
 
b) 6 anëtarë, tre të propozuar nga grupet parlamentare të shumicës dhe tre nga grupet parlamentare të pakicës.

 
Pra PS dhe aleatët e saj kanë votuar një ligj pa PD por duke komplikuar mënyrën e votimit pasi grupi parlamentar është më i specifikuar sesa pakica parlamentare ku futen dhe deputetë opozitarë por që nuk janë pjesë e grupeve parlamentare. Ndërsa për të patur një grup parlamentar duhen të paktën 7 anëtarë .
 
Gjithashtu një tjetër gafë e socialistëve dhe ekspertëve të tyre është mungesa e një mekanizmi zhbllokues në rast se një palë nuk dëshiron të ushtrojë këtë detyrim ligjor për të ngritur komisionet ad hoc.
 
Po në nenin 9 pika 2 jepet procedura që ndiqet me grupet parlamentare të shumicës dhe pakicës ku thuhet
 
Kryetari i Kuvendit, brenda 3 ditëve nga dita e dorëzimit të listave të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, njofton datën dhe orën e mbledhjes së seancës plenare për krijimin dhe përbërjen e dy komisioneve ad hoc të përzgjedhjes së kandidatëve. Në këtë njoftim, Kryetari i Kuvendit i kërkon grupeve parlamentare të shumicës dhe pakicës parlamentare që të dërgojnë, brenda dy ditëve nga data e njoftimit, propozimet e tyre për përbërjen e të dy komisioneve Ad Hoc të përzgjedhjes.
 
Pra në këtë nen specifikohet afati kohor që grupet kanë për të dhënë propozimet por nuk thuhet asgjë nëse grupet nuk e ushtrojnë këtë detyrim ligjor dhe nuk japin fare propozime. Asnjë nen apo pikë neni për të zbllokuar një situatë bllokuese hipotetike.
 
Ndryshe ndodhi me procedurat fillestare të zbatimit të ligjit të Vettingut ku Kushtetuta dhe ligji ka parashikuar që procesin e nis Presidenti i Republikës dhe nëse ai nuk e ushtron procesi ndiqet nga institucioni i Avokati i Popullit. Dhe pikërisht ndodhi ajo që kishte parashikuar Kushtetuta si një mekanizëm zhbllokues . Presidenti nuk e ushtroi detyrim ligjor por në këtë rast ligjvënësi kishte parashikuar një institucion tjetër që zbatoi ligjin . Atëherë pse për komisionet Ad Hoc nuk u vendos një mekanizëm zhbllokues ligjor. Me këtë gafë të madhe socialistët dhe ekspertët e tyre rrezikojnë që të lënë pezull për shumë kohë zbatimin e Vettigut dhe gjithë reformës në drejtësi. Kjo për faktin se edhe pas zgjedhjeve të 18 qershorit sërish situata nuk do të ndryshonte nëse nuk ka vullnet një palë apo një tjetër.

Eskpertët e vjetër të PS duhet ta kishin parashikuar që ligjet nuk mund të zbatohen mbi vullnet palësh por veprime strikte dhe konkrete duke shmangur çdo situatë bllokuese hipotetike. Në këtë rast PS nuk e ka bërë dhe kjo është përgjegjësia e plotë e saj që është më kokëforte përballë propagandës së kryeministrit se 90 % e duan reformën në drejtësi apo se ka fituar një milionë vota për të bërë shtet. Mjafton vetëm një detaj i vogël ligjor për të mbajtur pezull një aspiratë popullore. Në këtë situatë nuk po flas për PD-në sepse vlen më shumë fjala e urtë popullore ajo gjen dhe bën.

Në fund doja ta mbylla me konceptin e fjalës reformë. Nuk ka reforma konsensuale por vetëm rregulla loje konsensuale. Reformat janë domen i shumicave kushdo qofshin ato . Presidenti Obama nuk do ta kishte ndërmarrë kurrë reformën shëndetësore ‘Obama Care’ në rast se do të merrte dhe konsensusin e republikanëve.
Për të ardhur në kontekstin shqiptar.

Historia na mëson se reformat e mëdha bëhen dhe pa konsensus.
Në vitin 1998 e majta dhe faktori ndërkombëtar hartuan një Kushtetutë e cila ishte shumë e nevojshme në situatën që kalonte vendi . PD nuk e pranoi asnjëherë dhe nuk dha konsensus kurrë por Kushtetuta kaloi dhe u votua në popull.
Edhe në vitin 1994 vetë PD hartoi një kushtetutë që nuk pati kurrë konsensusin e PS pavarësisht se u rrëzua në popull.

Dhe për të ardhur në rastin e fundit. Vetëm pak muaj më parë socialistët dhe aleatët e tyre kaluan një nga reformat më të rëndësishme të vendit pa konsensus, atë territoriale. Atëherë pse në rastin e reformës në drejtësi u veprua me konsensus dhe pa mekanizëm zhbollkues, ishte gafë e rëndë e socialistëve apo ka diçka tjetër?

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave