Ekzekutohet fieraku i famshëm

TIRANE (1/12/2000) Ekzekutohet me tre plumba fieraku 42- vjeçar. Ngjarja ka ndodhur ditën e merk-urë rreth orës 21.00, pranë spitalit numër 5 të kryeqytetit. Ndërsa ende nuk dihen autorët e vrasjes së fierakut, policia ka hedhur tezën e vrasjes për motive të gjakmarrjes. Tre plumba, një pas veshit, një në zemër dhe një në mushkëri, kanë lënë të shtrirë Rushdi Hasanin, duke mos lënë asnjë fije shprese për jetën e tij dhe duke "shuar" familjen Hasani, e cila për 9 muaj ka pasur 4 vdekje brenda pragut të shtëpisë. Ngjarja Në orën 21.00 të mbrëmjes së të merkurës, disa persona kanë lajmëruar policinë për një kufomë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur autopatrullat dhe ekspertët mjeko-ligjorë, të cilët e kanë gjetur pa frymë mes spitalit të fëmijëve dhe atij numër 5, Rushdi Hasanin, 42 vjeç, banues në lagjen "1 Maji", në qytetin e Fierit. Burime nga policia, kanë konfirmuar për Gazetën, se fieraku është qëlluar nga mbrapa dhe vrasja e tij ka qenë një ekzekutim profesionistësh, pasi në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhojat e plumbave, me të cilët është qëlluar. Hasani sapo kishte dalë nga Qendra Spitalore Universitare, për të shkuar te prindërit e tij në Fier. Ai ndodhej në ambientet e spitalit prej katër ditësh, pasi, siç kanë pohuar për Gazetën, të afërmit e tij në Fier, vëllai i tij i vogël, vuante nga Leuçemia dhe gjendej aty për kurim. Dhe, sapo ka dalë nga aty, është nisur, ndoshta për te makina e tij, që ndodhej e parkuar diku aty, është ekzekutuar në mënyrë të mistershme. Hetimet Menjëherë pas ngjarjes, policia e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Fierit, kanë filluar hetimet, për gjetjen e autorëve të ekzekutimit të biznesmenit fierak. Por, duket se terrenin e kanë disi të vështirë dhe të komplikuar. Dyshimi kryesor, sipas policisë, është për hakmarrje, pasi familja Hasani, para 14 muajsh ka vrarë në qytetin e Fierit, Enver Isufin, 50 vjeç. Por, ka të ngjarë, që hetimet këtu të mos japin rezultat, pasi sherri mes dy familjeve është mbyllur para 9 muajsh. Siç flitet në qytet, djali i Enverit, Arbeni, i tmerrshmi i Fierit, që njihet me nofkën, Ben Qimja i ka vrarë Rushdiut vëllain e tij, Vladimirin. Kështu, rezultati i vrasjeve është barazuar në 1 me 1, duke mbyllur edhe sherrin mes dy familjeve. Megjithatë, mes dy drejtorive të policisë, po punohet për zbardhjen e çështjes, pavarësisht ngjarjeve të vjetra. Madje, burime jozyrtare kanë thënë, se Beni dhe vëllezrit e tij ndodhen në Zvicër dhe asnjë person, që mund të marrë hak, nuk ndodhet në Fier. Kështu, ek-zekutimi mbetet i mistershëm, deri në ndonjë konkluzion të grupit hetimor. Fatkeqësitë Vrasje e ditës së mërkurë, ku u ekzekutua Rushdiu, ka thelluar edhe më tej numrin e të vdekurve në familjen Hasani, duke e çuar atë në 4 brenda 9 muajve, si dhe në prag të shuarjes. Sipas policisë fierake, para 14 muajsh, pas një sherri për motive që nuk bëhen publike, Rushdiu ka vrarë 50-vjeçarin, Enver Isufi. Këstu ka filluar gjëma për familjen Hasani. Pas 5 muajsh, Isufajt kanë marrë hak. Siç thuhet në qytet dhe në bazë të thënjeve jozyrtare të disa burimeve policore, tmerri i qytetit më të madh myzeqar, djali i Enverit, Ben Qimja, ka marrë hakun e babait të tij, duke vrarë vëllain e Rushdiut, Vladimirin, 32 vjeç. 10 ditë më pas, vëllai tjetër i Rushdiut, i cili jetonte në Itali, ka vdekur nga kanceri. Dhe, pak ditë më pas ka ndërruar jetë edhe e shoqja e tij, nga e njëjta sëmundje. Pardje në mbrëmje, Rushdiu është ekzekutuar për motive ende të panjohura. Kështu, vdekja e pronarit të bar "Rinia" në Fier, ka shënuar vdekjen e katërt në familjen e tij, brenda një kohë prej 9 muajsh, duke e çuar atë drejt shuarjes. Ndërsa një tjetër djalë i familjes, vëllai i Rushdiut, ndodhet i shtruar në spital në Tiranë, pasi vuan nga Leuçemia. Kështu, për 14 muaj vrasjet kanë ndjekur njëra-tjetrën, duke thelluar hasmëritë mes dy familjeve.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

‘Metamorfoza’, SPAK përfundon hetimet për biznesmenin Pëllumb Gjoka, akuzohet për vrasje! Dërgon për gjykim dhe 6 të tjerë, pjesë e grupit kriminal