Genocidi komunist mbi familjen e Gjeneral Përvizit
Dëshmia e Zef Përvizit: "Genocidi i egër ndaj fisit tonë, filloi që me arrdhjen e komunistëve në pushtet.
(24/3/2002)Dëshmia e Zef Përvizit: "Genocidi i egër ndaj fisit tonë, filloi që me arrdhjen e komunistëve në pushtet. Në vitin 1947 u arrestua babai im Ndue Gjergji, i cili pasi u dënua me vdekje, mundi të arratisej nga burgu i Krujës. Në 5 prill 1951 ai u rrethua nga Forcat e Ndjekjes të cilat e sharruan me mitroloz së bashku me shokun e tij Kol Toskun dhe trupat e tyre humbën në Lumin e Matit"
--------------------------------------------------------------------------------
Dashnor Kaloçi
Në pjesën e parë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm në kuadrin e ciklit "Familjet e Mëdha" të Shqipërisë, u njohëm me historinë e familjes së Gjin Pjetër Përvizit nga Skuraj i Kurbinit, i cili në 28 nëntorin e vitit 1912, me porosinë e Dom Nikoll Kaçorrit ngriti flamurin në Milot. Gjin Pjetër Përvizi vdiq në vitin 1915 dhe në varrimin e tij përveç Kryepleqësive të Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Veriut, morën pjesë dhe Dom Nikoll Kaçorri e Shtjefën Gjeçovi, që ishin miqtë më të ngushtë të tij. Në vitet e regjimit komunist, figura e tij nuk u vlersua dhe nuk iu dha vëndi i merituar në histori. Kjo gjë erdhi për shkak të persekucionit që u ndërmor ndaj fisit të Gjin Pjetrit, që në vitin 1946, kurr Gjenerali Prenk Përvizi, ish Ministër i Mbrojtjes në periudhën e pushtimit gjerman, doli në mal dhe u arratis nga Shqipëria
Nga viti 1921 deri në vitin 1923, Kapiten Prenk Përvizi shërbeu pranë Batalionit Special që komandohej nga major Prenk Jaku, duke marrë pjesë në disa operacione për shtypjen e rebelimeve dhe vendosjen e rendit e qetësisë në vënd. Gjatë asaj periudhe Kapiten Përvizi që ishte zv / Komandant i asaj njësie speciale, u bë i njohur sidomos në mbrojtjen e Tiranës në revoltën e vitit 1922 kur ajo u sulmua nga forcat e Elez Isufit dhe Bajram Currit. Pasi erdhi nga Shijaku në Tiranë, Kapiten Përvizi u takua me Ministërin e Brendshëm Ahmet Zogun, (që kishte marrë vetë komandën e Operacionit për shtypjen e revoltës), i cili e caktoi të mbronte Parlamentin. Përvizi me njerzit e tij e mbrojti atë duke i zbrapsur forcat rebele të Elez Isufit deri në rrëzë të malit të Dajtit. Roli i Kapiten Përvizit në shtypjen e asaj revolte ishte vendimtar, sepse ai nuk pranoi ofertat që iu bënë për të kaluar në anën e forcave rebele, duke iu thënë se si ushtarak, ai i shërbente vetëm Atdheut dhe Qeverisë së ligjëshme. Po kështu edhe pas vitit 1924 kur Ahmet Zogu rimori postin e Kreyeministrit, Kapiten Përvizi vazhdoi të shërbente si ushtarak dhe besnik i tij. Në vitin 1926 ai mori pjesë në shtypjen e Kryengritjes së Dukagjinit, gjë e cila ja rriti mjaft famën si ushtarak. Pas kësaj Prenka u gradua jashtë rradhe nga Mbreti Zog i cili i dha gradën e Kolonelit, duke e vlersuar si një nga ushtarakët më të përgatitut të asaj kohe. Karriera ushtarake brilante e Prenk Përvizit, zgjoi xhelozinë e disa ushtarakëve të tjerë që nëpërmjet njerëzve të afërt të Oborrit Mbretëror, hapnin fjalë se Përvizi kërkonte të merrte në dorë Komandën e Përgjithëshme të Ushtrisë, për të rrëzuar Ahmet Zogun. Duke rënë pre e këtyre intrigave të Pallatit Mbretëror, Ahmet Zogu e largoi Prenkën nga Shqipëria duke e dërguar me studime në Itali", dëshmon Zef Përvizi lidhur me kushëririn e tij Prenkën, i cili në vitet 1921-1926 mori një famë të madhe si ushtarak duke dalë përkrah Ahmet Zogut në shtypjen e disa revoltave.
Këshilltar i Zogut
Në Itali Prenk Përvizi studjoi për katër vjet, nga 1930 deri në 1934, në Akademinë Ushtarake të Torinos ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Pas kthimit në Shqipëri, Mbreti Zog duke e vlersuar Prenkën si një ushtarak të përgatitur, e emëroi si Këshilltar të tij për problemet e Mbrojtjes. Në atë funksion Prenk Përvizi dha një kontribut të madh për ngritjen dhe modernizimin e Ushtrisë shqiptare. Aty nga viti 1938 kur Italianët filluan luftën kundër Abisinisë, Mbreti Zog e caktoi Kolonel Prenk Përvizin që të merrte pjesë si vëzhgues në atë Luftë. Ajo gjë u realizua në kuadrin e Komisionit të Vëzhguesëve Ndërkombëtar që u caktuan aty me oficerë të lartë nga Japonia, Portugalia, Austira dhe SHBA-ja. Në kuadrin e Misionit të Vëzhguesëve Ndërkombëtarë, Prenk Përvizi së bashku me shumë oficerë madhorë të vëndeve të tjera pjesmarrëse të atij Komisioni, qëndroi për shumë kohë pranë dy gjeneralve të famshëm italianë, Badoglio dhe Graciani. Pas kthimit nga Misioni i Abisinisë, Prenk Përvizi u prit në audiencë nga Mbreti Zog dhe i bëri të ditur atij, se pas Abisinisë, Shqipëria do të ishte viktima e rradhës e Italisë. Lidhur me takimin e Përvizit me Mbretin Zog, Zef Përvizi dëshmon: "Pas ktjimit nga Abisinia, Prenka ishte tepër i bindur se Italia kishte parashikuar një sulm të afërt ndaj Shqipërisë. Duke u nisur nga kjo, Prenka i kërkoi Mbretit Zog që ai t'i jepte Komandën e Përgjithëshme të Ushtrisë dhe të merreshin masat për forcimin e bregdetit për të qenë të përgatitur ndaj çdo sulmi eventual që mund t'ju vinte nga Italia. Pas kësaj Mbreti Zog, jo vetëm që nuk ia dha Prenkës Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë, por ai e degradoi atë me ulje në gradë dhe e emëroi Komandant Batalioni në Zëmblak të Korçës. Në 7 prill të vitit 1939, ndërsa Ahmet Zogu me njerzit që e shoqëronin ishte duke u larguar nga Shqipëria, ai u takua me Prenk Përvizin, fare pranë kufirit me Greqinë, aty ku ai shërbente ai si Komandant Batalioni. Takimi i Zogut me Përvizin u bë në shtëpinë e Kullajve në Zëmbëlak dhe ndërmjet tyre u bë një debat i ashpër lidhur me ato çka Prenka i kishte thënë Mbretit Zog në lidhje me sulmin e Italisë. Thuhet se Zogu i pranoi gabimet e tij të cilat kishin ardhur për shkak të intrigave që i kishin ngritur njerzit e afërt të oborrit dhe që atë moment ai e ngarkoi Përvizin me funksionin e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare", dëshmon Zef Përvizi lidhur me takimin e Zogut me Prenkën në 7 prillin e 1939-ës.
Arratisja
Pasi Prenka e përcolli Zogun deri në Follorinë, ai u kthye në Tiranë dhe u muar me riorganizimin e Ushtrisë Kombëtare, duke i kërkuar Gjeneral Parianit që të mos prekeshin ushtarakët dhe nacionalistët shqiptarë që kishin luftuar në 7 prill. Në vitin 1940, Prenka u tërhoq nga fronti i luftës me Greqinë, duke protestuar se Batalionet shqiptare që ishin dërguar në atë front, duhet të komandoheshin e të merrnin urdhëra vetëm nga ai. Pas kapitullimit të Italisë, Gjeneral Përvizi u thirr nga Regjenca e e Lartë e cila e emëroi si Komandant të Përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare. Këtë detyrë Prenka e mbajti deri në vjeshtën e 1944-ës, kur u largua duke dhënë dorheqjen. Lidhur me këtë Zef Përvizi dëshmon: "Pasi dha dorheqjen nga detyra e Komandantit të Ushtrisë, Gjeneral Përvizi u vendos në malet e Skurajt dhe Mnelës, së bashku me Misionet Ushtarake anglez të cilat u atashuan pranë tij. Në atë kohë si shenjë hakmarrje për dhënien e dorëheqjes, gjermënt bombarduan me artileri malin e Skurajt dhe e dogjën kullën e Prenk Përvizit. Pas kësaj Prenka nuk u largua nga Shqipëria edhe pse pati shumë oferta, por ai qëndroi në malet e Kurbinit i ndihmuar nga familja e Nikoll Llesh Gjokës (Përvizi) e cila e mbajti me bukë. Në atë kohë ai i dërgoi dy protesta pranë Legatës Franceze në Tiranë dhe Misionit Britanik, lidhur me represionin e egër që po ndiqte Qeveria komuniste e Enver Hoxhës. Duke mos pasur rrugëdalje tjetër, në verën e vitit 1946, Prenka u vesh si malësor dhe krejt i vetëm shkoi deri në Tiranë ku u takua me djalin e tij Gencin. Pas kësaj ai u takua edhe me ish-shoferin e tij Llazi Sterjon, i cili me kamionin e tij e dërgoi deri në afërsi të kufirit në zonën e Bilishitit dhe prej andej Prenka doli në Greqi. Para se të vendoste për t'u arratisur, me anë të një djali 14-vjeçar nga fisi ynë, Prenka i dërgoi një letër Gjeneral Spiro Mojsiut të cilin e kishte pasur mik të ngushtë, duke i kërkuar që të mos i prekej familja (Pas 1944-ës, Mojsiu e ndihmoi disa herë familjen Përvizi) Arratisja e Prenkës bëri bujë të madhe, sepse ai dha një intervistë në Radion shtetërore të Athinës, ku denoncoi raprezaljet dhe genocidin e egër që po ndiqte Qeveria Komuniste e Enver Hoxhës. Pas arratisjes së Prenkës, regjmi komunist filloi raprezaljet ndaj familjes së tij dhe gjithë fisit tonë Përvizi. Menjëherë u arrestuan Llazi Sterjo, Marta Doda, Ndue Pjetri dhe djali i tij Genc Përvizi të cilët u dënuan me nga dhjetë vjet burg, për ndihmën që ata i dhanë Prenkës për t'u arratisur", dëshmon Zef Përvizi lidhur me arratisjen e kushëririt të tij, Gjeneralit të famshëm që ishte Ministër i Mbrojtjes në periudhën e pushtimin gjerman.
Vrasja e Ndue Gjergj Përvizit
Pas arratisjes së Gjeneral Përvizit, regjimi komunist nuk u mjaftua vetëm me internimin e nënës Mrikës, bashkëshortes Anës dhe dy djemve Valentinit e Lekës, (Genci ishte në burg) dhe atyre që e ndihmuan atë për t'u arratisur, por pesha e dhunës filloi të ndjehej edhe ndaj gjithë fisit të Përvizve në Skuraj të Kurbinit. Një nga të parët që u kërkua për t'u arrestuar, ishte Ndue Gjergji (Përvizi) i cili në atë kohë ishte Kryetar i këshillit Nac-Çlirimtar të fshatit Skuraj. Nduja i cili kishte lindur (në vitin 1915) në kullat e Gjin Pjetrit në Skuraj, pasi u shkollua në Konviktin e Oroshit dhe "Malet Tona" të Shkodrës, ku kishte shok të ngushtë Mujo Ulqinakun, gjatë viteve të Monarkisë u specializuar në Itali për Financat Doganore. Ai u kthye në Shqipëri në vitin 1940 dhe pasi punoi disa kohë në Doganat e Kakavijës dhe Qaf-Shtamës, në 1944 u emërua si Komandant i Postës së Xhandarmërisë në fshatin Laç të Kurbinit. Pas mbarimit të Luftës, ai qëndroi në fshatin e tij Skuraj. Lidhur me këtë, djali i tij Zefi dëshmon: "Në janarin e vitit 1945, në fshatin Skuraj kaloi një nga Brigadat e Ndjekjes dhe ajo kërkoi takim me Kryeplakun (që ishte babai im Ndueja) të cilit i dorzuan një letër ku ishin shënuar disa nga burrat e asaj zonë, që do të pushkatoheshin. Nduja e mori letrën dhe kur e pa se në krye të saj figuronte emri i tij, duke shfrytëzuar rastin që ata nuk e njihnin, u largua e doli në arrati, duke bashkëpunuar me me Mark Gjon Markun dhe Gjeneral Prenk Përvizin që në atë kohë ishte ende në mal. Nduja u arrestua nga forcat e Sigurimit në 14 tetor 1947, teksa ishte duke ndarë kafet në varrimin e nënës së tij. Pas kësaj atë e dërguan në burgun e Tiranës ku pas shtatë muajsh torturash, gjyqi e dënoi me vdekje duke e akuzuar se kishte bashkëpunuar me Mark Gjon Markun, Gjeneral Përvizin, Mark Zef Palin dhe Rexhep Kapidanin e Durrësit, për të rrëzuar pushtetin popullor. Teksa ai mbahej i izoluar në burgun e Krujës, u arratis që andej natën e 5 prillit 1948, që përkonte me të Djelën e Pashkëve të Madhe. Së bashku me babanë, atë natë u arratisën dhe kushëriri ynë Ndue Pali (Përvizi) dhe Xhemal Muka i Krujës. Pas kësaj Nduja doli përsëri në mal dhe mori drejtimin politik e ushtarak të forcave të rezistencës antikomuniste të zonës së Kurbinit, duke vepruar dhe në Krahinat e Krujës, Matit, Mirditës, Lezhës dhe Pukës. Në atë kohë ai bashkëpunoi ngushtë me krerët e rezistencës antikomuniste që ishin në arrati dhe ata që u hodhën me parashuta nga CIA amerikane, si Alush Lleshanaku, Xhevdet Blloshmi, Pjetër Gjoci, Gjon Gjinaj, Sandër Saraçi, Ali Alia etj. Në vitin 1950, Nduja ra në përpjekje me Forcat e Ndjekjes në Qafë- Shqarth të Mirditës, ku megjithë ndihmën që iu dha nga aviacioni anglo-amerikan, mbetën të vrarë shokët e tij: Pashko Suma, Sandër Saraçi e Ali Alia. Në vitin 1950, Nduja u caktua nga ana e Komitetit të Maleve me detyrën e Prokurorit të këtij Komiteti dhe një vit më vonë në 14 marsin e 1951, ai u rrethua nga Brigadat e Ndjekjes në Prosek të Mirditës, së bashku me dy shokët e tij Kol Tosku dhe zef Hyseni. Pas atij rrethimi që zgjati 24 orë, babai mori në krah shokun e tij të plagosur Kol Toskun dhe ndërsa ishte duke kaluar lumin e Matit për të dalë në fshatin Vabli, u qëlluan me mitroloz dhe të dy mbetën të vrarë. Trupat e tyre humbën në valët e ftohta të atij lumi dhe nuk u gjetën kurrë" e përfundon rrëfimin e tij Zef Përvizi, lidhur me vrasjen e babait të tij Ndue Gjergj Përvizit.
Genocidi ndaj fisit Përvizi
Kalvari i vujatjeve për fisin e Gjin Pjetër Përvizit që në 1912-ën ngriti Flamurin në Milot, filloi që në 1945 me ardhjen e komunistëve në pushtet . Por ai u bë më i egër pas arratisjes së Gjeneral Përvizit në vitin 1946, ku pothuaj të gjithë pjestarët e atij fisi iu nështruan një persekucioni të egër dhe barbar. Që na ajo kohë e deri në vitin 1991, nga ajo familje u ekzekutuan apo vdiqën në burgje, internime dhe arrati, 15 vetë, ku katër prej tyre ishin gra. Po të mblidhen të gjitha vitet e vuajtjeve që pjestarët e fisit Përvizi, kaluan në burgje dhe internime, ato bëhen plot 628 vjet. Nga ai persekucion i egër mundi që të shpëtonte vetëm Gjenerali i famshëm Prenk Përvizi, i cili u arratis nga Shqipëria në vitin 1946. Ai jetoi në Bruksel ku dhe vdiq në vitin 1977 në moshën 80-vjeçare, ndërsa gruaja e tij Ana dhe tre djemtë, Genci, Valentini dhe Leka, ndodheshin në internim në kënetat e Myzeqesë.
//Shqiptarja.com
Sondazhi i ditës:
Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?
-
Po
54.9%
-
Jo
36.6%
-
Nuk e di
8.5%
Vota total: 1337
Votat totale janë unike
Lajme të tjera
-
Elbasan/ Aksident i rëndë pranë fshatit Pajovë, humb jetën fëmija 10 vjeçar nga përplasja e dy automjeteve
31 Tetor, 15:08
-
‘Kishin marrë një çantë me shegë për t’ia çuar fëmijëve’, gazetari për atentatin në Shkodër: Vriten njerëz të pafajshëm
31 Tetor, 15:08
-
Bllokuan rrethrrotullimin e Bradeshit, Gjykata liron nga burgu 3 protestuesit e PD, do hetohen në liri! 3 ende në kërkim dhe 20 nën hetim (LISTA)
31 Tetor, 15:05
-
Edison Ypi: Mish Gjyshit
31 Tetor, 15:03
-
Atentati me 3 viktima në Shkodër/ Gazetari Dervishi në Report Tv: Bajrat dhe Lici konflikte legjendare, kanë dalë edhe në Sky ECC! Pse nuk i monitoron policia?!
31 Tetor, 15:02
-
Alba Malltezi: Para BE-së po tregojmë se jemi armiq të përbetuar të vetvetes
31 Tetor, 14:52
-
Vendi i 7-të për 'Topin e Artë', Lautaro Martinez: Prisja më shumë, ky çmim nuk është i drejtë
31 Tetor, 14:52
-
Spanjë/ 105 të vdekur nga përmbytjet, Valencia zona më e goditur! 120 mijë persona zhvendosen nga shtëpitë e dëmtuara
31 Tetor, 14:40
-
Raporti për Shqipërinë, Ambasadori Gonzato: Duhet udhëheqje e fortë politike! Korrupsioni shqetësim serioz! Asnjë progres në lirinë e shprehjes (FJALA E PLOTE)
31 Tetor, 14:39
-
Përmbytjet në Spanjë, shtyhen dy ndeshjet e La Ligas! Mes tyre Valencia - Real Madrid
31 Tetor, 14:30
-
Donald Trump del në fushatë me një kamion mbeturinash
31 Tetor, 14:29
-
Aksident në Bulqizë, makina përplas motorin! Plagoset rëndë një person
31 Tetor, 14:11