Këshilltari: Do t'i çoj në Gjykatën Kushtetuese

(4/29/2001)Agim Zeka anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës që përfaqëson të Djathtën e Bashkuar Shqiptare, menjëherë pas mbledhjes së dy ditëve më parë reagon: Si e gjykoni ju interpelancën me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama? "Për interpelancë kryetari i Bashkisë, Rama, është kërkuar që në fund të muajit janar, por ky i fundit erdhi në fund të muajit prill. Në rregulloren e Këshillit Bashkiak thuhet se kryetari i Bashkisë raporton një herë në 6 muaj para Këshillit për të gjithë punën e kryer nga ky institucion. Tani në muajin prill bëhen fiks 6 muaj nga fillimi i mandatit të Ramës, pra kjo interpelancë ishte në njëfarë mënyre raportim." Si ju dukën shpjegimet e Ramës në lidhje me pyetjet që i bënë dy anëtarët e Këshillit Bashkiak, Kujtim Gjuzi, përfaqësues i PDK-së, dhe Gogo Gjivogli, përfaqësues i PSD-së? "E thashë edhe më parë, kjo nuk ishte interpelancë, por njëfarë raportimi dhe për një fakt tjetër. Kryetarit të Bashkisë iu kërkua të justifikonte mbi 60 milionë lekë të rinj që kishte miratuar Këshilli, por kjo u kalua tangent me disa shifra që nuk justifikuan asgjë." Po gjuha e kryebashkiakut Rama? "Interpelanca, nëse mund ta quajmë kështu, u kalua në fyerje me gjuhën e rrugës. Kam mbajtur shënim fjalët e tij kur na drejtohej ne me Ju si: Ju s'mund t'i ktheni pronat se s'keni gjë në dorë, duke fyer PD-në dhe qeverisjen e saj vendore të kaluar si: PD-ja ka ngrënë 15 metra katrorë bar (por unë i kujtoj Edi Ramës se bar shqiptarëve i ofroi për të ngrënë Enver Hoxha) apo problemet në Bashki kanë ardhur nga idiotizmi dhe pisllëku i administratës së kaluar dhe më në fund kërkoi ndihmë për të pastruar fekalet e bajgat që la administrata e kaluar. Unë i ftoj të gjithë lexuesit të gjykojnë fjalët e këtij personi që ka qenë Ministër Kulture." Kush është zgjidhja juaj për të frenuar vendimet e padrejta të Këshillit Bashkiak? "Gjej rastin t'i përsëris ftesën këshilltarëve demokratë për pjesëmarrje në Këshill, për të ndaluar vendimet revolucionare të maxhorancës arrogante socialiste. Gjithashtu ju them se do t'i çoj vendimet e padrejta antiligjore të Këshillit Bashkiak deri në Gjykatën Kushtetuese."

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ernest Muçi shënon golin e 4-t, dërgon Besiktasin në finalen e Kupës së Turqisë