Ku kanë shkuar 70 milionët?

TIRANE (20/3/2001) Edi Rama ku kanë shkuar 70 milonë lekët (e reja) që janë miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, në fund të vitit të kaluar? Kryetari i Komisionit të Ndërtimit dhe Zhvillimit Urban, Kujtim Gjuzi, i lodhur nga përpjekjet e tij brenda Këshillit Bashkiak, të cilat kanë mbetur pa përgjigje, ka kërkuar dje publikisht transparencë të hapur nga kryebashkiaku Rama, në lidhje me 70 milionë lekë që janë miratuar në fund të vitit 2000, të cilat nuk dihet ku kanë përfunduar. Për të bërë transparencën e këtyre fondeve Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur tre herë, por mungesa e kryebashkiakut e ka bërë të pamundur dhënien e përgjigjes se ku kanë përfunduar ato. Fondet Në mesin e muajit nëntor të vitit 2000, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar nga rezervat e buxhetit bashkiak, një fond shtesë prej 50 milionë lekësh, për mjete kancelarike të Bashkisë, aparatura kompjuterike, telefona, makina etj. Miratimi është bërë konform ligjit dhe sipas procedurave të njohura për nevoja të veçanta. Nga ana tjetër, një muaj më vonë, pra në dhjetor të vitit 2000, ky Këshill ka miratuar edhe një fond shtesë prej 20 milonësh, për përgatitjet e Vitit të Ri, pajisjet e sistemeve të semaforëve, bojëra për vizimet e rrugëve etj. Në këtë mënyrë, zhbllokimi i fondeve është vendosur kolegjialisht, duke paracaktuar destinacionet ku do të shpenzoheshin. Por, sipas specialistëve, shpenzimet e nevojshme kanë qenë shumë herë më të vogla sesa shifrat e miratuara. Për këtë arsye, më datën 23 janar, në takimin e përfaqësuesve të Këshillit Bashkiak, është përcaktuar se transparenca e fondeve shtesë do të bëhej në mbledhjen e ardhshme të datës 13 shkurt. Përveç kësaj, Kujtim Gjuzi, me anë të dy letrave që i adresoheshin kryebashkiakut dhe përfaqësueve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka kërkuar me precedencë vënien në rendin e ditës të kësaj pike. Mbledhjet Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 23 shkurt 2001, për shkak të mungesës së kryebashkiakut Rama, i cili ndodhej atë ditë në Firence, pika 6 e rendit të ditës nuk u diskutua. Kjo pikë "Një interpelancë me kryetarin e Bashkisë, Tiranë", u shënua në fund të mbledhjes me pikëpyetje. Për këtë arsye u vendos që "transparenca për 70 milionët" do të bëhej më 13 mars, por edhe kjo mbledhje nuk është realizuar. Më pas, për transparencën është përcaktuar 16 marsi, por mungesa e Ramës ka bërë që kryetari i Komisionit të Ndërtimeve dhe Zhvilliit Urban, të kërkojë publikisht nga Rama që të bëhet transparenca e fondeve shtesë, pa të cilën Këshilli Bashkiak ka të drejtën të hedhë hije dyshimi mbi të gjitha veprimtaritë e ardhshme financiare. Kërkesa "Kam bërë dy kërkesa me shkrim, ku kam paraqitur 6 pyetje në lidhje me mungesën e transparencës, për fondet shtesë, por ende nuk kam marrë përgjigje nga kreu i Bashkisë së Tiranës". Kështu ka deklaruar dje, kryetari i Komisionit të Ndërtimit dhe Zhvillimit Urban, në Këshillin Bashkiak, Kujtim Gjuzi, i cili nënvizoi se do të vijojë të kërkojë se ku kanë shkuar paratë. "Si përfaqësues demokristian i Këshillit Bashkiak, por edhe si qytetar i Tiranës, jam i shqetësuar të di se ku shkuan fondet shtesë të aprovuara në fund të vitit të kaluar". Pa dashur të kalojë në paragjykime të parakohshme, Gjuzi thekson se "është folur për sisteme semaforësh, të cilët kanë mbetur ende të parregulluar, është folur për vizime rrugësh, që në fakt nuk kërkojnë aq shumë shpenzime dhe është folur për elemente kancelarike, por unë dua të di konkretisht ç'është blerë dhe cila ka qenë vlera reale e tyre". Në fund Gjuzi shton se "është e rëndësishme që qytetarët e Tiranës të mësojnë se cili është çmimi i veturave dhe makinave lukzoze që përdoren nga drejtuesit, në Tiranën e qytetarëve të varfëruar në kulm". Gjuzi gjithashtu ka akuzuar drejtuesit e Bashkisë për mosinformim të qytetarëve, të cilët nuk kanë ftuar ose kanë përjashtur strukturat mediatike nga mbledhjet ku është parashikuar të bëhet transparenca e fondeve. Këto ai i ka bërë prezente edhe në dy letrat që i drejton kryebashkiakut Rama dhe përfaqësuesve të Këshillit Bashkiak. Heshtja Heshtja që ka pllakosur Bashkinë e Tiranës, si edhe dyert e mbyllura të bashkiakëve dhe administratorëve, ku kërkohet sqarimi i shifrave të transparencës tregon qartazi se kjo transparencë do të vonohet edhe shumë muaj të tjerë. Kësisoj, sqarimi që kërkohet për semaforët e prishur të Tiranës, gjen në dyert e Bashkisë dritën e kuqe të ndezur dhe askush nuk dëshiron të hapë gojën.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Joe Biden tërhiqet nga gara presidenciale në SHBA, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kompanitë në proces të rikthimit, pas avarisë teknologjike