Kur biznesmenët e dy kullave kërkuan 500 mijë USD nga "Gazeta"

(23/1/2002)Kur "Gazeta Shqiptare" shkroi në mars të vitit 2001 për pronësinë e Abdy Latifit (njeriu i dëbuar nga CIA si i dyshuar për lidhje me Bin Ladenin) në ndërtimin e dy Kullave përballë kryeministrisë, ortakët e tjerë të kësaj sipërmarrjeje gjigande përgënjeshtruan kategorikisht, po në mars 2001, madje duke kërcënuar dhe me padi penale dhe me një gjobë 500 mijë dollarëshe. "Ne konfirmojmë - shkruhet në letrën e përgënjeshtrimit që po publikojmë sot - se në ndërtimin e këtij objekti, nuk ka as dhe 1 dollar financim të bërë as nga Bin Ladeni dhe as nga Abdyl Latif". Pa u mbushur ende plot një vit, po këta biznesmenë, publikuan dje në gazetën "Korrieri" kontratën me emrin e Abdyl Latifit si ortak në ndërtimin e dy kullave për të cilat është marrë vendimi i sekuestrimit për "dyshim për para të lidhura me terrorizmin". Përgënjeshtrimi i mbërritur në redaksinë e Gazetës është i firmosur nga emra të mëdhenj të biznesit shqiptar: për Shoqërinë TID, Behar Male; për Karavanin Amr Elzany; Vladimir Kosta; Marsel Skendo dhe Vasil Naçi. "Këtë dizinformim - shkruhej në përgënjeshtrim - e kanë realizuar disa gazeta të pavarura si Albania, Koha Jonë, Gazeta Shqiptare dhe me mbështetjen e televizionit kombëtar Telearbëria". Gjuha e përdorur nga biznesmenët sa vjen dhe ashpërsohet duke cilësuar si "mashtrim" raportimin e një lajmi të vërtetë, të dhënë nga gjithë mediat e sipërme: "Duke vepruar si maska të zeza - shkruajnë biznesmenët - këta organizatorë u përpoqën të manipulojnë gjithë median tjetër shqiptare, ku pjesa më e shëndoshë e saj refuzoi bashkëpunimin në këtë mashtrim". Pastaj, me gërma të zeza, pra që të dalloheshin mirë nga botuesit, shënonin: "Shuma e kërkuar nga ana jonë prej mediave shpifëse të lartpërmendura si dëmshpërblim është në masën 500.000 USD". Për fatin tonë, biznesmenët mund të blejnë pasuri milionadollarëshe edhe në qendër të Tiranës, por memorien, kur i lë, vështirë se mund ta blejnë. Eshtë detyra jonë t'ua kujtojmë - i vetmi mjet që kemi në dispozicion - e të themi me të madhe se kishim të drejtë ne, "Gazeta Shqiptare" dhe të tjerët që e dhanë lajmin në mars 2001: Abdyl Latif (i dëbuari i CIA-s që në nëntor 1999) ishte ortak te dy Kullat përballë Kryeministrisë.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Veliaj me pensionistët e Njësisë 1: Reforma për sigurimet shoqërore, hap rrugën për pensione më dinjitoze