A e prishin të djathtën shqiptare kaq shumë të 'djathta'?

A e prishin të djathtën shqiptare kaq shumë të 'djathta'?

“Nuk është e pazakontë të jesh konservator. Por është e pazakontë të jesh intelektual ‘i Djathtë’. Në Britani dhe në SHBA, rreth 70 për qind e akademikëve e identifikojnë veten si ’të Majtë’, ndërsa, kultura përqark është armiqësore ndaj vlerave tradicionale ose ndaj qëndrimeve që mund të bëhen në lidhje me arritjet e mëdha të qytetërimit perëndimor”, shkruan në fillimin e librit “How to be a Conservative”, Sir Roger Vernon Scruton (përkthyer në shqip nga UET) , që në këtë rast autori citon John Jaschic.

Po pse ndodh kështu me ‘të Djathtën’? Po pse në Shqipëri e sulmojnë për vlera apo pse vetë ata futen në qerthuj, që në vetvete nuk janë tharmi i tyre i vërtetë ose ia atakojnë njerëzit, mu edhe ata që e lartuan si ideologji. Analiza nuk mund të mbyllet në harkun e një shkrimi, kur mendon se në Socializëm, sistemin ekonomiko-shoqëror më të gjatë në historinë e shtetit shqiptar, ata jo vetëm nuk patën mundësi të shpreheshin, por përfaqësues të njohur të tyre do ishin në burg, internime apo të shpërfytyruar dhe më keq akoma të nëpërkëmbur larg vendit.

Theksi për atribute sublime të shtetit, ku dominon respekti për pronën, individin, institucionin, fenë janë në bazë të koncepteve të tyre dhe të atyre që asokohe të Djathtët i ofruan shqiptarëve të para Luftës së Dytë me një mungesë të madhe kulture, por më shumë se kaq paqartësi ideologjike dhe përballë ardhjes së Komunizmit që asokohe konsiderohej si tejet modern. Gjithsesi, edhe me këto kushte, e Djathta jo vetëm bëri rrugën e vet por filloi të rregullonte tezat e përfaqësimit, veçse jo të zbatimit në terren, që do ta linin me një disavantazh të madh me ata që do kapnin dhe do e mobilizonin më së shumti vendin në kahun e fitores luftën anti-fashiste. Reagimi i të Djathtëve do ishte i pamjaftë, një pjesë do bashkëpunonin hapur, lufta kaotike e tyre edhe kur ishte në kahun e duhur do zbehej. Për të ardhur në kohën tonë, kur paragjykimi vazhdon në një sens tjetër, mënyrën e tyre të qeverisjes për 13 e më shumë vjet, paçka se falë drejtimit të duhur, konjukturave të kohës, por edhe familjes së tyre evropiane vendi ka marrë nga gjërat më të paimagjinueshme në histori: Bashkimin në NATO (edhe konjukturë), Vizat (në fakt kontribut për të gjithë rajonin i Brukselit), por edhe disa nga fazat e integrimit evropian. E megjithatë shumë nga idetë e tyre, elaborimet e shumë tezave janë të trishta për moszbatimin. Nuk mundën t’i japin vendin e duhur të persekutuarëve, në një nga votimet do kërkonin edhe votat e komunistëve (!), e futën në kaos problemin e pronave (një nga plagët më të mëdha të vendit) me viktima pa fund, nuk kanë një qëndrim të unifikuar për vlerat e luftës antifashiste të shqiptarëve të gjithë krahëve e me rradhë.

Po pse e vuajnë të Djathtët e thjeshtë shqiptarë të gjithën këtë? Pasi ata duke respektuar shtetin, institucionin ia delegojnë prej vitesh zgjedhjen e tyre politikanëve të krahut të tyre, që në jo pak raste tregojnë se nuk kanë peshën, fuqinë por më shumë se kaq vizionin të kuptojnë realisht komunitetin e të Djathtëve shqiptarë. Në rastin e Anglisë, një nga ideologët më të mëdhenj të Konservatorizimit, Scruton, do shprehej kështu: “Të Djathtëve të zakonshëm-dhe shumë, në të vërtetë, shumica e njerëzve bien në këtë kategori-iu thuhet pandërprerë, se idetë dhe ndjesitë e tyre janë reaksionare, paragjykuese, seksiste apo raciste. Bash nga të qenit ajo që janë, ata nuk përshtaten me normat e reja të mosdiskriminimit apo gjithëpërfshirjes. Përpjekjet e tyre të ndershme për të jetuar sipas dritës të tyre, krijuar familje, ndërtuar komunitet, adhuruar Zotin dhe adoptuar një kulturë të caktuar-përbuzen dhe përtallen nga klasa e Guardian-it”.

Problemi i të Djathtëve shqiptarë është se sot janë të përfaqësuar nga shumë e shumë parti, ku nuk ravijëzon realisht koncepti bazë i tyre, programe për ata bërë aty-këtu, shkruar bukur, por pa thelb. E para syresh, Partia Demokratike, si një front i madh kundër ish Partisë së Punës, që u trashëgua shumë e reformuar te Partia Socialiste, nuk mundi të kapte realisht kërkesën dhe frymën e këtyre të Djathtëve. Nuk i dha besimin dhe dinjitetin e pronës, nuk çliroi dhimbjen e të persekutuarve, nuk e respektoi institucionin e shtetit, mbolli piramidat e fajdeve duke varfëruar shqiptarin, nuk gjeti ata qindra njerëz pa varr, por më shumë se kaq e katandisi Shqipërinë në vitin 1997 me një luftë civile. Partia Republikane, megjithë një lloj ekuilibri prej liderit të saj historik Godo, e humbi kalin e betejës që ishte prona prej vështirësive dhe manovrimeve për të qëndruar në pushtet. Mbase në këtë hulli gjetën truallin parti të pafundme të vogla mes tyre të Shehit, Nard Ndokës, Ngjelës që të kërkonin identitete të reja në konservatorizëm dhe kristian-demokratët etj., shtuar sot dhe me dy partitë e sotme sfiduese në zgjedhje, njëra drejtuar nga ish-kreu i Kuvendit Jozefina Topalli dhe tjetra nga kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Astrit Patozi, duke dashur më shumë sesa të sjellë frymë, të heqin hegjemoninë e krerëve të kalcifikuar dhe të mos njohin pushtetin e Bashës, kreut aktual të PD-së. Dhe, nuk mbaron këtu, ka plot partiza të së Djathtës që gjoja kanë mbajtur kauzën e pronarëve, por realisht u kthyen në kundërshtarë të pronarëve sepse nuk kontribuuan kurrë kundër Ligjit 7501 dhe në jo pak raste shndërruan pronat, duke na sjellë remineshanca të sjelljes së regjimit komunist.

E vimë në frymën e këtyre partive sa i përket përballjes me fenë, ku edhe në artikulim nuk e kupton karakterin e të Djathtës sonë dhe sensin e përsiatjes për të vërtetën mbi natyrën dhe përballjen e Zotit. Basha këtë e bën në ligjërimin në protesta, por ngatërruar në diskurse, që realisht tregojnë se personalisht nuk e ka bazën e respektit të duhur për fenë.

A munden të gjithë këto parti të reja të Djathta, që po vinë në Shqipëri, të sjellin një frymë e cila respekton bazën, thelbin dhe të sjelli frymën më të mirë të konservatorëve evropianë? Në ligjërimin e të Djathtëve të rinj këtë e ndjejnë të gjithë, problemi është sesa do t’i besojë votuesi i tyre, që tashmë votën më shumë e ka të kanalizuar kundër Ramës sesa rikthimit të parimeve të Djathta. Dhe, sot, kontributi i këtyre partive të reja dhe i njerëzve të tyre shkon me një lloj diversiteti por edhe në kujtimin e atyre parimeve, që për hir të së vërtetës janë harruar nga e Djathta shqiptare, aq konfuze për ideologjinë e saj. Kjo e bën kaq shumë të brishtë edhe demokracinë shqiptare, bashkë dhe me mosnjohjen e ideologjisë nga vetë krerët e PD-së, që kanë e kanë lënë politikën shqiptare në një lloj gjendje likuide me mungesën e tyre herë-herës të pajustifikuar. Ose si e thotë Scruton në arsyetimin për librin e tij për Konservatorizmin: ‘nuk ka të bëjë me atë çfarë kemi humbur, por me atë që kemi ruajtur dhe si do ta mbajmë atë’. Këtë mbase duhet të kuptojnë dhe të Djathtët shqiptarë, për të respektuar partitë e reja dhe sidomos emancipimin që po mundohen të sjellin ato, por edhe gjithë ata që e duan të Djathtën.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mirel Josa nuk është më trajneri i Besës! Pas 12 ndeshjesh në drejtim të ekipit kavajas ndërpritet marrëdhënia

Mirel Josa nuk është më trajneri i Besës! Pas 12 ndeshjesh në drejtim të ekipit kavajas ndërpritet marrëdhënia