Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) thotë se në 9 mujorin e parë të vitit 2025, të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara ka arritur në vlerën 162.2 milionë lekë, nga 109.5 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një rritje prej 48.2%.
Sipas agjencisës, muaji Shtator ka qenë më i miri, me 22.4 milionë lekë të ardhura, afro 49% më shumë se një vit më parë, që ishte 15 milionë lekë. Rritja është mbështetur nga formalizimi i shumë kontratave të reja qiraje gjatë muajve mars, korrik dhe shtator. Nëse trendi aktual vijon, sipas agjencisë, të ardhurat vjetore për 2025 pritet të kalojnë 200 milionë lekë, duke vendosur një standard të ri në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara.
"Në krahasim me vitin 2024, të ardhurat e këtij viti janë rreth 53 milionë lekë më të larta, duke reflektuar një performancë më të mirë në pothuajse çdo muaj, veçanërisht gjatë marsit, korrikut dhe shtatorit, periudha në të cilat janë formalizuar një numër i lartë kontratash të reja qiraje.", thotë AAPSK.
Krahas përfitimeve financiare, AAPSK po zbaton edhe projekte me përdorim social të pasurive të konfiskuara, në bashkëpunim me bashkitë dhe organizatat sociale, për t’i kthyer këto pasuri në shërbim të komunitetit.
Sipas agjencisë, “rritja e të ardhurave nuk është vetëm tregues financiar, por edhe dëshmi e një administrimi më të drejtë dhe transparent të pasurive që i kthehen shoqërisë.”

Grafiku me të dhënat për janar-shtator 2025
Komente









