Aciditeti i ulët i stomakut burim i dhjetra sëmundjeve, Altin Joka: Faktor kyç, ushqimi/ Ja si ta stabilizoni

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte nutricionisti nga Suedia Altin Joka, i cili foli për aciditetin e stomakut, kryesisht atë të ulët, duke treguar dhe problematikat shëndetësore që mund të vijnë nga mungesa e acidit në stomak.

”Stomaku ynë duhet që të jetë acid dhe jo alkalik, ndërsa gjaku ynë duhet të jetë alkalin” tha Altini në fillim të bisedës, duke shtuar se në rast se nuk është ky lloj aciditeti, stomaku nuk do funksionojë mirë dhe do na sjellë probleme më pas. Në zorrën e hollë pehashi rritet, ndërsa në zorrën e trashë ulet, pra stomaku ynë duhet të jetë acid dhe gjaku ynë alkalin dhe kjo nuk duhet ngatërruar, sipas nutricionistit.  

Por cilat janë disa shenja që tregojnë se kemi aciditet të ulët të stomakut?

“Refluksi, mos tretja e ushqimit, urthi, fryrja e barkut, djegie në pjesën e ezofagut apo gromësima, mund të kemi probleme me acidin e ulët. Tre qëllimet e aciditetit të stomakut janë: për të vrarë acidet, për zbërthimin e nivelit të proteinave, dhe për të ndihmuar përthithjen e mineraleve dhe vitaminave dhe nëse do e kemi të ulët aciditetin në stomak, këto procese nuk do ndodhin” thekson Joka.

Por cilat janë pasojat dhe problematikat shëndetësore që na shfaqen nga disbalancimi i aciditetit në stomak?

“Nëse nuk kemi nivelin e duhur të pehashit, i cili duhet të jetë nga 1 në 3, nuk do të  zbërthehet niveli i proteinave, do të kemi probleme me serotoninën dhe si pasojë me ankthin dhe depresionin. Kur acidi është i ulët, vitamina apo minerale si Magnezi, Zingu, B-12, Hekuri, etj, nuk absorbohen për të kaluar më pas në zorrë. Kur ne nuk kemi aciditet në normë, sfinkeri, nuk bën mbylljen dhe krijon refluksin, më pas do kemi dhe baktere që do t’a kolonizojnë stomakun dhe një nga bakteret kryesore është helikobakteri, i cili zhvillohet kur kemi një mjedis alkalin në stomak. Më pas është problemi i irritimit të zorrëve, që krijon atë që njihet si zorra e irrituar, element tjetër është dhe çështja e Tiroides, pasi acidi i ulët sjell probleme me këtë të fundit” thotë Joka.

Pyetjes së moderatores, nëse ka një mënyrë për të testuar vetë në shtëpi aciditetin e stomakut, nutricionisti Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike i përgjigjet:

“Eshtë e rëndësishme të bëhen disa testime tek gastrohepatologu për të parë nivelin e aciditetit në stomak. Por mund të bëhet dhe një provë e thjeshtë në kushtet e shtëpisë. Nëse kemi urth apo djegie stomaku, duhet të merret gjysmë kokrre limoni, duke u shtrydhur e më pas konsumuar. Nëse stomaku qetësohet, tregon se niveli i aciditetit ka qenë i ulët. Një provë tjetër është testi me sodën e bukës. Para ushqimit mund të konsumojmë sodë buke, ku në 100 ml ujë të hedhim një lugë sodë, nëse pas 5 minutave nuk do të kemi gromësira, atëherë mund të jetë një shenjë treguese e aciditetit të ulët”.

Por a ka ndonjë mënyrë për t’a normalizuar aciditetin e stomakut?

“Së pari ne duhet të gjejmë shkaqet pse pakësohet acidi në stomak. Një nga shkaqet mund të jetë helikobakteri, më pas kemi faktorin moshë, ushqimet që konsumojmë apo shpejtësia e konsumit që kemi. Pirja e alkoolit dhe duhanit, përdorimi i ushqimeve të procesuara, ushqimeve pikante apo kosumimi i lartë i kafesë, sikurse stresi i lartë janë faktorë kryesorë në problemet me stomakun. Njerëzit mund të bëjnë dhe një test tjetër, të konsumojnë për disa ditë Magnez dhe nësë do të qetësohen, tregon se kanë aciditet të ulët të stomakut” tha Altini, duke shtuar se kur aciditeti është i ulët, duhet të shtohen ushqimet me nivele të larta aciditeti për t’a normalizuar. Nëse kemi aciditet të ulët, rekomandohet të konsumohet lëng limoni apo uthull para vaktit për të balancuar aciditetin. Mund të konsumohet një kafe, çokollata e zezë, hudhra, qepa, djathi, domatja, speci pikant, uji i kokosit, ushqimet me kalium, ushqimet me magnez, apo çajra të ndryshëm si kamomili, mente, xhinxhër, etj.”

Studimet kanë treguar se 72 % e rasteve që kanë shqetësime me aciditetin e stomakut, kanë lidhje me faktorin e ushqyerjes dhe stilin e jetesës. 

 

MC/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shkodranët në Eurovizion, si u krijua dyshja fituese! Gjetën njëri tjetrin në facebook: E nisën me aheng tani mbajnë kupën e festivalit të 63-të

Shkodranët në Eurovizion, si u krijua dyshja fituese! Gjetën njëri tjetrin në facebook: E nisën me aheng tani mbajnë kupën e festivalit të 63-të