Admirali i NATO-s: Veprimet e njëanshme jashtë dialogut Kosovë-Serbi përshkallëzojnë tensionet

Admirali i NATO-s: Veprimet e njëanshme jashtë dialogut Kosovë-Serbi përshkallëzojnë tensionet

Stuart B. Munsch

Komandanti i marinës amerikane për Evropën dhe i forcave të NATO-s me seli në Napoli, admirali amerikan, Stuart B. Munsch, tha të premten se qeveritë që veprojnë në mënyrë të njëanshme jashtë dialogut Kosovë-Serbi, panevojshëm përshkallëzojnë tensionet e brendshme dhe rajonale.

Ai i bëri këto komente gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës së forcave paqeruajtëse të NATO-s. Gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Enrico Barduani, pason në këtë post gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutash.

Admirali Munsch tha se dialogu është kuadri për zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Duke vepruar jashtë këtij dialogu, duke vepruar pa përkushtim të vërtetë ndaj këtij dialogu ose grindjet për atë që se çfarë duhet të përfshihet apo përjashtohet nga ky dialog, janë veprime që nuk do të arrijnë asnjë siguri kuptimplotë. Për më tepër, qeveritë që veprojnë në mënyrë të njëanshme jashtë këtij dialogu, në mënyrë të panevojshme përshkallëzojnë tensionet e brendshme dhe rajonale dhe dëmtojnë në mënyrë të panevojshme emrin e tyre si partnerë të besueshëm ndërkombëtarë”, tha ai.

Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.

Në fillim të muajit gusht autoritetet mbyllën Postën e Serbisë në veri dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave, mes kritikave të perëndimit dhe reagimeve të Beogradit dhe përfaqësuesve politik serb në veri.

Admirali Munsch tha se politika e NATO-s për urën mbi lumin Ibër është që të mos hapet në këtë kohë dhe çështja të trajtohet në dialogun ndërmjet palëve.

“Është një çështje politike në këtë pikë, jo një çështje ushtarake. Dhe arsyeja pse nuk do të jetë e hapur tani është për shkak të gjasave se mund të shkaktojë rrezik për mjedisin e sigurt dhe lirinë e lëvizjes të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, tha ai duke u bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë të angazhohen për një mjedis të sigurt për të gjithë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara që të punojnë së bashku me NATO-n në mbrojtjen e vendit dhe paqes.

“Por në të njëjtën kohë në mbrojtjen e sovranitetit, integritetit tonë territorial, pavarësisë sonë si dhe parimeve të sundimit të ligjit”, tha ajo.

Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të zgjedhin çështjet e hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel dhe të shmangin veprimet që mund të nxisin tensione. Por, bisedimet 13 vjeçare për normalizimin e marrëdhënieve kanë shënuar përparim të paktë, ndërsa një marrëveshje për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar as që ka filluar të zbatohet./VOA

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Superliga/ Tirana 'buzë greminës', Laçi e përmbys 3-1 dhe i tregon zonën e ftohtë! Dinamo - Egnatia në 16:30

Superliga/ Tirana 'buzë greminës', Laçi e përmbys 3-1 dhe i tregon zonën e ftohtë! Dinamo - Egnatia në 16:30