TIRANË- Në seancën e sotme të gjyqit për aferën Partizani, mbrojtja e ish-kryeministrit Sali Berisha kërkoi që të thirret si dëshmitar edhe Edi Rama, në cilësinë e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Sipas avokatit Genc Gjokutaj, Rama është person kyç në këtë proces, duke pretenduar se ishte ai personi që përpiloi bazën ligjore për ndryshimin e destinacionit të truallit nga klub sportiv në shesh ndërtimi.

Mbrojtja kërkoi gjithashtu thirrjen si dëshmitar të Besmir Karanxhës, të cilin Gjokutaj e përshkroi si aktivist të Partisë Socialiste gjatë zgjedhjeve, që sipas tij “paguhet për të hetuar kryetarin e opozitës”.

“Kërkojmë të thirren si dëshmitar shtetasit e kërkuar nga prokuroria. Gjithashtu të thirren Edi Rama, atë kohë kryetar bashkie, që SPAK se ka thirrur, që ka përpiluar bazën ligjore ta kthej nga klub sportiv në shesh ndërtimi. Pa vendimin e tij ne s’do ishim sot këtu. Kërkojmë të dëshmojë Besmir Karanxha aktivist i PS në zgjedhje që paguhet për të hetuar kryetarin e opozitës Oficeri i policisë gjyqësore një aktivist politik”, tha Gjokutaj në sallë.

Pas përfundimit të seancës, avokati Gjokutaj për mediat tha se kërkesa për thirrjen e kryeministrit Edi Rama si dëshmitar në cilësinë e ish-kryetarit të bashkisë së Tiranës, nuk është pranuar. Avokati thotë se si dëshmitarë në këtë proces gjyqësor janë disa persona periferikë pa ndonjë vlerë për çështjen.

“Nuk na është pranuar thirrja e Ramës si dëshmitar që është një dëshmitar kyç për procesin që nga veprimet e tij konkrete, nga kalimi i truallit nga klub sportiv në shes ndërtimi, ka bërë të mundur këtë ndërtim. Ka dëshmitarë periferikë që nuk kanë asnjë lidhje me procesin. Është konsumuar sot një pjesë e mbrojtës për Malltezin dhe në seancën e radhës do të vijojmë me mbrojtjen e të tjerë subjekteve në proces. Në kërkuam dhe videot ku Rama si kryetar bashkie ka bërë thirrje që Berisha të procedohet urgjentisht”, tha Gjokutaj.

Ndërkohë, Klodiana Gjyzari, avokatja tjetër e Berishës ka pretenduar se akuza është ndërtuar pa bazë ligjore dhe pa prova konkrete.

Klodiana Gjyzari, avokate e Sali Berishës: Baza ligjore mbi të cilën është ngritur akuza, në vlerësimin tonë nuk qëndron .Të na thuhet cili veprim konkret i zotit Berishës ka shkelje, organi i akuzës nuk ka dhënë asnjë sqarim. Mungon vepra penale. Është detyrë e prokurorisë të paraqes prova. Nuk e ka përmbushur detyrimin e saj objektive dhe subjektive për të paraqitur se cilat janë shkeljet.

Nga sa e ka ngritur akuzën prokuroria së pari ka gjetur fajtorin, më pas faktin penal. Por ndërkohë procedura ligjore parashikon që fakti të çon tek autori. Si u ushtrua ky pushtet që kishte Berisha? Veprimet që ka kryer për t’iu përgjigjur kërkesave të Bektashit, ose detyrave që sipas prokurorisë Bektashi i paska caktuar Berishës.

Prokuroria në përpilimin e akuzës fillimisht ka gjetur autorin. Më pas veprën penale. I vetmi argument i prokurorisë është fuqia që ka z. Berisha nga ushtrimi i detyrës si Kryeministër për të kryer veprën penale të korrupsionit, por jo mënyrën sesi. Prokuroria ka dështuar të provojë sesi z. Berisha përfitoi nga Fatmir Bektashi. Z. Berisha sipas prokurorisë do e merrte përfitimin (mitën) pasi la postin e kryeministrit në 2013, konkretisht në 2015. Pra, z. Berisha ka qenë edhe parashikues në marrëveshjen e pretenduar me Bektashin", tha ajo. 

Ndërkohë seanca e radhës është shtyrë për në datën 26 janar. Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.

Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.