Vetëm 751 lekë në ‘portofol’ në ditë dhe nuk je i varfër, të paktën ky është vlerësimi i Institutit të Statistikave për vitin 2023.
Në raportin për ‘Matjen e Të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës në Shqipëri për vitin 2023”, thuhet se rreziku për të qenë i varfër është ulur me 0.9% krahasuar me vitin 2022, dhe ka zbritur në 19.7%. E përkthyer në shifra, janë mbi 545 mijë qytetarë vlerësuar në rrezik varfërie.
“Kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2023 është vlerësuar me 270.565 lekë, në krahasim me 225.931 Lekë që ishte në vitin 2022”, thotë INSTAT.
Edhe pse Shqipëria nuk e ka të përcaktuar minimumin jetik, ky vlerësim i INSTAT tregon vlerën financiare të kufirit të varfërisë. Që një individ të mos jetë i varfër duhet të ketë minimumi 22,547 lekë të ardhura në muaj, ose 751 lekë në ditë. Në raport me vitin e kaluar ‘mirëqenia’ është rritur me vetëm 144 lekë në ditë.
Në raport thuhet se rreziku për të qenë i varfër është më i lartë tek grup mosha 18-64 vjeç, të cilët jetojnë në familje me pak të punësuar apo dhe ato me nivel arsimimi të ulët. Niveli i varfërisë thotë INSTAT do të ishte edhe më i lartë në vend nëse do të mungonin ndihmat sociale të tilla si asistenca, ndihma ekonomike, kempet apo pensionet.
“Në vitin 2023, 36,4% e popullsisë do të vlerësohej në rrezik për të qenë të varfër, nëse tek të ardhurat e disponueshme do të përjashtoheshin të gjitha përfitimet sociale”, thuhet në raport.
Pavarësisht se shifrat flasin për rënie të varfërisë, përsëri familjet në vend mbeten të brishta financiarisht.
Në një analizë të kryer nga Elona Dushku e departamentit të kërkimeve në Bankën e Shqipërisë mbi brishtësinë financiare të familjeve, tregon se 60% e familjeve nuk kanë likuiditete për ‘surpriza’ të paplanifikuara financiare.
Pamundësia për të përballuar një shpenzim të papritur vjen si rezultat i kostove të rritura të jetesës, pasi një familjeje me mesatarisht 3.7 anëtarë, duhet të shpenzojë të paktën 36 mijë lekë në muaj për t’u furnizuar me ushqimet bazë. Sipas INSTAT 40% e të ardhurave mujore të familjeve shkojnë për ushqime.