Agim Faja: “Origjina e botës”, a
i skandalizon vërtet shqiptarët arti?

Agim Faja: “Origjina e botës”, a<br />i skandalizon vërtet shqiptarët arti?
TIRANE- Desh harrova për çka shkruaje lidhur me Gustav Kurben, i cili, meqë vinte nga një qytet i vogël në periferi të Francës, shoqëria e sofistikuar parisiane e quante provincial, madje edhe katundar. Mirë, mirë, por ata që e konsideronin katundar (as fshatar, jo), sot nuk i kujton kush; ndërsa Gustav Kurbenë e kujton me respekt gjithë bota e artit. Muzhik qe edhe Leon Tolstoi, nga Jasna Poljana, por me romanet e tij “Lufta e Paqja”, “Ana Karenina”, “Ringjallja”, “Sonata e Knojzerit” etj., “çmendi” një botë e jo më Rusinë. Kështu dhe Turgenjevi, Mikhail Shollohovi me “Donin e qetë”, Sergei Esenini, Pasternaku etj. ose tenori i famshëm italian Luçiano Pavaroti, qe djali i një furrxhiu, por ja që tronditi botën me zërin e tij. Ose Frashërllinjtë tanë: Abdyli, Naimi e Samiu, që kanë lindur në Frashër të Përmetit, Patër Gjergj Fishta, që ka lindur në Fishtë të Lezhës apo Dritëro Agolli ynë i madh, që ka lindur në Menkulas të Devollit.
 
Meqë e solli rasti, do të tregoj se edhe unë në fshat kam lindur. Meqenëse im atë ishte mësues në Derjan të Matit, dhe vjehrri e vjehrra i kishin vdekur, Moma shtatzënë me mua, e mbetur vetëm me djalin trevjeçar u detyrua të shkonte nga Shijaku, te prindërit e saj, në Eminas i Vogël. Më dëftonte, se kur më kishte lindur mua, e ëma i mbyllte gojën me shuplakën e dorës, që të mos dëgjoheshin britmat e dhimbjeve të lindjes, pasi konsiderohej turp të lindje në fis. Atje kam kaluar gjashtë vjet, gjersa hyra në klasë të parë. Pra jam rritur te Baba e Nona dhe në Shijak më sillnin vetëm një herë në javë, për ditë të hëne, që ishte ditë pazari.

Sjell ndërmend që para se të më hipte në kalë, në prehrin e gjyshit apo të dajave, nona fuste dorën poshtë dimive dhe më fërkonte tre herë me radhë në fytyrë, që të mos më hanin mësysh. Pra që i vogël fare, unë jam futur në lidhje me “Origjinën e Botës”. Duket nona ose gjyshja, si orakulli i Delfit, ka parandjerë që unë do të ndiqja një shkollë, që kishte të bënte me atë që ajo më fërkonte tre herë fytyrën, para se të më hipte në kalë. Ato vite i kujtoj me nostalgji. Gjyshi ose baba, qe familje e pasur. Kështu më 1956 e bënë kulak, megjithëse kishte ndihmuar me ushqime e veshje çetën e Babë Myslymit, në Pezë.

 
Që në fillim ti informon se “Origjina e Botës” është pjesa e prerë e një nudoje të plotë të mikes së Kurbesë, Johana Hiferman. Se pjesa e kokës është gjetur së fundi nga një blerës, në një galeri të Parisit dhe nga analizat e kanavacës është vërtetuar, se ka të bëjë me tablonë kaq të përfolur. Dhe më poshtë hedh mendimin se zhurmat rreth saj kanë karakter komercial. Mund të jetë dhe ashtu siç thua ti, sepse ky është zanati yt, vetëm se kam mendimin që një nudo, me një pozicion të tillë, kaq e zgafulluar apo e zgërdome, do të ishte jo vetëm një gjë e pabukur, por edhe shumë e pështirë. Bravo i qoftë (ose hallall, siç thonë të rinjtë sot) atij që i ka shkuar mendja ta operojë për t’i marrë atë pjesë anatomike, që e meriton emërtimin “Origjina e Botës”.
 
A i skandalizon vërtet shqiptarët arti?
Siç edhe to ta kesh parë Eleni, kur gazeta “Shaiptarja.com” filloi botimin në faqen 16 e 17 të datës 16 tetor 2013, kishte botuar një faksimile të faqes së parë ku lexohet dhe titulli: “O njerëz, akoma me frikëra e turpe ne?”, ndërsa redaksia e kishte titulluar: “Pse shqiptarët i skandalizon arti?”. Dhe mua më pëlqeu, pasi ishte më intrigues. Ç’është e vërteta të mbyllur hermetikisht, veçanërisht pas viteve ’60, ne humbëm çdo lidhje me botën dhe na dukej vetja çoç ishim, aq sa filluam të thoshim se bota duhet të merrte yrnek nga ne. Duke e konsideruar veten “fanar ndriçues buzë Adriatikut” thoshim: “Lum kujt i bien rrezet tona!”.

Domosdo se nuk njihnim më shumë se përtej hundës sonë. Prandaj herë-herë disa mendime për nacionalizëm të tepruar, se kemi të tjera halle, se marrëdhëniet me artin përcaktohen nga pozicioni gjeografik i vendit, se duhet të vlerësojmë vlerat tona e t’i inkurajojmë sa më shumë ato etj., na vijnë si jehonë e atyre viteve të para të ’90-ës. Ajo që shkruan studiuesi Luan Rama, se “Origjina e Botës” e Courbet u porosit nga një shqiptar, nuk ka pse të na shqetësojë, përkundrazi, pasi është një vlerë pavarësisht se bëhet fjalë për pikturimin e seksit të femrës. Jam i bindur se po të kishte qenë porositësi një italian, një grek, jugosllav, rumun, kinez ... apo amerikan, nuk do të mbanin kurrë këtë qëndrim, jo vetëm aspak dashamirës, por dhe nihilist, si një gjë fare pa vlerë, që s’kushton asgjë dhe e ka pikturuar një amator.
 
Kjo më sjell ndërmend një histori të viteve të largëta 1965. Atë kohë e kisha mbaruar Institutin. Që ditë e hënë, se Tata (daja im i madh, që më donte shumë) kishte ardhur nga fshati për të shitur ca prodhime të bahçes së tij. Ndërkohë që unë punoja disa ilustrime për revistën “Fatosi”, dëgjova tatën që i tha Momës: “O Bejte, po Gimi, ku asht?”. “Asht në odë, tuë punuë”, - iu përgjigj Moma. Dhe Tata erdhi. Në dhomë përbri rafteve të librave (ne kishim një bibliotekë shumë të pasur) unë pata vendosur dy nudo të punuara në Institut. Pasi u përqafuam Tata më pyeti: “Çfarë janë këta, o çun?”. “Janë punë, - i thashë unë, - që i kam ba në shkollë!”. “E sa vjet shkollë ka ba?”. “Pesë vjet”, - iu përgjigja. “Përrrr...”, - ia bëri me gojë. “Ky, o Bejte, s’paska ba gjo shkollë!”. Mirëpo Tata ishte nga fshati dhe nuk e dinte i shkreti se ç’ishte piktura e sidomos nudo. Megjithatë, taze u skandalizua, Tata.
 
Kam mendimin Eleni, që gjërat duhen parë më me zemërgjerësi, të jemi më njerëzorë e më të pranueshëm, çka do të thotë, jo menjëherë dorën tek alltia. Nuk e di sa i ke përjetuar ato vite që ikën, por në ato ka në ikje si “gamori në vneshtë”. Sjell një rast shumë sinjifikativ, që na ndodhi në revistën “Fatosi”. Në redaksi vinin revista për fëmijë, siç kishim ne “Fatosi”-n nga të gjitha vendet e kampit socialist: Bullgaria, Rumania, Hungaria, Polonia, nga Bashkimi Sovjetik, po që po, madje edhe nga Italia e Franca. Në një nga revistat sovjetike: “Murzilka”, pamë një gjëzë-pikturë, shumë interesante dhe menduam ta botojmë në “Fatosi”.

Bëhej fjalë për një lepur që po luante me top. Dikur topi i ra poshtë në një humnerë dhe nuk e kapte dot. Aty pranë kaloi një gjarpër, i cili e ndihmoi duke lidhur bishtin pas një kunji dhe u var poshtë. Si e kapi topin me gojë, lepurushi e tërhoqi të ngjitej lart. Sa u gëzua lepurushi. Pasi u botua, që të katër: Prof. Bedri Dedjen (që ishte kryeredaktori), Tuni Papuçiun (redaktorin teknik) dhe ne dy piktorët: Safo Marko dhe mua, na thirrën në K.Q. të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë dhe na dhanë “një derr dajaku” që “ku të dhemb e ku të djeg”.

Ishin vitet ’60, kur qe shfaqur e ashtuquajtura “bashkekzistencë paqësore”, që predikonin sovjetikët. Që në vitet ’50 piktori i madh francez kishte vizatuar një pëllumb (një mrekulli e vërtetë!), që simbolizonte paqen. Atë e shihje kudo në muret dhe xhamat e fabrikave, uzinave, shkollave, reparteve ushtarake etj. Qe pëllumb shumë, shumë interesant. Ne e patëm vënë edhe në kapakun e paketave të cigareve, ku në sfondin blu fekste pëllumbi i bardhë. Edhe ne në Shijak, na bënë te shatërvani, në mes të lulishtes, një pionier simpatik me dorën lart, ku në pëllëmbë kishte një pëllumb. Sa bukur dukej kur hapej rubineti i ujit!

Ne na dhanë dajak (o Zot çfarë dajaku!) për ulje të vigjilencës ndaj bashkekzistencës paqësore që ofronin sovjetikët. Ata e trajtonin pikturën-gjëzë politikisht, sikur lepuri i vogël ishim ne dhe gjarpri – Bashkimi Sovjetik. “Po si nuk e kuptuat qëllimin djallëzor të kësaj gjëze? Si mund të pranojmë ne të bashkëjetojmë me revizionistët, le më të na ndihmojnë ata, gjarpërinj e kaluar gjarpërinjve...”, - bërtisnin duke i rënë tavolinës. Ç’të thoshin ata, të parët e revistës, pa ne, Safon dhe mua, s’na fusnin në hesap. Në atë periudhë, të gjithë pëllumbat, ku qenë e ku s’qenë, i hoqën. Edhe atij çunit të vogël në Shijak ia hoqën pëllumbin dhe i shkreti, deri në vitin 1985, ngeli me dorën lart, pa pëllumb.
 
Në vitin 1972, kur isha në metalurgjinë e zezë të Elbasanit e ndenja tre muaj për të njohur jetën e klasës punëtore, për ekspozitën kombëtare të nëntorit të atij viti, pas kompozimit “Mesditë. Në pushim”, pata përgatitur edhe fletën grafike të punuar me gomë arabike “Jetë” (60 x 30 cm), ku në plan të parë dukej figura e një gruaje, punuar bukur dhe me sensualitet, këmbët e së cilës shërbenin edhe si këmbë të burrit, partnerit të saj.

Nga bashkimi dhe shkrirja e trupave të tyre në një trup të vetëm, sjell lindjen e një fëmije, që ata me dashuri e ngrenë lart. Duket komisioni e zbuloi këtë gjë dhe e hoqi menjëherë duke e konsideruar me tendenca erotike dhe pak më shumë. shyqyr që nuk e diskutuan gjatë, pasi të hante mortja, siç hëngri disa nga shokët tanë. Ishim në prag të asaj flame që quhej “lufta kundër ndikimeve të huaja borgjezo-revizioniste”, që do të sillte Plenumin e 4-t të K.Q. të Partisë”, për problemet e letërsisë dhe arteve.

Rinia e sotme nuk mund ta imagjinojë se ç’kanë qenë ato kohë. Ata nuk mund ta besojnë kurrsesi, që këngëtaret ishin të ndaluara të lëviznin edhe para mikrofonit, pa nëpër skenë jo që jo, le pastaj të zbulonin gjinjtë gjer përtej “Kanalit të Suezit” apo të vishnin fustane të shkurtra, një pëllëmbë e kusur sipër gjurit, duke nxjerrë në pah hiret e tyre femërore.
 
“Mbyllja” e gjatë që na diktoi ai sistem që lamë pas krijoi një psikologji frike dhe turpi, që nuk i duhej kujt. Kujtoj që menjëherë pas viteve ’90, ambasada franceze në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar për Marrëdhënie me Jashtë, organizoi në Galerinë e Arteve, ekspozitën “THESARET E LUVRIT”, me riprodhime të mëdha dhe shumë cilësore të disa prej veprave artistike të Luvrit, në Paris. Ekspozita qe vërtet interesante dhe tërhoqi vëmendjen e vizitorëve, dhe jo vetëm të neve, që ishim krijues, por edhe të njerëzve të thjeshtë. Duket është ajo që thonë se bukuria absolute nuk është pronë vetëm e atyre që merren me art, por e të gjithë njerëzve. Midis tërë atyre riprodhimeve ekspozita kishte edhe nudo si dhe kompozime me figura të zhveshura fare dhe gjysmë të zhveshura.

Njerëzit i shikonin punimet me shumë interes dhe kënaqësi, pa ndonjë turp, se frikë jo që jo, se ajo u vra që kur u rrëzua regjimi. Ata mblidheshin grupe-grupe e diskutonin. Vetëm një rast kujtoj, të një fëmije të vogël tre-katërvjeçar, të cilin e mbante për dore e ëma, një grua simpatike dhe e edukuar. Ndërsa ndiqnin punimet, djalit të vogël i kishin mbetur sytë te një pikturë ku dukej një nënë duke larë në govatë birin e saj të vogël, krejt lakuriq.

Djali i vogël zgjati gishtin tregues të dorës së lirë dhe si e çoi te bibiluka, thirri: “Iiiii... Mami!”. Ajo e turpëruar e tërhoqi nga vetja, duke e qortuar: “Shëëëët, ... se është turp!”. Ne, një grup shokësh që ishim aty, i thamë: “Ç’ke me çunin, pse i flet? Ç’bëri ai? Ai te kjo pikturë pa veten dhe i erdhi ndërmend që dhe ju kështu e lani...”. “Më falni, ju keni të drejtë, por ja që kështu na kanë edukuar...”. “Ashtu është, - i thamë, - por ja që këta do të jetojnë të tjera kohë. Këta nuk do të gënjehen siç jemi gënjyer ne, se kemi dalë nga sqetulla, nga brinjët apo nga kërthiza...”. ajo qeshi dhe u bashkua me ne, për të parë ekspozitën.
 
Ose e kujton besoj, Eleni, ekspozitën “FLASHART” që u çel në Tiranë më 15 shtator 2001, në Galerinë e Arteve dhe te “Shqipëria Sot”, ku morën pjesë artistë nga dyzet shtete të botës: Shqipëri, SHBA, Francë, Greqi, Bullgari ... Rusi, Kroaci deri dhe Tajlandë. Ajo u konsiderua si një takim ndërkombëtar piktorësh dhe muratorësh. Punimet ishin kryesisht performanca, instilacione, fotografi etj. Pothuajse tërë sipërfaqet qenë mbushur me nudo, si: “Nudo 900” e Gabriele di Mateos (Milano), ku qenë paraqitur Lenini, Krupskaja, Stalini, Hitleri e Mao Ce Duni, ose burra e gra fare-fare lakuriq.

Disa prej atyre punimeve të botuara në gazeta e revista, i ruaj në studio. Njëra quhet “pa titull”, bërë nga Dimitry Bioit (Berlin), ku paraqiten katër vajza, krejt nudo, dy të mesit minorene ndërsa dy anësoret, pak më të rritura. Kjo quhej “Vajzat e virgjëra”. Kuratorët dhe koordinatorët e quajtën atë një sukses të paparë një performancë që i dëftoi botës se edhe ne shqiptarët nuk mbetemi prapa jush. Ato qenë një pornografi e pakuptimtë, që na u servirën si vlera të artit modern, qoftë nga mediat e shkruara, qoftë nga ato audiovizive. Kujtoj që për ato, nga studiuesit e artit nuk pati asnjë reagim; ndërsa për “Origjinën e Botës” që në fund të fundit ka një kuptim filozofik, u reagua menjëherë.
 
 
Jo më larg se para një jave, një shoku im, moshatar me mua dhe me shkollë të lartë, më pati marrë ca libra për t’i lexuar. Midis tyre i dhashë edhe librin “KURVA”, të shkrimtarit të talentuar Shpendi Topollaj, një novelë jashtëzakonisht e bukur, që trajton historinë e dhimbshme të Selenës, një vajzë bukuroshe që nuk e lejuan të ndiqte studimet pasi gjyshi i saj kishte qenë oficer në kohën e Zogut, se si qe dashuruar me një djalë kur ishte në punë, se si djalin e detyruan të ndahej dhe asaj të dështonte fëmijën, se si nëpër rrugë kur kalonte, në emër të luftës së klasave e ngacmonin duke e quajtur kurvë e rrospi.

Se si pas viteve ’90 si mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë mori rrugët e eksodit me gjithë djalin e vogël, se si hyri në punë te një familje mjeku në Viterbo, pak gjë larg Romës, se si atje u njoh me Gjonin, një djalë nga Mirdita, se si një natë tek udhëtonin me makinë, te semafori panë një vajzë, që ishte nga ato, që kur ishin në Shqipëri i hidhnin romuze “e mi kurve!”, “eeee rrospije!” etj.

Kur m’i solli librat, pasi i kishte lexuar, vura re që pikërisht librin “Kurva” e kishte mbledhur me letër të bardhë. “Pse e paske mbledhur kështu?”, - i thashë. Ai më shpjegoi se i vinte turp nga emri i librit. “Rreth e qark kam djalin, nusen e djalit, vajzat e martuara që shkojnë e vijnë, nipa e mbesa dhe shokë e miq. Nemelazëm kot. Do të thonë: burrë plak, shif me ç’merret, me kurva!”. Dhe ti thua pastaj se nuk është e vërtetë që shqiptarët i skandalizon arti.
 
 
Po edhe fakti, Eleni, që në të tri shkrimet për “Origjinën e Botës”, të botuara në gazetat “Mapo” e “Standard”, fotografia e tablosë, të cilës i kushtoheshin ato, kurrë nuk u botua. Te “Mapo” na dëftuan foton e gruas së tablosë dhe poshtë saj një shkarravinë si qafore, poshtë së cilës shkruhej: Vizatimi i tablosë “Origjina e Botës”; kurse në ilustrim të shkrimit tënd, qe botuar një pullë, ku demek ishte tabloja “Origjina e Botës”, e shkarravitur me ca viza të bardha, poshtë së cilës shkruhej: “Piktura (“Origjina e Botës” – shënimi im / A. F.), e interpretuar nga piktori Andre Masson, për filozofin Lasan”.

E para, ç’i duhet popullit ose lexuesit interpretimi, ai do foton e origjinalit; e dyta, atë kodosh interpretimi, edhe vetë Kurbesë t’ia çosh, atje ku është, në botën tjetër, të siguroj që kurrsesi nuk do ta kishte njohur, jo më të thoshte që kjo është e imja dhe t’u lavdërohej hyjnive, perrive e engjëjve (siç thonë që andej ka shumë) se këtë pikturë e kam bërë unë.

Bravo i qoftë gazetës “Shqiptarja.com”, e cila jo vetëm e botoi, por e vuri në ballë fare. Ky veprim dëfton për atë, që shqiptarët akoma kanë frikë në zemër e turp në tru, se i skandalizon e vërteta.

Para se ta mbyllim këtë bisedë, do të bëj një pyetje: “Shkrimi “Origjina e Botës” e Courbet u porosit nga një shqiptar” e studiuesit Luan Rama, u botua në gazetën “Mapo”, më 9 korrik 2013. Afro dy muaj më vonë, në gazetën “Standard”, të 23 shtatorit 2013, një gazetar tjetër me inicialet V. M., boton shkrimin “Halil Beu i nudove”. Menjëherë pas tyre, më 16 tetor 2013, unë botova në gazetën “Shqiptarja.com” shkrimin “Pse shqiptarët i skandalizon arti?”. O zot, plot pesë ditë më vonë, pikërisht më 23 tetor 2013, ju botuat po në gazetën “Standard”, shkrimin “Halil Sherif Pasha dhe marrëdhënia e shqiptarëve me nudon”. Megjithëse nuk më je drejtuar me emër, por ato ishin probleme që i trajtoja unë, qoftë për krenarinë, për meditacionin filozofik, kënaqësinë e origjinës etj. Tashti ju pyes: “Mua më gjetët për t’i diskutuar këto probleme?”.
 
Kjo më solli ndërmend një histori refugjatësh të viteve 1991-1992. Diku në një qytet të Italisë, nja njëqind e ca refugjatë shqiptarë, qenë mbledhur para zyrës së një pronari dhe thërrisnin: “Duam punë, duam punë, duam punë!”. Pronari doli në ballkon dhe atij që bërtiste më shumë, ia bëri me dorë dhe i tha: “Ti atje, ngjitu lart e të fillosh menjëherë nga puna!”. “Aman, o të keqen vëllai, midis këtyre njëqind vetëve, mua më gjete ti!”. Jo, jo, se bëj shaka, pasi i hyra vetë kësaj pune meqenëse as z. Luan Rama dhe as z. V. M. nuk po shkruanin dhe mendoj se qe një bashkëbisedim mjaft komod e simpatik, midis krijuesish. Aman, o Eleni, se s’kemi gjë për të ndarë.
Në qoftë se u zgjata një çikë si shumë, ju kërkoj ndjesë.
Ju faleminderit dhe mirupafshim!
Shijak, 07.11.2013
Agimi
 

Nga një grua
“... Më vjen keq që nuk ekziston një tablo e pikturuar nga një grua, që të provokonte aq emocion të patregueshëm, sa piktura e Kurbesë, që nxirrte në plan të parë seksin e një gruaje ... me fytyrën që nuk i duket dhe që quhet “ORIGJINA E BOTËS”
Annie Renoix
Nga romani “PASION FEMRE”
 

Shkrimi u publikua sot (15.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane