Agim Sulaj: Kujtimet me Edi
Ramën dhe Kadri Rroshin

Agim Sulaj: Kujtimet me Edi<br />Ramën dhe Kadri Rroshin
TIRANE- Artisti shqiptar me banim në Itali, Agim Sulaj, është përzgjedhur të jetë pjesë e jurisë në Festivalin e gjashtë ndërkombëtar të Arteve Vizive që zhvillohet nga data 17-24 shkurt në Teheran. Sulaj, një artist i njohur në të katër anët e botës, fitues i dhjetëra çmimeve prestigjioze në konkurset e karikaturës e grafikës humoristike, është anëtar i jurisë që vlerëson këtë gjini të artit, në këtë event që organizohet për të gjashtin vit me radhë në kryeqytetin iranian.

Më shumë se 150 artistë nga 55 vende të ndryshme kanë paraqitur punët e tyre në Festivalin ndërkombëtar të Arteve Vizive, që përveç kategorisë së karikaturës, përfshin edhe posterin më të mirë, fotografinë më të mirë dhe ilustrimin më të mirë, të cilat do të përzgjidhen nga juritë respektive. Në karrierën e tij si artist, Agim Sulaj numëron mbi 60 çmime ndërkombëtare.

Agim Sulaj, artist i përmasave ndërkombëtare, ka mall për Shqipërinë, Tiranën, por edhe për Vlorën, qyteti i Adriatikut dhe Jonit ku u rrit. Sulaj, i cili jeton në Rimini në Itali, rrëfen historinë e jetës së tij, lidhjen me pikturën dhe karikaturën, bashkëshoqërueset e tij të pandara. Ka nostalgji për Tiranën e rinisë së tij, rrugicat, glikotë, byrekun e gjyshes në shtëpinë e së cilës u rrit...
 
E kujtoni pikturën tuaj të parë?
-Piktura ime e parë ka qenë një portret i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe më pas vizatime nga natyra, subjekte nga fantazia, disa prej të cilave u publikuan në revistën e njohur të asaj kohe “Fatosi”. Këtë aftësi, falë përkrahjes së prindërve të mi, e zhvillova më tej në kurse e mësime private të asaj kohe. Mësuesit e parë kanë qenë Sabaudin Xhaferri, Nestor Jonuzi, etj.
 
Sa është fondi i pikturave që keni sot…?
 -Në historinë e jetës sime artistike, deri tani mund të përmend rreth 200 vepra, që janë vlerësuar në botë e më kanë bërë të njohur.
 
Punoni  shumë dhe karikaturë … Ku bashkohet dhe ndahet karikatura me pikturën …?
-Në karikaturë jam përfshirë “rastësisht”. Gjatë kohës që studioja në Akademinë e Artit në Tiranë, mësuesi im Sabaudin Xhaferri më prezantoi me karikaturistët e artistët e satirës së revistës “Hosteni” dhe me kryeredaktorin e saj, Niko Nikolla. Mbaj mend në ato vite të kem njohur Zef Bumçin, Dhimitër Ligorin, Iir Pojanin, Bardhyl Ficon e Shtjefen Palushi. Puna dhe stili i tyre ngjalli tek unë genin e fshehur të kritikës nëpërmjet artit e vizatimit... Piktura e karikatura ime teknikisht ngjajnë me njëra-tjetrën, ndërkohë ndryshojnë në mesazhin e tyre.
 
Si do ta përkufizonit një karikaturë?
... Humori është arma e mprehtë nëpërmjet të cilit shprehen mesazhet më humane. Njeriu dhe fati i tij, uria dhe e ardhmja, emigrimi dhe dëshira për një botë të paqtë, këto janë disa nga mesazhet e karikaturës sime. Nuk mund të rri pa përmendur hapat e mia të parë në revistën e njohur “Hosteni”. Mund t’i quaj pa frikë artistët e karikaturës në ato vite mjeshtra të cilët ndikuan në formimin tim.

Përfitoj nga kjo intervistë të falënderoj Niko Nikollën, i cili me këmbënguljen e tij më nguliti dhe forcoi besimin në punën time, duke siguruar kështu sukseset e mia të ardhshme. Këto suksese filluan që me çmimet e  para të “Hostenit” e deri më sot, në të gjitha kontinentet, duke filluar me Amerikën e Gjermaninë, Turqinë e Hollandën, Belgjikën e Kinën, Rusinë e Francën, Luksemburgun e Kubën, Italinë e Portugalinë, Spanjën e Iranin, Sirinë e Azerbajxhanin etj.
 
Kur vizitoni Tiranën çfarë shihni dhe çfarë rikujtoni?
 -Në Tiranë kam kaluar një periudhë gati 15-vjeçare. Aty kam kryer shkollën e mesme artistike e më pas Institutin e Lartë të Arteve. Jetoja në ato vite te gjyshja, e cila banonte në fund të rrugicës “Naim Frashëri”. Në këto vite i kam rënë Tiranës në çdo cep e rrugicë. Punimet e mia të asaj kohe ishin kryesisht akuarele dhe vizatime. Mbaj mend, si tani, portat prej druri ku trokisja për të kërkuar një karrige, ku mund te ulesha për të pikturuar, diku brenda avllisë rroba të ndera, çarçafë të bardhë që dëfrenin të varur në diell. Një gliko e ëmbëlsonte punën time, e dhënë nga një dorë gjysheje apo nëne, gjatë orëve të punës në muret e portonet e Tiranës.

Nuk do ta harroj kurrë Tiranën në rrugicat e së cilës jam rritur. Portrete të shumta kam bërë ato vite. Thjesht një trokitje tek shtëpia e Prof. Zihni Sakos, një tjetër portret në shtëpinë e Kadri Roshit, në rrugën e Durrësit. Më pozoi me atë vështrimin nga dritarja, pinte kafenë dhe më thoshte puno …, puno e qeshte me të madhe. Kur kthehesha në shtëpi, gjyshja më vinte me tavën e byrekut në duar e më thoshte, “po ç’u bëre morë djalë … u err… !!!”. Ditët e Tiranës mbylleshin me vrullin e një dëshire për t’u zgjuar sa më pare, për të thithur si i etur ajrin e rinisë së parë. Diku, tek kthesa e unazës banonte Edi Rama.

Kemi kaluar bashkë një periudhë të bukur arti e rinie. Kemi ndarë së bashku byrekun e gjyshes sime e glikon e gjyshes së tij. Shpesh i thërrisja nga oborri i pallatit ku banonte, gjithmonë rreth orës 2 të drekës, duke e ditur që të tijtë flinin në atë orë. Pas disa minutash dilte në ballkon me atë buzëqeshjen e tij pa zhurmë dhe bisedonim tek shkallët gri të pallatit. Tirana … më lidh më “Hostenin”, më lidh më Niko Nikollën, mbledhjet e mëngjesit, fytyrën e Taqos, (Dhimitër Ligorit), Ilirin, Gaqon, Dionis Bubanin e Filip Çakulin. Kopertinat e mia të asaj kohe ilustronin një realitet ku pushteti i kravatës ishte i pranishëm në çdo qelizë të jetës.

Kam satirizuar në atë kohë servilin e burokratin, karrieristin e të paaftin. Niko Nikolla, kryeredaktori historik i revistës “Hosteni”, kishte krijuar një ambient perfekt për karikaturistët. Ne nuk na mungonin si baza materiale dhe ngrohja. Më ka mbajtur shumë pranë dhe shpesh gjatë punës vinte poshtë e qeshte me vizatimet e mia. Lexo bre me thoshte, hap gazeta, nxirr tema.
 
Si mund ta përkufizoni ju emigracionin?
-Shpesh emigracionin e kam prezantuar mirë në veprat e mia e në shumë vizatime si “I huaji”, “Shtëpia e emigrantit”, etj. Dhe ato kanë qëlluar në shenjë këtë plagë sociale që e ndan njeriun me vendin e tij dhe e tjetërson, duke e kthyer në një numër pa histori e të kaluar. Jam i lumtur, vërtet, që shumë vepra të mia mbi emigrimin kanë fituar e janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare.
 
Po Italinë si vend …?
-U vendosa në qytetin e Riminit pasi çela një ekspozitë në Meting di Rimini, një aktivitet i rëndësishëm që i kushtohet çdo vit miqësisë e kulturave të popujve. Profesioni dhe puna më kanë shpëtuar nga komplekset megalomane raciste që në vitet e para ka qënë i theksuar në këtë vend. Njerëzit ndryshonin opinionin për Shqipërinë duke parë punët e mia. Shpesh u dukej se ne ishim njerëz të pa shkolluar e pa kulturë. Italia është bërë tashme si atdheu im i dytë. Për shumë vite mendoja në shqip e përgjigjesha në italisht. Tani po ndodh e kundërta. Kam një pjesë të mirë të jetës në këtë vend të artit, i cili, dua ta theksoj, ka qenë bujar e dashamirës me mua e artin tim.
 
Sa çmime keni marrë gjithsej?
-Çmimet e mia fillojnë kur isha 25 vjeç e kur bashkëpunoja me revistën humoristike “Hosteni”. Më pas në Itali, Cuneo, Tolentino, Marche, Fano, Rimini… Pastaj nëpër botë. Numëroj mni 60 çmime, pa përmendur titujt e vlerësimet që i dedikohen veprave të mia në aktivitete e promocione të artit të pikturës apo humorit. Kam qënë prezent në marrjen e tyre dhe kam ndier krenari dhe sadisfaksion në ceremonitë e organizuara. Mund të përmend Portugalinë, Turqinë, Spanjën apo Gjermaninë, Belgjikën e Francën.
 
Shkrimi u publikua sot (18.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane