Agim Zajmi, artisti që kaloi
matanë, e na trishtoi…

Agim Zajmi, artisti që kaloi<br />matanë, e na trishtoi…
“ARTISTI DUHET TË JETË GERMË NË ALFABETIN E ARTIT”
 
Atë mbrëmje të 3 nëntorit 2013, kur lexova informacionin në Televizionin “Neës 24” për vdekjen e piktorit dhe skenografit të njohur Agim Zajmi, mendja më shkoi menjëherë te poeti ynë i madh Lasgush Poradeci, i cili në një nga kujtimet e tij shkruan se si duke ardhur nga Pogradeci në Tiranë, tek priste autobusin, kishte hyrë në një kafene dhe ndërsa priste kishte pyetur dikë, se si e kishte mikun e tij, këngëtarin Jusuf Myzyri, ai i qe përgjigjur se Jusufi, ndjesë pastë kishte kaluar. E kuptova që miku im i ngushtë Isuf Myzyri kishte vdekur, por më pëlqeu shumë kur më thanë: “ka kaluar”, domethënë që është larguar nga kjo jetë, për në jetën tjetër.

Nuk e di, por edhe mua, fjala “vdekje” nuk më ka pëlqyer kurrë. Vetë fakti që edhe nëpër ilustrime apo tablo të piktorëve të shquar nëpër kohëra, Jeta është konfiguruar si një vajzë e bukur, tërë hire e nur, e veshur me të bardha e flokë të lëshuara (siç këndon edhe Çajupi: “...pleksidhatë gjer më thua...”), ndërsa Vdekjen ose Mortjen, si një plakë e veshur krejt me të zeza, që mbështjellin një skelet me fytyrë kafke dhe me kosë në dorë, e përforcon më shumë këtë mendim.
Në vitin 1995, kujtoj që kam shkruar një vjershë, që e titulloja:
 
Vdekjen kurrë nuk e dua!
 
Lexova një ditë në gazetë,
një cikël nga një poet i ri,
fjalën “vdekje”
përmendte nëntë herë,
o Zot i madh, nëntë herë, në gjashtë poezi!
 
- Motra e vdekur.
- Të gjallë e të vdekur.
- Eshtra fëmijësh të vdekur.
- Të vdekur e të mekur.
- Jetoj ëndrrën e vdekjes.
- Pasi të vdes.
- Pres vdekjen time!
- Dua të vdes në gjumë!
- Vdekje ty të pres!
 
Një dëshirë e madhe për vdekjen,
si gjëja më e ëmbël në botë,
si një ekskursion që shkon e vjen,
dhe jo fatkeqësi me dhimbje e lot.
 
Për të vdekurit e varrezat kam respekt,
veç vdekjen asnjëherë nuk e dua,
e di, se do të vijë të më marrë një ditë,
se më ka në listë e s’më pyet mua,
por kurrë nuk them se e pres,
dhe se kam qejf të vdes!
 
Të jem i sinqertë se edhe paketat e cigareve, sapo i blej, menjëherë të dy anët ua mbuloj me figura, jo për këshillat, se duhanpirja të plak fytyrën, ju dëmton ju dhe të tjerët rreth jush ... të dëmton spermën, mushkëritë etj., por se nuk i shoh dot ato kornizat e zeza, që më kujtojnë fletë-lajmërimet e vdekjeve, që vihen nëpër shtylla apo vende të caktuara afishimi.
 
***
 Të nesërmen, sapo hyra në studio, instinktivisht tërhoqa nga rafti i librave, bllokun “Kujtimet e Liceut Artistik “Jordan Misja”, Tiranë, 1957-1958” , në faqen e parë të të cilit kam vënë vargjet e Lasgush Poradecit tonë të madh:
“Prej çdo gazi e hidhërimi,
mbetet mbrapa, veç kujtimi,
ah, dhe i shkreti: mallëngjimi!”
 
Në të kanë lënë shënimet e tyre të gjithë shokët e shoqet, e miqtë e mi, jo vetëm bashkë-maturantë, por edhe të tjerë, që janë larguar para meje ose dhe më pas si: Serafin Fanku, Ferid Bala, Gaqo Çako, Shaban Hysa, Razip Bejo, Sotiraq Sholla, Raqi Kuko, Skënder Kamberi, Mustafa Bylo, Feride Halimi, Lefkathe Tytymçe, Dhurata Xhiku, Nadire Herri, Bujar Elmazi, Qamil Prizreni, Haxhi Murati, Iljaz Gogaj, Asis Karalliu, Viktor Bruçetti, Ramiz Rama etj. Midis tyre në faqen 23 lexova kujtimin e Agim Zajmit, shkruar me dorën e tij, me fotografinë përballë, në faqen 22.

“Kasatkin (Faja)
Shumë i dashur shok, nuk po të shkruaj që ky të jetë shkak për të mos harruar njëri-tjetrin, se unë mendoj se shoqëria jonë dhe dashuria për njëri-tjetrin, do të vijojë edhe pa këto pak fjalë. Shpeshherë dëshirat nuk realizohen, por shoqëria e krijuar në shkollë nuk duhet të harrohet. Na lidhi arti, por dashuria për njëri-tjetrin le të na kujtojë e të na bashkojë.
Të uroj jetë të gjatë dhe suksese në artin tonë të mrekullueshëm.
Agim Zajmi (Serov)
Tiranë, 18.3.1958”
 
Ky ishte shënimi i lënë në bllokun e kujtimeve të maturës, por me Gimin unë kam dhe ruaj disa letra, dërguar njëri-tjetrit sidomos gjatë muajve të pushimeve verore.

***
Me Agim Zajmin jam njohur më 3 shtator 1954, kur pas fitimit të konkursit, u paraqita në Lice për të ndjekur mësimet. Prof. Abdurrahim Buza, më mori për dore dhe më çoi në klasën e tij. ai më prezantoi të gjithë shokët e klasës: Naxhi Bakallin, Agim Zajmin, Pandi Melen, Petrit Rakipin e Skënder Milorin. “Këtë djalosh e kemi nga Shijaku, - u tha Prof. Buza. - Ka ndërprerë Shkollën Pedagogjike të Elbasanit, vetëm për të ardhur këtu në Liceun tonë”.

“Ouuu ... po ky qenka çuni jonë e! Pa merak fare profesor!”. Agimi, Naxhiu e Pandi (më vonë edhe Fatbardha Shkupi), quheshin të pa klasa, pasi i kishin mbaruar mësimet e përgjithshme dhe vazhdonin në Lice vetëm mësimet artistike. Pra ndërsa unë e Skënder Milori fillonim mësimet e kulturës së përgjithshme në orën 800 e gjer më 1100, e pastaj 1100-1400 – kulturën artistike, për t’u bashkuar me ta.

Nuk e harroj orën e parë të vizatimit: Agimi më mësoi se si të ngjis letrën e vizatimit në dërrasë, si ta lagia me ujë që të tendosej, më mprehu lapsin me majë të hollë, si të ishte gjilpërë shiringe dhe kur më dha  gomën, më tha: “Tue na pa ne, ti do të mësojsh, se si përdoret goma. Skulptori i madh italian Mikelanxhelo ka thanë, se vizatues i zoti nuk asht ai, që nuk përdor gomën, por ai që di ta përdorë atë”.

Vizatimi i parë që filluam qe një relief me profilin e shkrimtarit të madh Maksim Gorki . Vizatimin e bënim me Prof. Kristina Hoshin. Unë nuk kisha bërë asnjëherë figurë njeriu. Kisha bërë ndonjë vizatim deleje, qengji, qeni, maceje, gjeli e pule (dhe si i kisha bërë!), por njeriu kurrsesi. Ata më ulën pranë vetes dhe filluan nga puna. Unë i shihja se si vizatonin, se si e largonin lapsin nga sytë, drejt reliefit dhe pastaj e afronin te letra ... Për të mos u treguar injorant, pa ditur si dhe pse, bëja dhe unë si ata, por kur vinte puna te letra, ia fusja kot, ashtu siç dija vetë. Ndërkohë Prof. Kristina më kishte ndjekur nga larg, dhe si u afrua, më tha: “Agim, ngrihu dhe më jep kalemin!”.

Ajo më tregoi se ç’janë matjet, si bëhen ato dhe si hidhen në letrën e vizatimit ... Pastaj Prof. Kristina u tha atyre: “Agimin tonë do të ma keni në kujdes dhe do ta ndihmoni për çdo gjë, se Agimi në Shijak nuk ka pas Shtëpi apo Pallat Kulture si ju në Tiranë; kështu që është fare i patrajtuar ... Pastaj qenka patrioti im pasi Kavaja e Shijaku janë vëllazën...”. Dhe vërtet, ata s’më ndanë një herë nga vetja. Gimi, Naxhiu e Pandi më merrnin me vete çdo të diel, kur dilnin në peizazh nga kodrat e Saukut apo nga ura e Brarit. Gimi, i cili e trajtonte shumë mirë akuarelin dhe temperin, më këshillonte vazhdimisht se si përdoreshin ato.

Dhe mbi të gjitha, Gimi kishte shumë takt, tamam si të ishte profesor. Ata ishin shumë të përparuar, se kishin mbaruar kurset e pikturës e të vizatimit në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi” të Tiranës. Le që ishin djem të talentuar, sa i mbante në gojë Liceu, bashkë me Zef Shoshin, që ishte një vit sipër nesh. Kujtoj që e thërrisnin doktor të vizatimit, pasi ishte tepër preciz. Në mos gabofsha se domosdo, kanë kaluar kaq shumë vite, afro 60 vjet dhe mosha ka bërë  të vetën, Zef Shoshit i thërrisnin edhe Bepin. Pra unë kisha fatin e madh të isha, jo vetëm bashkëkohës i tyre, por edhe koleg me ta.

Kujtoj një ditë, tek pikturonim, Agimi më tha: “O Gimi, kur të thërras ty, më duket sikur thërras veten time, prandaj a më lejon të të thërras Fajë?”. “Po, - i thashë, - pse jo. S’ka ndonjë gjë...”. Dhe që atëherë, Gimi, Naxhiu, Pandi, Petriti, Bardha ... Asisi etj., më thërrisnin Fajë e ndonjëherë, për përkëdheli edhe “Fajush”.

Gjithashtu unë pata fatin të rritem midis idealistësh. Dhe kjo nuk është sajesë por shumë e vërtetë. Sjell në mendje letrën që më dërgonte Agimi, më 5 gusht 1956, ku midis të tjerash, më shkruante:
“Shumë i dashur Fajë!

... Ne të rinjtë duhet me e zhvillue jetën tonë, ne duhet që mbi themelet e të vjetrës të ecim përpara, ta përtrijmë atë, ta naltësojmë e ta përhapim sa të mundemi ... Fajë! Është e vërtetë që arti na ka lidhun, por është dhe dashurija e mirëkuptimi ndaj njëri-tjetrit që do të na bëjë të ecim përpara, lidhur dorë për dore ... Kam një lutje të vogël, Fajë: kur të dalësh në peizazh, në qoftë se ka mundësi, të më vizatosh një burim uji, buzë një rruge, se më duhet për një kompozim. Sinqerisht, këndej nga Tirana, nuk kam mujt me e gjet ...

Mirë u pafshim Fajë!
Agim Zajmi” .
Me atë vizatim burimi ai realizoi një kompozim interesant, ku dëftoheshin dy të rinj (një djalë dhe një vajzë) duke biseduar. Gimi e ndiente shumë ngjyrën dhe nuk e lodhte punën. Kujtoj një kompozim kushtuar Naim Frashërit, ulur në një livadh qëndisur me luledele, apo portretin e një vajze, punuar “alla prima”. Prandaj dhe unë e thërrisja Serov.

Një tipar i lartë i Gimit qe dashuria dhe humanizmi. Asnjëherë tek ai nuk gjeje elemente egoizmi. Kujtoj letrën e verës 1957, kur pasi më njofton se me bursë për jashtë shtetit u shpallën dhe u nisën: Sali Shijaku, Mumtaz Dhrami e Zef Shoshi për në Bashkimin Sovjetik, Lumturi Shehu (e dashura e Mumtazit) për në Poloni, Vasil Konomi etj., më shkruan: “Fajë! Vitin e ardhshëm edhe ne jemi maturantë...”, më këshillon: “... mendo një tezë diplome, që të jetë interesante, të të kënaqë jo vetëm ty, por edhe Prof. Kacelin, që do ta kemi udhëheqës artistik, bile edhe ata, që e shohin, popullin”.

Kur unë i tregova Prof. Sadik Kacelit se për tezë diplome kisha qejf të bëja një kompozim kushtuar Naim Frashërit  dhe i paraqita variantet se si e kisha menduar dhe ai natyrisht ma aprovoi,  Gimi qe i pari që i tha: “Profesor! Kam besim që Faja do ta bëjë shumë mirë, se edhe vetë ka shpirt poeti...”. Pra Gimi i gëzohej gëzimit të shokëve, kolegëve e miqve, i përjetonte si të ishin gëzimet e veta.

Nuk e harroj nëntorin e vitit 1957, kur në Tiranë u çel Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative me rastin e 13-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Gimi kishte përgatitur për ekspozitën një cikël me karikatura shumë interesante, që karikaturisti i njohur i atyre viteve Zef Bumçi, i kishte pëlqyer shumë dhe kishte bërë çmos të vendoseshin, pasi Gimi ishte akoma nxënës dhe nxënësit nuk lejoheshin të merrnin pjesë në ekspozitat kombëtare.

Sikur të mos mjaftonte kjo, ai bëri vetë çmos, që të më ekspozonte edhe mua pllakatin kushtuar Naim Frashërit “Për Shqipërinë, ditët e mira paskëtaj vijnë, shkoi errësira / Lum kush të rronjë, ta shohë zonjë”, që unë e kisha bërë thjesht për kënaqësinë time, por që Gimi e pëlqente shumë. Dhe arriti ta ekspozojë. I tillë qe Gimi.

Ç’është e vërteta punonim shumë, gjë që u reflektua edhe në rezultatete maturës sonë të atij viti, 1958, ku të gjitha diplomat arritën kuotat më të larta, notën 5 (pesë), çka e vërteton edhe shkrimi i Vasil Lalos “32 kuadro të reja në artet figurative”, botuar në gazetën “Bashkimi” të 20 qershorit 1958. Agimi pati si diplomë kompozimin: “Shtatë Shaljanët”, me motiv nga drama e Ndrekë Lucës me të njëjtin titull. Madje këtë e pati si mbrojtje teze edhe në skenografi.

***
Pas mbrojtjes së diplomave, Gimi, Pandi e Bardha, fituan të drejtën e vazhdimit të studimeve të larta në Bashkimin Sovjetik ose Sojuz (siç i thoshim në ato vite). Gimi shkoi në Shën Petërburg, të studionte për skenografi dhe pikturë, por fati i keq, që në vitin 1960, u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, kështu që edhe Gimi si shumë studentë të tjerë, u diplomua në Tiranë, në Institutin tonë të Arteve, që u çel më 3 janar 1960. Ç’është e vërteta, ne na erdhi keq që ata u kthyen, por ardhja e tyre ne na bëri shumë mirë, pasi ne, që ishim “mall vendi”, përfituam shumë prej tyre, se qe një ardhje jo vetëm nga Rusia (Leningradi e Moska), por edhe nga Polonia, Rumania, Hungaria, Çekosllovakia e Bullgaria.

Pas marrjes së diplomës për skenografi, Agimi emërohet si skenograf në Teatrin e Operës e të Baletit (TOB) dhe më pas skenograf në Teatrin Kombëtar të Tiranës, duke përballuar me sukses të veçantë tërë atë punë voluminoze skenografike. Ai solli në skenografinë tonë një fytyrë të re, duke bashkërenduar traditën e skenografisë sonë kombëtare me elemente moderne të skenografisë më të përparuar botërore. Skenografitë e tij tërhoqën vëmendjen e shumë teatrove të tjerë, kështu që ai kërkohej nga të gjithë, dhe e shohim të realizojë skenografi shfaqjesh teatrale (dramash e komedish) në Shkodër, Durrës, Elbasan etj., madje dhe përtej kufijve tanë shtetërorë, në Kosovë e Shkup (Maqedoni).

Kujtoj që më dëftonte një ditë një rast interesant, i cili i kishte ndodhur në Kosovë në çeljen e sezonit teatral të vjeshtës në Prishtinë.
“Qe një dramë kosovare, skenografinë e së cilës e kisha bërë unë. E kisha punuar me shumë dashuri dhe me tendenca moderne. Qëndroja me disa shokë kosovarë, diku në radhën e tretë, kur dëgjoj dy vajza pas shpinës sonë që bisedonin, në momentin kur u hap sipari i skenës:

- Uaaa, çfarë skenografie madhështore! - tha njëra prej tyre.
- Eeee, po kush e ka bërë se?! E ka bërë skenografi i madh shqiptar Agim Zajmi, - iu përgjigj shoqja.
Ktheva kokën dhe pashë dy gjimnaziste simpatike.
E di që më erdhi mirë, o Fajë. Sikur m’u përkëdhel sedra. Në fund të fundit, krijuesi i kujtdo fushe qoftë siç ka nevojë të kritikohet, kur ndonjë gjë nuk e ka bërë mirë, ashtu ka nevojë të lavdërohet, kur bën një gjë të bukur. Natyrisht, kjo e bën të ecë përpara dhe jo t’i rritet mendja. Në fund të fundit këto janë ligjet e artit”.

Si njeri-artist dhe si artist me zemër të madhe, edhe pse shumë i ngarkuar, nuk diti kurrë t’u thotë jo atyre që i kërkonin t’i ndihmonte. Këto ditë që u largua nga kjo jetë, tek e kujtonim me shokun tim ish-regjisorin e Pallatit të Kulturës së Shijakut, z. Ridvan Malltezi (sot në pension), sollëm ndërmend gatishmërinë dhe përkushtimin e tij për të na bërë skenografitë e shfaqjeve tona (natyrisht amatore): “Bijtë e xha Hasanit” – 1969 (dramë e Ramazan Domit dhe Qemal Gjatës), “Përmbytja e madhe” – 1975 (dramë e Kolë Jakovës) dhe “U mbyt gjemia” – 1971 (komedi e Kujtim Shehut). Kur i shkoja në studio, aty në hyrje të Teatrit, - kujtonte Ridvani, - ai linte punën, takoheshim dhe pyetja e parë që më bënte, ishte: “Hë, ka ndonjë hall Shijaku?”. Pastaj më merrte e dilnim për të pirë kafe.

“Për ju të Shijakut, për çdo nevojë që të keni, në çdo orë që të vini, më keni “pronto”!” - kujtonte gjithnjë Vani. Këtë bënte edhe me mua. Sa herë takoheshim në ndonjë mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në ndonjë seminar apo takime të talenteve të reja, sapo më shihte u thoshte të pranishmëve: “Ouuu ... erdh dhe Shijakësi jonë!” dhe u recitonte vargjet e njohura të Fan S. Nolit:

“A ke dëgjuar për burrat e dheut,
Me trimëri të Skënderbeut,
Për trimat që u zjen gjaku,
Zër një shok nga Shijaku!”

Kur i thosha unë: “O Gimçe, s’jam nga ata burra...”, ai vazhdonte: “Mirë, o Fajë, mirë, por trimi-legjendë Qemal Deliallisi që i këndohet kanga nëpër dasma asht prej Shijaku...”.
Gimi e donte shumë Shijakun, por edhe ne shijakasit e donim shumë atë, veçanërisht grupi i piktorëve që e kishin pasur pedagog në Akademi. Gimi ishte i pranishëm në të gjitha gëzimet e sebepet tona, në përurimet e ekspozitave etj. Kur më 10 dhjetor 1998, festuam 85-vjetorin e lëvizjes kulturore të Shijakut, Agimi ishte i ftuar i nderit dhe e kujtoj që erdhi bashkë me pedagogun e koreografisë në Akademinë e Arteve, Skënder Selimi.
***
Diku kam lexuar një thënie interesante të filozofit francez Zhan Kokto: “Rastësia është forma që merr Zoti për të kaluar pranë nesh, në mënyrë të padukshme”. E solla ndërmend këtë, pasi më 15 gusht 1958, ne u takuam në Tiranë dhe pimë nga një krikëll birrë me salsiçe te birraria “Tymi” në rrugën “Broduej” përballë farmacisë, siç quhej atëherë. Më 20 gusht të atij viti; ndërsa Gimi nisej për në Shën Petersburg, unë do të paraqitesha në shkollën 7-vjeçare të qytetit tim: Shijak-sburgut, ku isha emëruar mësues vizatimi.

Atë ditë në sallën e mësuesve u njoha me një mësuese të re, të bukur e me gërsheta e cila jepte gjuhën shqipe dhe letërsinë, Durrije Shtrezën, sot bashkëshortja ime. U dashuruam dhe pas mbarimit të studimeve, unë për pikturë dhe ajo Fakultetin e Filologjisë për gjuhën angleze, në vitin 1967, u martuam dhe bëmë dy djem, Ergysin dhe Arditin, të cilët Gimin do ta kishin pedagog në Akademinë e Arteve, madje Arditit dhe të shoqes, Migenës (nga Papajanët), ai do t’u jepte lëndën e skenografisë.
***
Agimi qe jo vetëm një artist i ndërgjegjshëm, por dhe i përgjegjshëm për atë që bënte. Parimi i tij ishte që krijuesi i vërtetë duhet të jetë vetvetja ose siç thoshte shpesh: “Artisti duhet të jetë një germë më vete në alfabetin e artit”.
Dhe ai arriti, qoftë në krijimtarinë e tij si skenograf, qoftë në portretet e kompozimet në gjininë e pikturës, të jetë vërtet një zë i veçantë. Skenografitë e tij kishin jo vetëm zgjidhje monumentale dhe moderne, por edhe shumë frymë kombëtare.

Është pikërisht ajo që nënvizonte poeti i madh rus Sergei Esenin kur thoshte: “Çdo njeri duhet të këndojë me zërin e tij, qoftë dhe si bretkosë”.

Përveçse një skenograf shumë i zoti, Gimi qe dhe një piktor shumë interesant. Tablo të tilla si “Vasil Laçi”, “Në aksion”, “Yje të pashuar”, “E pamposhtura” (trimëresha kosovare Ganimete Tërbeshi), “Vajza nga Kosova” (ose “Kosovarja”), “Malli i poetit De Rada” (kushtuar poetit arbëresh Jeronim De Rada), kompozimi “Kosovarët”, ku në hartën e Kosovës janë ngujuar burrat e Kosovës si për t’i thënë Milosheviçit, “kjo është toka jonë e s’ka burrë nëne të na shkulë që këndej” etj.

Mjaft nga punimet e tij në pikturë janë ekspozuar në Francë, Itali, Angli, Greqi, Turqi, Austri, Egjipt etj. Një pjesë ruhen në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve Figurative në Tiranë, si dhe në koleksione private, në vende të ndryshme të botës. Aktualisht, disa nga veprat e tij janë të ekspozuara në sallën e pritjes, për delegacionet e huaja të Kryeministrisë së Shqipërisë.

Si skenograf Agim Zajmi ka marrë pjesë në mjaft festivale ndërkombëtare të teatrit. Në vitin 1975 iu tha titulli: “Artist i Merituar”, ndërsa në vitin 1991 u nderua me titullin e lartë “Piktor i Popullit”. Në vitin 1995 fiton titullin “Profesor” dhe nis të japë mësim në Akademinë e Arteve të Bukura të Tiranës dhe zgjidhet President i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve Figurativë me qendër në Tiranë.

***
Kur më 15 maj 1998, bashkë me dy djemtë çelën në Tiranë, në Galerinë e parë private “Te&Gi”, të njeriut të mirë e artdashës Tefik Dedej, Gimçes i kërkova të më mbante fjalën e çeljes dhe ai natyrisht e priti me kënaqësi. Agimi siç thoshim qëmoti, qe vërtet “valutë”.
“Para disa ditësh mora një letër nga Faja me anë të së cilës më kërkonte që t’i mbaja fjalën e çeljes së ekspozitës. Nënkuptohet që Faja është Agimi. Kështu i kemi thirrë që kur ishim nxënës në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe kështu i thërrasim edhe sot”.

“Meqenëse ekspozitën e parë “Vazhdimësi 1” ma ka çelur Mumtazi (Dhrami), kam dëshirë që këtë ekspozitë “Vazhdimësi 2” të ma përuroni Ju”, më shkruante Faja. E pranova me kënaqësi ftesën. Faja ka një kontribut të dukshëm në artin figurativ dhe në mënyrë të veçantë në përgatitjen e piktorëve të rinj, në qytetin e tij të Shijakut. Vazhdimisht, pothuaj çdo vit, Instituti ynë apo Akademia jonë e Arteve ka pasur studentë të talentuar nga Shijaku. Kjo është meritë totale e Fajës. Mund të them me modesti se brezi ynë, ku bëj pjesë dhe unë, Faja, Mumtaz Dhrami, Skënder Kamberi, që po i shoh këtu e të tjerë, ka qenë një brez tepër i përkushtuar, që e donin shumë punën dhe artin.

Ekspozita e përbashkët e Fajës me djemtë Ergysin dhe Arditin, që e kanë emërtuar “Vazhdimësi 2”, se “Vazhdimësi 1”, po me dy djemtë e ka çelur po këtu në verë të vitit 1994, është një ekspozitë interesante, në vlera dhe emocione. Nëpërmjet këtyre punimeve, ata kanë shprehur dashurinë për vendin ku kanë lindur e jetojnë, duke derdhur ngjyra të ngrohta, të këndshme dhe emocionuese. Nëpërmjet këtyre punimeve, ata kanë shprehur dashurinë për vendin ku kanë lindur e jetojnë, duke derdhur ngjyra të ngrohta, të këndshme dhe emocionuese.
Faja është një piktor i konsoliduar dhe nuk bën kapërcime të kota, siç ndodh me disa krijues të tjerë.

Faja ka një precedent të ngadaltë në konsolidimin e pozicionit të tij, sidomos në kulturën e mënyrës së kompozimit të kuadratit, ka një mënyrë të pikturuari grafike, nga që është marrë shumë me këtë gjini. Dua t’ju kujtoj se të gjithë librat shkollorë, që janë botuar nëpër vite, duke filluar që nga “Abetare”-ja janë ilustruar nga vetë Faja. Edhe me fëmijët e tij, ai ka bërë një punë kolosale.

Të dy djemtë janë të natyrave të ndryshme edhe pse në këtë ekspozitë kanë punuar së bashku, duke u mirëkuptuar artistikisht dhe estetikisht, ndaj dhe kanë firmosur “FAJA B.” (“FAJA BROTHER”) (vëllezërit “FAJA”) ... Uroj me gjithë shpirt që Faja me djemtë, Ergysin dhe Arditin, të vazhdojnë të bëjnë punë të bukura e të kenë suksese të reja...”.

***
Agimi, siç më dëftonte dhe vetë, kishte lindur në Tiranë, në vitin 1936. I ati i tij, Mahmut Zajmi, si shumë “Zajmë” të tjerë, kishte ardhur nga Peja dhe qe vendosur në Tiranë. Kriminelët serbë, i kishin vrarë tërë njerëzit e familjes dhe i kishin djegur shtëpi e katandi. Kur erdhi në moshë, u martua me një vajzë nga familja e njohur e “Hysajve”, dibranë të ardhur gjithashtu në Tiranë shumë herët nga Okshtuni.

Ai kishte shërbyer gjithë jetën si infermier. Si për të ringjallur imazhin e familjes së madhe që i shfarosën serbët, ai bëri një tufë fëmijë, pesë djem dhe pesë vajza, dy prej të cilëve, Agimi dhe Bujari (gjithashtu piktor i njohur) u morën me art.
E ëma e Agimit ishte motër me nënën e piktorit tjetër të njohur Naxhi Bakalli, si dhe me nënën e shkrimtares së njohur për fëmijë, Shpresa Vreto, e cila në vitet 70 qe kryeredaktore e revistës “Fatosi”.

Rrënjët e tij nga Kosova, ndjehen në mjaft portrete dhe kompozime të bëra nëpër vite... Duke folur për të, Shpresa thotë: “... jo se unë e kam djalë tezeje, por Agimi jonë qe një njeri i mrekullueshëm, i dashur me të gjithë dhe i gatshëm për të gjithë. Me të kishe qejf të bisedoje, pasi qe jo vetëm i thjeshtë, por dhe kishte shumë njohuri”.

Agimi qe i parakohshëm për të kaluar në botën tjetër (megjithëse tjetërkush i vendos këto gjëra).
Ne kolegët, shokët dhe miqtë e tij, do ta kujtojmë me respekt e veneracion emrin dhe punën e tij, atë zemër të madhe dhe atë shpirt fisnik që kishte Agimi.
 
Shijak, 25.11.2013
 
*) Piktor i Merituar

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar