Agjërimi nuk është vetëm përfitim shpirtëror, por edhe fizik. Një proces vetëpastrues, i cili ndikon jashtëzakonisht shumë në organizmin tonë. Nutricionisti Altin Joka shpjegoi në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, efektet që ka në organizëm si dhe, dha disa këshilla të rëndësishme për të përgatitur syfyrin dhe iftarin.  

“Nisur nga afër 20 vjet që jam agjërues dhe nga koncepti i profilit të lëndëve ushqyese që përshtaten me syfyrin, ju them se syfyri nuk është thjesht një vakt para agimit, ai duhet menduar me logjikë metabolike. Në momentin që ne çohemi në orën 04:00 – 04:30, ne e dimë që trupi nuk ka nevojë për ngarkesë. Në këtë orar rritet niveli i insulinës, tretja është shumë herë më e ngadaltë, trupi është në një gjendje fast, po pastrohet dhe ngrënia me sasi të larta na dëmton nivelin metabolik. Ne bëjmë gabim nëse konsumojmë shumë karbohidrate, pasi insulina rritet shpejt, trupi ndihet më i lodhur pas syfyrit”, shpjegoi Joka.

Nutricionisti tha gjithashtu se konsumimi i proteinave shtazore në syfyr sjell ngarkesë dhe ndjesi etjeje, madje kombinimi i tyre me kripë shton edhe më shumë dëshirën për ujë. Joka tha se edhe përdorimi i farave në syfyr është i gabuar, sepse ato kërkojnë sasi uji të lartë. 

“Nëse ju doni të bëni një agjërim të plotë, duhet të ndiheni të uritur, atëherë ka efekt, sepse këtu fillon detoksifikimi”, theksoi ai.  

Ja disa menu që mund t’i përdorni në syfyr në ditë të ndryshme

Menuja 1

3 hurma arabe dhe ujë. Hurma jep 23 aminoacide, 14 minerale, 7 lloje vitaminash, sheqerna natyrale. Tri hurma kanë 200 kalori, mjaftueshëm për mëngjes

Menuja 2

Kos natyral, 1 lugë vaj ulliri, 7-8 feta tranguj, 1 lugë fara kungulli, 1 vezë e zier dhe 1 frut. Kjo formulë ka proteinë, vitamina, minerale, acide yndyrore dhe fibra

Menuja 3

Kos, tërshërë, një kupë me fruta pylli ose boronica, 3 copë arra, 1 kivi dhe 1 banane

Menuja 4

1-2 vezë të ziera, 1 avokado, 2 fije asparag, 1 domate ose 5 pomodorini, 1 kupë boronicë

Menuja 5

Omletë me spinaq, 2 kërpudha, pak bizele, majdanoz, gjalpë, 1 dardhë, 1 gotë dhallë pa kripë ose kefir

Menuja 6

Supë krem kungulli i verdhë, patate e kuqe, karrotë, xhinxher, mente, 1 lugë fara luledielli, gjalpë. Këtë bëjeni dhe në iftar dhe shtoni 70 gr fileto pulë e zier me lëng limoni fara susami dhe 1 frut.  

Menuja 7

Smoothy, spinaq, banane, avokado, limon, mollë jeshile, fara susami, 1 lugë gjellë bajame,1 lugë tahini,1 hurmë arabe, ujë.

Nutricionisti Joka këshilloi të konsumohen dy gota ujë para iftarit dhe syfyrit si dhe para gjumit.

Por kush nuk mund të agjërojë

Veç grave shtatzëna, grave me cikël apo ata persona që janë nën peshë, të tjerët mund ta provojnë. Kujdes ata që bëjnë insulinë që kanë diabet të tipit 1 si dhe ata që janë në trajtime mjekësore të përcaktuara nga mjeku. 

“Agjerimi është kurim, të parët që e kanë bërë kanë qenë personat me alzhaimer, parkinson dhe depresion. Autofagjia, pra pastrimi qelizor, balancon insulinën, ul inflamacionet, rrit prodhimin e antioksidantëve. Gjithashtu trupi i përthith mineralet më shumë.  Agjërimi është shumë i mirë edhe për problemet me artritin, problemet autoimune, kardiovaskulare, për sëmundjet mendore. Ai zgjat jetën, ul sëmundjet degjerative”, shpjegoi nutricionisti Joka.