Ajazët e Majlinda Bregut, lumë
falsifikimi për pronat në Prezë

Ajazët e Majlinda Bregut, lumë<br />falsifikimi për pronat në Prezë
TIRANË - Vjehrri dhe kunati i ministres 8-vjeçare të integrimit, Majlinda Bregu, përkatësisht Beqir dhe Hektor Ajazi, kanë shumë kohë që po terrorizojnë banorët e zonës së Prezës. Pretendimi i tyre është se këta banorë kanë marrë tokat e tyre. Në fakt, pronarët aktualë kanë marrë toka nga ligji 7501 dhe nuk përjashtohet mundësia që të jenë bërë pronarë të trojeve që dikur ishin të familjes Ajazi. Por, një problem i tillë ekziston në të gjithë vendin dhe Beqir e Hektor Ajazi nuk bëjnë përjashtim nga ish-pronarët e tjerë të tokave bujqësore. Shteti shqiptar ka marrë përsipër kompensimin financiar apo në natyrë të ish-pronarëve, tokat e të cilëve u janë shpërndarë banorëve të ish-kooperativave apo ish-fermave bujqësore dhe, sipas radhës, edhe ata do të marrin shpërblimin e caktuar.

Por, Ajazët kanë dashur dukshëm të bëjnë vetëgjyqësi, duke shkelur mbi ligjet ekzistuese. Në kushtet kur ligji nuk e lejon tjetërsimin e pronës së regjistruar tashmë, ata kanë përdorur edhe falsifikim në akte zyrtare noteriale, duke u hequr se toka u ishte dhuruar nga ana e pronarit të ri, por nuk ka munguar edhe dhuna fizike, për të terrorizuar banorët dhe paditësit e tyre ne gjyqe të njëpasnjëshme. Gjithshka lidhet me oreksin e madh që ka kjo familje për këto toka shumë pranë Tiranës, Durrësit dhe aeroportit, ku kalojnë artere të mëdha nacionale rrugore, në një ballkon natyror.
 
GJYQI
Një vit më parë, një vendim i Gjykatës së Apelit Tiranë i 20 qershorit 2012, ka marrë në shqyrtim padinë civile të ngritur nga familja e Ramiz Kapllanit. Ky i fundit kishte përfituar dy parcela prej ligjit nr.7501, dt.19.07.1991 “Për token”. Me aktin e marrjes së tokës në pronësi nr.198, datë 8.10.1992, katër pjesëtarët e familjes kanë përfituar tokë bujqësore 10.000 m2, të ndarë në dy parcela me 4.000 m2 dhe 6.000 m2, për të cilat kanë titull pronësie të regjistruar.

Kur kanë kontrolluar gjendjen e pronës, kanë konstatuar më pas se në pronësi të tyre nuk ekzistonte sipërfaqja prej 6000 m2, pasi figuronte e regjistruar në emër të vjehhrit të ministres Bregu, Beqir Ajazi, që ky i fundit “e kish blerë” me kontratë shitjeje nr.3781/1204, datë 20.06.1997. Rezultonte që këtë shitje ta kishte bërë Ramiz Kapllani me cilësinë e përfaqësuesit të bashkëpronarëve të tjerë, me prokurë e posaçme nr.3659/1157, datë 16.06.1997.

Por, me një akt ekspertimi të datës 4.03.2011 është vërtetuar se “Nënshkrimi i plotë emër, mbiemër Ramiz Kapllani e firma në emër të tij në Kontratë Shitje me Nr. 3780 Rep e Nr. 1204 Kol, datë 20.06.1997, përpiluar nga noterja Shpresa Spahiu, nuk duhet të jetë nënshkrimi origjinal i shtetasit Ramiz Kapllani, krahasuar me modelet e dërguara në emër të tij”.Për më tepër, doli se asnjë nuk i kishte dhënë të drejten e shitjes së pronës në bashkëpronësi Ramiz Kapllanit, pasi nuk rezulton që ata të kishin firmosur prokurën e posaçme përpara noteres Shpresa Spahiu.

Ramiz Kapllani rezulton se nuk ka shkuar fare për t’i shitur këtë pronë Beqir Ajazit përpara noterit dhe as të ketë vënë nënshkrimin në kontratën noteriale të shitjes për të konfirmuar vullnetin për tjetërsimin e pasurisë së tij në bashkëpronësi në pjesë të pandarë. Ashtu si Gjykata e shkallës së parë, edhe Apeli vendosi që nuk ekziston kalimi i pronës për parcelën 6 mijë metra katrorë tek Beqir Ajazi dhe ja ka lënë në pronësi familjes së Ramiz Kapllanit.

Problemi që vijon është ai se pse nuk është ndjekur penalisht vjehrri i ministres dhe noterja për këtë akt të falsifikuar, që përbën krim? Për këtë duket se ata kanë përdorur mbulimin politik nga bashkëshortja e djalit dhe vëllait të tyre Namik, pikërisht anëtarja e kabinetit qeveritar Majlinda Bregu.
 
KËRCËNIMI
Sipas dëshmisë së Ramiz Kapllanit, dhënë për Shqiptarja.com me telefon, ai është kërcënuar vazhdimisht nga persona të njohur e të panjohur, që kanë ardhur kryesisht natën pranë shtëpisë së tij me makina fuoristradë e duke i kërkuar të shkojë tek noteri të nënshkruajë një akt dhurimi të pronës së përfolur. Kapllani e ka ndjerë vetën shumë të kërcënuar, duke qenë se të dy djemtë i ka në Itali dhe banon vetëm me gruan. Megjithatë, ai ka rezistuar dhe nuk ka pranuar të kryejë veprimin e kërkuar prej tyre.

Në një rast të mëparshëm vetë kunati i ministres, Hektori, ka marrë një dënim – tepër të lehtë – për një rrahje ndaj shtetasit Naim Sela, me dëmtime të shkaktuara trupore ndaj tij. Ngjarja u denoncua në vitin 2010 në polici dhe, sipas kronikës së saj, ngjarja kishte ndodhur rreth ores 19.00 në ambjentet e firmës “Kajmak” në autostradën Tiranë-Vorë. Policia tha se shtetasi Naim Sela është goditur me grushta nga Besnik Zef Lala dhe Hektor Beqir Ajazi, të cilët i shoqëroi dhe më pas i la të lirë.
Faksimile e vendimit të gjykatë së Apelit që shpall të falsifikuar aktin e marrjes në pronësi të truallit nga Beqir Ajazi me logo 2
(Në foto: Faksimile e vendimit të gjykatë së Apelit që shpall të falsifikuar aktin e marrjes në pronësi të 6 mijë metrave katrorë truall nga Beqir Ajazi)

Sipas Naim Selës, i cili dëshminë e tij e dha nga Spitali Ushtarak, ai u godit nga Hektor Ajazi fillimisht dhe më pas nga truprojat e tij. Sela tha se gjithshka ka lidhje me një konflikt pronësie, çështje që po shqyrtohej nga gjykata, ku Sela ishte dëshmitar dhe palë kundërshtare e Hektor Ajazit. Sipas tij, e gjithë kjo u bë për ta detyruar të ndryshonte qendrim në sallën e gjyqit. “Hektor Ajazi ka marre pronat. Ka mashtruar një fshatarin tim; unë dola për ta mbrojtur atë në gjyq”, tha shprehimisht Sela.

Ajazi u dënua vetëm me gjobë, duke përdorur varjantin lehtësues të përdorimit të pijes alkoolike, ndërkohë që gjykata e cilësoi çështjen grindje për motive të dobta, ndërkohë që nuk u përmend problemi i pronësisë.

VJEHRRI I MAJLINDA BREGUT NDERTON NE KALANE E PREZES

Në Kalanë e Prezës fill pas zgjedhjeve kanë nisur me shpejtësi punimet për ndërtimin e një objekti rreth 4-5 metra larg murit rrethues të kalasë. Ngjarja është denoncuar nga banorët e Prezës, të cilët jashtë kamerave të "A1 Report" treguan se "kanë vënë re aty praninë e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu". Burime nga Ministria e Integrimit: "Është objekt i ndërtuar me leje nga ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, në një tokë, pronë e familjes së vjehrrit të Bregut, që prej vitit 1900". Ish-drejtori i Institutit të Monumenteve, Artan Shkreli: Ndërtim totalisht në shkelje të ligjit, dyfish i rëndë, sepse edhe me leje, edhe me konflikt interesi".

NDËRTIMI I FAMILJES SË MINISTRES BREGU, DY JAVË PAS ZGJEDHJEVE
Ndërtimet pa kriter nuk kanë kursyer këtë periudhë edhe monumentet kulturore, siç është ndertimi që sapo ka nisur të lulëzojë në kalanë e Prezës. Prej më shumë së dy javësh, fill pas zgjedhjeve kanë nisur punimet me shpejtësi për ndërtimin e një objekti, ngjitur me murin rrethues të këtij monumenti, në kundërshtim të plotë me ligjin.
 
Ngjarja ka rënë në sy dhe është denoncuar nga banorët e Prezës, të cilët fillimisht kanë ngurruar, ndërsa jashtë kamerave treguan se "kanë vënë re praninë e një anëtari të kabinetit "Berisha", saktësisht ministres Majlinda Bregu prej momentit të nisjes së punimeve.

Ata konfirmojnë se "objekti që pritet të ndërtohet është pikërisht e saj". Pamjet e filmuara nga "A 1 Report" tregojnë qartë hapësirën e zënë për ndërtimin e këtij objekti, ku siç duket nga pamjet ka nisur gërmimi dhe duken gurë të mëdhenj grumbull.

BURIME PRANË MINISTRISË: NDËRTIM ME LEJEN E BUMÇIT, NË TOKËN E FAMILJES
Ndërkohë, më pas kanë sqaruar në një lidhje telefonike për "A1 Report" burime pranë Ministrisë së Integrimit, të cilët kanë shpjeguar se "bëhet fjalë për një objekt të ndërtuar me leje prej ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi, në një tokë, pronë e familjes së vjehrrit të Majlinda Bregut që prej vitit 1900".

SHKRELI: SHKELJE DYFISH E LIGJIT: EDHE KONFLIKT INTERESI
Por më pas ka reaguar po në linjë telefonike në edicionin e lajmeve të 'A1 Report" edhe ish-drejtori i Institutit të Monumenteve, arkitekti Artan Shkreli, i cili ka shpjeguar se kjo është një shkelje e rëndë e ligjit, dyfish e rëndë pasi është ndërtim i paligjshëm, por me leje". Sipas Shkrelit, në distanca 4-5 metra nga objekte monumentale, aq më tepër kala nuk ndërtohet, ose duhet të jenë të paktën 30 metër larg, ndërkohë në atë zonë nuk ka ndërtime ekzistuese.

(Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.07.2013)
Redaksia Online
(arsh/mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë