Akademia e Shkencave ngre problemet e muzikës në tryezë të rrumbullakët

Akademia e Shkencave ngre problemet e muzikës në tryezë të rrumbullakët

Akademia e Shkencave mbajti sot më 28 tetor 2022 tryezën e rrumbullakët për problemet e krijimtarisë, studimit, edukimit dhe interpretimit të muzikës shqiptare.

Veprimtaria u mbajt nga njësia kërkimore e muzikës dhe interpretimit "Academia Albanica" e ngritur pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.Akad. Eno Koço foli për mundësitë e zgjerimit të veprimtarisë së Ansamblit dhe njësisë “Academia Albanica” të ngritur pranë Akademisë së Shkencave me synimin të promovojë nëpërmjet ekzekutimit veprat më të mira kryesisht të kompozitorëve shqiptarë, si dhe të demonstrojë cilësi të lartë në interpretimin e veprave të huaja. 

Akad. Eno Koço tha se “Academia Albanica” është një njësi e përkohshme shkencore pranë Akademisë së Shkencave në fushë kërkimore veprimi në etnomuzikologji, si dhe në studimin e veprave themelore të muzikës shqiptare. Pak është bërë për studimin e muzikës shqiptare.

Historia e jetës muzikore shqiptare ka treguar se forcat ekzekutuese e interpretuese të këtij vendi kanë qenë në pararojë të artit muzikor. Në fokusin e zgjerimit të veprimtarisë së këtij ansambli porosia e veprave kombëtare në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës do të marr një rëndësi të veçantë.

Muzikologu akad. Vasil S.Tole, zëvendëskryetar i ASH, mbajti kumtesën “Krijimtaria bashkëkohore shqiptare dhe roli i mecenatizmit shtetëror”.

Akad. Tole, përshëndeti më parë drejtuesin e “Akademia Albanica” akad. Eno Koçon që i ka dhënë drejtimin e duhur këtij formacioni muzikor.

Akad. Tole tha se termi mecenatizëm e ka marrë emrin nga Gaio Cilnio Mecenate, një mbrojtës dhe dashamirës i madh i artistëve si Horaci dhe Virgjili në epokën e Augustit.

Duke u mbështetur në këtë term, akad. Tole foli veçanërisht për rolin e shtetit shqiptar në zhvillimin e muzikës shqiptare, duke paralelizuar veprimtaritë muzikore të para viteve ’90 dhe pas.

Akad. Tole kujtoi premierat e mëdha dhe faktin që shteti e paguante krijimtarinë dhe vlerësonte dhe popullarizonte arritjet e kompozitorëve shqiptarë.

Kjo tryezë bëhet në një moment kyç, për të përcaktuar se ku jemi me zhvillimin e muzikës shqiptare.

Para ‘90-s kishte një strukturë të rëndësishme të nxitjes së krijimtarisë, një strukturë kombëtare nxitëse deri në krijimin e formacionet kryesore në rrethe, kishte shtatë orkestra simfonike ne rrethet kryesore të vendit.

Janë vitet ku u krijuan institucionet e rëndësishme të muzikës shqiptare dhe në mënyrë të veçantë repertori kombëtar në muzikë me një aradhe kompozitorësh të mrekullueshëm, tha akad. Vasil Tole.  

Ai theksoi se krijimtaria me të gjitha problematikat, duke lenë mënjanë çështjet ideologjike, përbëhej nga 75 për qind repertor bashkëkohor shqiptar dhe vetëm 25 për qind ishte repertor i muzikës botërore. Ky ishte roli i mecenatizmit në atë periudhe, ku rezultuan 41 premiera kombëtare në opera e balet.

Akad. Tole tha më tej se kompozitorët shkruanin muzikë për festivalet e këngës, organizoheshin  koncerte kombëtare, kishte dhe pjesëmarrje në konkurse dhe pjesëmarrje për muzikë filmi. Kishte  lejë për tre- katër muaj krijimtari në vit dhe porositej e kërkohej krijimtaria edhe  për muzikë për teatër, për festivalet për fëmijë, etj. Për të gjitha këto ishte legjislacioni që të gjithë këtë krijimtari e paguante.

Vijmë pas viteve ’90. Nuk eksiton më koncepti i porosive shtetërore dhe nuk ka çmime dhe vlerësime kombëtare për muzikën.

Para ‘90-s, nëse kishim dy premiera në vit, në këto 32 vjet kemi vetëm dy opera të shkruara dhe asnjë prej tyre nuk është porosi shtetërore. Tek veprat e mëdha shihet sesa i pranishëm është kujdesi shtetëror.

Ka pasur veprimtari muzikore, por shteti ka hequr dorë nga përgjegjësia për premierat e operës dhe baletit.  Kemi kaluar në përmbysje të raportit të muzikës shqiptare. Nëse më parë kishim 25 për qind muzikë të huaj, sot kemi 95 për qind muzikë të huaj. Është për të ardhur keq se vitet e fundit numri i premierave me muzikë shqiptare nuk zë as 5 për qind, tha akad. Tole.

Lorenc Radovani foli për marrëdhëniet mes krijimtarisë dhe interpretimit në muzikën tonë të kultivuar, ndikimin reciprok dhe nxitjen që i japin ato njëra-tjetrës.

Ndërsa theksoi se  praktika muzikore në Shqipëri ka dëshmuar rritjen e njëkohshme të nevojës për krijimtari, si dhe asaj për interpretim, theksoi edhe nevojën për krijimin potencialit interpretativ, si nevojë për krijimin e një arti kombëtar.

Radovani foli edhe për veprimtarinë e pasur të të “Akademia Albanica”, për rolin e veçantë të saj në bashkëpunimet në veprimtaritë mes akademive në rajon dhe kontributin për interpretimin e muzikës së kompozitoreve më të shquar shqiptarë e më gjerë.

Klodian Qafoku foli për dokumentimin dhe ruajtjen e krijimtarisë muzikore si pjesë e rëndësishme e arkivit muzikor.

Pasi përmendi punën  e RTSH-së për regjistrimet zanore të krijimtarisë tonë muzikore dhe nevojën për regjistrimet dixhitale, Qafoku tha se nuk duhet neglizhuar kurrë që një koncert premierë të mos regjistrohet dhe të dokumentohet në arkivë, qoftë personale apo publike. Vetëm kështu do të mund të kemi identitet kulturor muzikor në shekujt e ardhshëm. Synimi nuk është që krijimtaria muzikore të mbijetojë, por të lulëzojë mirë në të ardhmen.

Valton Beqiri foli për përkrahjen e krijimtarisë muzikore dhe përgjegjësinë që duhet të mbajë shteti për muzikën në Shqipëri dhe trevat shqiptare jashtë kufijve.

Florian Vlashi duke hequr paralele me shembujt e përhapjes së letërsisë shqipe në botë dhe komunikimit që nga lashtësia, theksoi se prezantimi i muzikës shqiptare jashtë vendit është një detyrë morale dhe jetësore. 

Tonin Tranaku mbajti kumtesën “Muzika shqiptare dhe arbëreshët e Italisë, ura të brishta komunikimi që duhet forcuar”. Ai foli për rolin e njohjes së kësaj muzike në vendin tonë dhe krijimin e rubrikave në televizion kombëtar për ta bërë të njohur dhe ruajtjen e traditës.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja